Përshkrim
Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.
Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.
“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.
Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet europiane nuk janë më vetëm kërkesë burokratike, por një avantazh i vërtetë konkurrues. Ligjshmëria, transparenca, të dhënat e mbrojtura dhe transformimi digjital nuk janë kosto, por investime në jetëgjatësi dhe besueshmëri.
Shqipëria është duke u ripozicionuar si një vend i mundësive, jo më thjesht për shkak të krahut të lirë të punës, por për shkak të energjisë krijuese, teknologjisë dhe kapacitetit për të ndërtuar ide të qëndrueshme në tregun europian.
Në këtë realitet të ri, edhe përkufizimi i suksesit ndryshon. Nuk mjafton më të mbijetosh në tregun vendas. Objektivi duhet të jetë shtrirja përtej kufijve, ndërtimi i markave me ndikim dhe përgatitja për të konkurruar në një treg të madh, me rregulla strikte, por me mundësi të jashtëzakonshme.
Europa nuk është një thjesht një komunitet i tregut të përbashkët…është një mënyrë të menduari, një kulturë e ndërtuar mbi profesionalizëm, meritokraci dhe besueshmëri.
Duke ju uruar lexim të këndshëm,
Ju ftojmë të abonoheni dhe të shkarkoni revistën online!