Drejtoresha e HAKO-s: “UNE DO TE DOJA SHUME QE FILANTROPIA TE MOS BERTITEJ”

Drejtoresha e HAKO-s: “UNË DO TË DOJA SHUMË QË FILANTROPIA TË MOS BËRTITEJ”


 

Përgatiti Rudina Hoxha

Drejtuesja e HAKO shpk , një prej firmave më të njohura në Shqipëri dhe në rajon në prodhimin e sallamerisë, Antonela Hako, përvec se është një personazh që reflekton metodën model të punës në industrinë e mishit, të frymëzon edhe për filozofinë e saj për filantropinë. Sipas saj, filantropia duhet të heshtë. Ajo mendon se filantropia është në gjak, ajo kultivohet nga kultura familjare dhe nga besimi. Dhe Antonela këtë e reflekton edhe në punë.

“Unë filantropi bëj çdo ditë të jetës sime. Mendimi qe kam çdo ditë për njerëzit me të cilët punoj, përgjegjësia mbi supe, përfshirja në hallet e tyre dhe ndihma që kërkoj të jap me të gjitha format besoj e tregojnë këtë“, – thotë ajo në një intervistë ekskluzive për Business Magazine Albania. Nëpërmjet historisë së biznesit të saj mbi 20 vjeçar, Hako paraqet si duhet të jetë një model biznesi i suksesshëm dhe se çfarë duhet të kihet parasysh për të arritur sukses.

– Si e nisët këtë biznes?

Unë kam mbaruar Ekonomi-Financë. Im shoq ka mbaruar Inxhinieri. Në 90-tën kemi emigruar. Ishim nga ata të rinj që nuk gjenin asgjë tek sistemi i asaj kohe, asnjë shpresë. Bëmë cdo punë, më pas u vendosëm diku, ku mësuam proçeset që shoqëronin produktin e mishit, proçese këto që nuk njiheshin në Shqipëri në atë kohë. Derisa një ditë para se të ktheheshim, erdhëm dhe pamë situatën dhe vendosëm që brenda një viti të merrnim masa që kur të ktheheshim përfundimisht të hapnim një gjë të vogël për të sjellë këtë proçes të ri edhe në vendlindje.

Asnjë nuk mendonte për një biznes të tillë sepse ishte koha e firmave piramidale dhe më së shumti njerëzit investonin në veshje, shtëpi e makina. Ky ishte impakti i parë. Në krye të vitit, blemë disa pajisje të vogla për të hapur një dyqan modest.

Me këtë pasuri, kemi ardhur nga emigrimi. Dyqanin e parë e kemi pasur përballë Shkollës “Partizani.” Ndoshta fat apo rastësi, pasi si unë, ashtu edhe bashkëshorti kemi mbaruar shkollën e mesme në Gjimnazin Partizani. Dhe pranë tij, ndodhi që hapëm edhe dyqanin tonë të parë. Nuk kemi shkëlqyer, jemi lodhur deri në kockë. Por e mbaj mend që 6 muaj pasi ishim kthyer, guxuam të blinim dhe të tregtonim mish gici të freskët. Mund dhe të deshtonim dhe të ktheheshim përsëri në emigrim. E morëm riskun në sy. Por ky dështim nuk ndodhi. Njerëzit rrinin në radhë në dyqanin tonë dhe filluan të interesoheshin për këtë mënyrë të re tregtimi. Pra, pak nga pak, dyqani filloi të njihej për këtë risi.

Gjithashtu, një gjë tjetër që bëmë, ishte një vrojtim nëpër marketet e vendit. Në tregun shqiptar nuk gjeje produkte gjysëm të gatshme aq të nevojshme për gratë në kuzhinë. Jashtë ishin në çdo supermarket. Kështu filluam prodhimet e para të paketuara (mish i grirë, qofte). Në këtë kohë, dyqani u transferua tek Pazari i Ri. Ishte koha e çmendur e firmave piramidale. Vështirë se gjeje njerëz për punë. Kursimet tona i bëmë dhoma frigoriferike. Pajisjet tona të para industriale. Çudi ishte për atë kohë, por për ne leket investohen ku del prodhim e punë, jo ku priten letra.

produkte Hako-produkte sallamerie-businessmag

– Si do ta përkufizonit hapin e parë në këtë biznes?

A ta quaj biznes? Sepse kur unë kthehem këtu ku jam, mendoj se ai ishte një biznes i vogël që u hap për nevoja familjare dhe për arsye që ne të qëndronim këtu, të mos largoheshim më. Emigrimi ishte zgjidhje e përkohshme, jo vendim përfundimtar për jetën.

Vlerësoj ata biznesmenë që qëndruan në Shqipëri pavarësisht vështirësive që hasën. Lum kush erdhi dhe e kërcet kokën nga mëngjesi në darkë tek ky vend. Unë, patriotë më të mirë se biznesmenët e sotëm që gjithë jetën e vet e kanë investuar këtu, me lekë, me jetën e tyre, të fëmijëve, të familjes, të prindërve, të vëllezërve, të motrave nuk kam njohur. Bizneset që ngritëm janë pasuri kombëtare dhe i shërbejnë progresit.

– Sa ju ka ndihmuar bashkëshorti juaj në këtë ndërmarrje tepër të guximshme për kohën?

Ai është vizioni, njeriu i mençur, unë krahu i djathtë që mbështes pa frikë. Të guximshëm të dy. Gjithashtu ai ka pasur fatin të trajnohet jashtë dhe falë zanatit të tij si inxhinier, ai ka ditur të bëjë zbërthimet dhe ndikimin e elementëve përbërës të produkteve. Kështu garantojmë produkte të sigurta për konsumatorët.

– Ju e drejtoni këtë biznes së bashku apo jo?

Po. Ai është administratori. Deri para 2 vjetësh, unë kam qenë drejtor i financës. Sot jam drejtor i përgjithshëm i shitjes dhe marketingut. Ndërkohë vazhdoj të jem edhe në financë në rolin e këshilluesit. Nga një ndërrmarrje pa program financiar, në eksel, kaluam në programe financiare të mira dhe më pas shumë të mira. Historia ime me programet financiare është përmirësuar vazhdimisht. Një investim i madh për ne, por që ja vlen.

– Ç’ndodhi në 1997 me biznesin tuaj?

Në fund të 96-s, fillim 97-s, morëm një ambient më të madh në sajë të zgjerimit të aktivitetit tonë. Në atë kohë, lindi edhe djali ynë i dytë që siç thotë edhe shprehja “fëmijet sjellin mbarësi e fat”. Dhe ne shtuam edhe një produkt tjetër të ri në treg. Tashmë ishim 10-12 punonjës. Kishim investuar dhe në disa pajisje të tjera por jo të reja.

– A mendoni se jeni një nga fabrikat më të mira?

Kur ishim në Laprakë dhe po hidhnim themelet e fabrikës, ne investonim me Austrinë dhe Gjermaninë për sjelljen e makinerive të reja. Dhe kur u transferuam në ambientet ku jemi sot, në 2004, i kishim të gjitha makineritë të reja. Në ato kohë, ne bënim 10 vjet në treg. Kur kalon 10 vjet në treg dhe nuk e ndryshon profilin e biznesit, dhe dëshiron të investosh, tregon se nuk do ketë kthim prapa. Dhe ne kishim vendosur të punonim jo për 5 vite por për ta lënë trashëgimi këtë biznes. Kështu lindi nevoja për të investuar në teknologji bashkëkohore. Shihnim vendet e rajonit si Rumania, Bullgaria apo Polonia që po ecnin me një hap më të shpejtë se ne. Kjo erë europiane e dinim se një ditë do të vinte edhe në Shqipëri. Prandaj ne duhet të ishim të përgatitur. Dhe sot mund të them me bindjen më të plotë se ne jemi një nga fabrikat më mirë të investuara, pse jo, konkurruese edhe në Ballkan.

– Kush është çelësi i suksesit për ju?

Besimi tek njerëzit, përgjegjësia shumë e madhe dhe transparenca me klientin. Klienti i Hako-s konsumon atë që paguan dhe që i përshtatet shijes që ka zgjedhur. Ai është i sigurtë për standartin dhe i garantuar për përmbajtjen.

– Ju po thoni se nuk ka kontrolle sa duhet sa i takon magazinave dhe thertoreve të mishit nëpër Shqipëri?

Jo, nuk ka. Po ta shihni vetë me sytë tuaj, do ta besoni. Në Shqipëri sot ka fabrika të investuara bashkëkohore. Sikurse ka dhe prodhim jashtë kushteve të higjenës dhe pa përmbushur asnjë standart. Dhe standart do të thotë të paguash energjinë që konsumon. Të respektosh të drejtën e punonjësve për sigurime dhe pagë sipas punës që bëjnë. Të respektosh konsumatorët për cilësinë që tregton.

Kështu që Hako ka zjedhur të punojë me shumë kujdes në këtë drejtim. Për erëzat dhe aromat, kemi bashkëpunim kryesisht me Austrinë. Ndërsa për mishin, punohet me 3-4 firma me kontratë dhe mishi kontrollohet deri në detaje. Të investosh në makineri dhe në higjenë. Çdo ditë dezinfektim me avull dhe çdo kënd lahet me solucione dhe ujë të bollshëm. I gjithë ambienti monitorohet dhe funksionon me normat e HACCP.

– Si e marketoni produktin dhe sa përqind e investimeve totale shkojnë për marketingun?

Ka patur disa faza. Në fazën e parë, pra, pas 10 vitesh në treg, ndërsa ne ishim vendosur tashmë në ambjentet e reja, doli nevoja e marketingut. Në fillim, bëmë marketingun e emrit për një kohë të shkurtër me anë të spoteve publicitare në television. Por ajo që bëri diferencën ishte spoti i kremviçes së tymosur të cilën e shfaqëm për herë të parë tek Festivali i Këngës Magjike.

Pastaj marketingu ynë vijon me celjen e magazinave në mbarë vendin me kontaktin e vazhdueshëm me klientët duke kërkuar gjithmonë mendimin e tyre. Marketing është dhe zgjedhja e mënyrës së paketimit të produkteve. Dhe për këtë punohet jo vetëm për design, por edhe për formën, vendosjen në paketë etj. Dhe është një proçes i vazhdueshëm. Dizajnet ndryshojnë, me frymë moderne dhe konceptime të reja.

– Cfarë marrëdhënie keni më konkurrentët tuaj?

E respektojmë dhe vlerësojmë konkurencën, lexojmë dobësitë tona dhe analizojmë përparësitë. Politika jonë e shitjes nuk është kurrë e njëjtë por ne jemi gjithmonë pranë klientit. Për 3 vite me radhë, organizuam shërbimin në formë të tillë që kudo, të ishte i pranishëm agjenti i shitjes, menaxheri dhe drejtori. Dhe unë vetë, punën në terren e kam detyrë të përgjegjësisë që kam marrë. Në momentin kur më kanë besuar vendin e drejtorit të shitjeve, gjëja e parë që kam bërë, ishte të vizitoja të gjithë zonat dhe klientët. Kam biseduar dhe i kam dëgjuar me detaj vërejtjet e tyre dhe pakënaqësitë. Suksesi qëndron tek komunikimi me klientin. Unë i gjunjëzohem klientit, shkoj tek klienti për të mësuar prej tij. Ka politika të ndryshme për t’u poziconuar në treg.

-Kam dëgjuar se keni bërë edhe shumë filantropi?

Unë filantropi bëj çdo ditë të jetës sime. Mendimi që kam çdo ditë për njerëzit me të cilët punoj, përgjegjësia mbi supe, përfshirja në hallet e tyre dhe ndihma me të gjitha format. Pastaj sa herë kam mundësi, bëj. Të dukshme, pak kam bërë. Desha dhe e bëra. Unë do të doja shumë që filantropia të mos bërtitej. E di kur e ndjej unë veten të vlerësuar? Më 1 qershor, kur nënat e atyre fëmijëve më takuan, jo për të më falenderuar, por thjesht më panë në sy. Edhe unë nuk kisha turp ti shikoja në sy. Filantropia është diçka e brendshme, them se ka të bëjë me besimim, me mënyrën si je rritur, me çfarë edukate të kanë përcjellë prindërit. Nëna ime e mbante derën gjithmonë hapur për njerëzit. Vjehra ime po ashtu dhe sa herë mundet ndan me njerëzit çfarëdo të ketë mundësi.

– A keni një model që e ndiqni në rrugën e biznesit?

Në biznes, kam njeriun që e drejton kompaninë. Dëgjo, unë model kam edhe nënën time, edhe vjehrrën time. Në aspektin se si i trajtojnë njerëzit, si na kanë edukuar. Kujt do të doja t’i ngjaja? Kancelares gjermane – Merkel – në mënyrën se si i merr vendimet me ftohtësi.

-Shtatori është shpallur muaji kundër informalitetit. Çfarë do ti kërkonit qeverisë?

Mendoj se gjëja e parë që duhet bërë për një vend është që secili të ketë kartën e tij të identitetit. Pra, çdo qytetar ka një ID ku shkruhet emri, mbiemri dhe profesioni. Në fakt, është edhe një ID tjetër, ajo e pasurisë, e punës që bën, e të ardhurave që ka. Ti mund të jesh një person që zoteron si pasuri, tokën. Kjo është ID, që e të lidh me tokën dhe detyrimin që duhet të kesh ndaj tokës që zotëron. Ti ke një dyqan, dhe kjo është ID jote, ti ke një biznes dhe kjo është ID jote. Dmth, çdo gjë që ka lidhje me një individ apo objekt që sjell të ardhura, duhet të ketë një ID.

Ky është hapi i parë. Pastaj ndarja dhe vlerësimi sipas të ardhurave që çdo biznes sjell, është më e vështira. Që të trajtohet me kujdes sipas veçorive.

– Si ndihet një femër në biznes? A është suksesi i saj tek durimi që ajo ka më shumë se mashkulli? Çfarë ka një femër më të fortë se një mashkull?

Ajo mban. E ka të brendshme, e ka të lindur, e ka fiziologjike. Ajo duron. Mund të qajë gjithë ditën dhe prapë të mbajë. Dhe mban pafund. Unë mbaj në punë, mbaj ekuilibra në shtëpi, mbaj ekuilibra me fëmijët, gatuaj, kam punuar natën edhe deri në 4 të mëngjesit kur duhet. Kam bërë gabime dhe i kam pranuar ato. Kam forcën për të kërkuar falje. Ndihem shumë mirë kur kërkoj falje. Ndihem e lumtur kur bëj dhurata. Kur marr dhurata, ndihem në siklet. Më duket sikur i kam vënë njerëzit në siklet që të harxhojnë kohën për të më bërë dhurata.

– Çfarë do ti këshilloje sipërmarrësit e rinj në fushën tuaj?

Të mos gënjejnë, të mos rendin vetëm pas fitimit. Të jenë të drejtë me veten e tyre në radhë të parë, pra kur marrin diçka përsipër, duhet ta pyesin veten nëse e bëjnë dot apo jo. Nëse do ta bësh, duhet të durosh dhe nuk duhet të mendosh se ditën e dytë të punës do të fitosh. Kur të ndodh një problem, pasi në biznes ka shumë probleme, duhet të shkosh para pasqyrës dhe ti thuash vetes, nëse gabove ti apo duhet ta kërkosh këtë gabim jashtë vetes. Edhe kur dësh – ton, dështimin duhet ta kërkosh tek vetja.

Gjithashtu, punën që bën duhet ta duash, ta bësh me dashuri. Realisht kur nuk e do një punë, nuk e bën dot mirë, e shpërbën.

– Si jeni jashtë punës?

Shumë pozitive. Kam shumë energji pozitive për të gjithë pa përjashtim. Për të gjithë gjej një fjalë të mirë. E dhuroj puthjen pa problem për fëmijën, për të moshuarin.

Nervozohem? Sa të duash…Përpiqem t’i mbaj nervat deri në fund. E ndjeshme ku më shkon shpirti.

Në përgjithësi më thonë që fal gëzim. Shenja ime zodiake është Luani. Pra, më pëlqen të komandoj. Më pëlqen, të jem në qendër të vëmendjes. Më pëlqen të vishem por jo ta teproj me luks. Nuk e ndjek modën, ndjek stilin tim.

– Si e shihni HAKO-n pas 5 a 10 vitesh?

Që ti ketë themelet 100 përqind të sigurta, të mos ngelemi këtu ku jemi por ta çojmë HAKO-n përpara. Kemi plane për zgjerim linje dhe produkte të reja, por mbetet një plan ndaj të cilit nuk dua të nxitoj.

Gjithashtu duam që të ruajmë standartet që kemi vendosur dhe nëse ka standarte të reja, të jemi ne të parët që ti zbatojmë. Nëse do të kem mundësi të bëj një gjë të re, do ta bëj.

Intervista u publikua në faqen 27, nr. 6 të revistës Business Magazine. Revistën mund ta shfletoni të plotë në këtë link.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0