Top 5 Startup-et për të cilat BusinessMag ka shkruar më shumë! - Business Magazine Albania

Top 5 Startup-et për të cilat BusinessMag ka shkruar më shumë!


Shqipëria ndonëse një vend i vogël, ka nxjerrë xhevahire mjaft të çmuar që kanë depërtuar përtej tregut shqiptar. Startup-et shqiptare tashmë na përfaqësojnë denjësisht nëpër botë dhe këto histori suksesi janë kthyer në burim frymëzimi për të gjithë të rinjtë, që edhe ata të kuptojnë se gjërat e mëdha janë të arritshme kur punohet fort dhe me pasion.

BusinessMag është në mbështetje të sipërmarrjeve të reja dhe në këtë artikull ju sjell top 5 Startup-et, për të cilat ka shkruar më shumë ndër vite.

Gjirafa

Gjirafa u lançua për herë të parë në datën 9 Tetor 2014. Ajo ka zhvilluar një motor kërkimi, që ndryshe nga Google zgjidh disa probleme që dalin nga gjuha unike dhe komplekse që përdorin shqiptarët.

Gjirafa renditet si kompania më e suksesshme në rajon në blerjet dhe shërbimet online, mirëpo tashmë hyn edhe në listën e TOP startup-ve më të suksesshme dhe unikorn i ardhshëm me standarde botërore. Vitin e shkuar Gjirafa ishte në mesin e top 13 Startup-ëve të Europës, që së bashku numërojnë rreth 1,000 të punësuar dhe kanë pranuar $135 milionë investime deri më tani.

Lexoni: Gjirafa përzgjidhet në mesin e Top 13 Startup-ve në Europë dhe Unicorn i ardhshëm

Disa nga shërbimet që ka sjellë Gjirafa janë:

  • Gjirafa50, një platformë e-commerce që ofron një varietet produktesh dhe brandesh, që mund të blihen online dhe mund të shpërndahen në Kosovë falas për 24-72 orë.
  • Gjirafa.Biz, faqja e vetme shqiptare, në të cilën gjenden mbi 30 mijë biznese dhe pika të tjera në Kosovë. Po ashtu këtu do të gjeni edhe hartën e Kosovës me pamje 360 gradë, navigacionin për të gjitha rrugët me pamje 360 gradë, pothuajse të secilës rrugë në Kosovë. Risia e radhës e Gjirafa.Biz është rezervimi online i apartamenteve dhe hoteleve në Shqipëri. Më anë të tij ju mund të shikoni hotelin, foto të tij, largësinë nga plazhi, si dhe me anë të StreetView mund të shikoni edhe se si duket ambienti i brendshëm.
  • Gjirafa Video është platforma, e cila ju lejon që të shikoni dhe të ngarkoni video të ndryshme. Artistët, portalet por edhe krijuesit e fushave të ndryshme tani kanë mundësinë që t’i shfaqin videot në kanalet e tyre të krijuara në këtë platformë. Risia kryesore e Gjirafa Video është ofrimi i mundësive për përdorues që ta monetizojnë kanalin e tyre nga shikimet e marra.
  • Gjirafa Lab është një inkubator startup-esh, e realizuar për sipërmarrësit e internetit, të cilët kanë mungesë aksesi në burime dhe në tregje.
  • Gjirafa AdNetwork, rrjeti për reklamat shqiptare në internet. AdNetwork lidh në një mënyrë të thjeshtë dhe efikase të gjithë reklamuesit (bizneset apo personat që duan të reklamojnë) me publikuesit (pronarët e website-ve shqiptare).

Në vazhdim të sukseseve të jashtëzakonshme që ka korrur përgjatë viteve të operimit, kompania Gjirafa Inc ka hapur zyrat e saj edhe në Tiranë në vitin 2017.

Lexoni: Gjirafa.com lançon GjirafaLab, një inkubator startupesh rajonal

Sipas portalit online të teknologjisë Techcrunch në vitin 2016 startup-i shqiptar i kërkimit online Gjirafa.com ka marrë një investim prej $2 milionë për të vazhduar më tej zhvillimin e produktit të saj. Ky motor kërkimi është bashkëthemeluar nga Mërgim Cahani dhe synon që të bëhet lider në fushën e kërkimit, blerjeve dhe reklamimit online në rajon.

Gjithashtu Gjirafa ka fituar vendin e parë në garën para investitorëve në San Francisco (pitch competition) në vitin 2016. Gjithashtu Mërgim Cahani ka fituar ICT Inovacioni i Vitit në ICT AWARDS edicioni 3-të.

EasyPay

EasyPay operon me një platformë pagesash dhe transfertash nga celulari dhe online. Është dalluar në tregun shqiptar si një kompani inovatore dhe është nga të parët Institucion i Parasë Elektronike në Shqipëri. Themeluar në 2006, EasyPay ka një skuadër të re, entuziaste dhe shumë të pasionuar  për të ndryshuar mënyrën si bëhen pagesat në Shqipëri. Skuadra EasyPay është vlerësuar me çmimin Bleta e Artë 2014 në kategorinë Teknologjia e Informacionit dhënë nga Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë.

EasyPay u shërben jo vetëm konsumatorëve, por edhe kompanive private dhe shtetërore, të cilët e kanë kuptuar se dixhitalizimi i shërbimeve është e ardhmja, forcon komunikimin me konsumatorin dhe rrit besnikërinë ndaj tyre.

Lexoni: SI E NDËRTOVA EASYPAY!

Zgjidhja Easypay siguron që pagesat të bëhen online dhe nëpërmjet celularit në platformën Android, Apple dhe Windows, shpejt, pa rrezik dhe me siguri maksimale. Kjo do të thotë që në këtë botë dixhitale, ju keni akses në llogarinë tuaj 24/7, e gjeni EasyPay kudo, paguan çdo njeri dhe blini gjithçka në kohë reale, nga shtëpia apo nga zyra.

Linda Shomo, CEO e EasyPay ka fituar çmimin “Femra e vitit në ICT” (2015) në ICT Awards.

Përveç shërbimeve që EasyPay ofron, së fundmi ka shtuar në portofolin e shërbimeve të tij edhe pagesat për aktivitete të ndryshme që zhvillohen në Shqipëri dhe Kosovë. Rasti i parë ishte shitja e biletave të koncertit të Alban Skënderaj. Më pas vazhdoi me Turtle Fest, biletat e koncertit të Daddy Yankee dhe biletat për Sunny Hill Festival, biletat për koncertin e Dua Lipës në Kosovë. EasyPay ka ofruar pagesat online për Babagjyshi Sekret, biletat për koncertin e Divave dhe biletat për Colour Day Festival, festivali i parë i ngjyrave në Shqipëri.

Një nga sukseset e vitit të kaluar ishte çmimi i European Fintech Awards që u organizua në Shtator. EasyPay ishte e vetmja kompani shqiptare që merrte pjesë. Eventi kishte një formulë vlerësimi të ngjashme me atë të Eurovisionit, pra kompanitë nga vendet e huaja votonin për finalistët dhe më pas juria ishte ajo që kishte peshën më të madhe të vlerësimit. EasyPay ishte një nga tre fituesit në Financial Inclusion, sepse janë disa katregori në sektorin financiar që quhen FinTech, që kanë sjell risi dhe zgjidhje për sektorin financiar dhe janë nga më të ndryshmet si kreditë, pagesat, etj.

Lexoni: EasyPay po eksploron mënyra të reja për të revolucionarizuar pagesat elektronike dhe transfertat e parave në Shqipëri

EasyPay ka marrë pjesë edhe në konferencën Money20/20 Europe në Copenhagen, krahas kompanive më të mëdha ndërkombëtare si Google, AirBnB, Western Union, Silicon Valley Bank, Citi Ventures, PayKey, Skrill etj.

Dentem

Dentem, startup-i shqiptar i cili shërben si “urë komunikimi” midis pacientëve dhe dentistëve, tashmë është i suksesshëm, ka disa vite në treg dhe është duke përqafuar të gjitha teknologjitë më të reja, duke përmendur këtu inteligjencën artificiale apo machine learning. Dentem është startup-i i themeluar nga vëllezërit Saqe.

Dentem ka sjellë Dx Vision, një nga projektet më të mëdha kërkimore dhe zhvillimore të Dentem. Quhet me emrin e koduar “Dx Vision” dhe ajo që bën, është analizimi i rrezeve X për të përcaktuar të gjithë objektin (implantet, mbushjet, etj) në të.

Lexoni: Dentem – Startup-i shqiptar në rrugën e tij drejt suksesit në tregun global!

Dentem ka qenë pjesë e Station F në Paris, kampusi i vetëm i startup-eve që mbledh së bashku një ekosistem të tërë sipërmarrësish nën një çati, i mbështetur nga Xavier Niel. Lëvizja e tyre në Paris ishte një ndër tentativat si startup në rritje për të gjetur një ambjent të përshtatshëm për të vazhduar rritjen. Ishte një ekperiencë shumë e mirë dhe ka qenë edhe shtysë, për t’u zhvendosur më pas në Toronto, aty ku janë sot. Qëllimi i Dentem është zhvillimi i inovacionit të tyre dhe më pas futja edhe në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vlerësimi aktual i kompanisë është 3 milionë $ dhe synimi i tyre është ta dyfishojmë ose trefishojmë vlerën në vazhdim.

Dentem ka marrë një investim si dhe shumë trajnime për zhvillimin e biznesit, përmirësimin e aplikacionit dhe u njoh me një rrjet të gjerë njerëzish me influencë në ekosistem nga ABC-accelerator dhe ofroi në këmbim 8% aksione të kompanisë.

Lexoni: Dentem zhvendoset në Toronto. Startup-i shqiptar tani vlen 3 milionë $

Gjithashtu Dentem së bashku me EasyPay dhe 3 startup-e të tjera u përzgjodh nga programi UK-Albania Tech Hub për të shkuar në Londër në datat 22-26 Janar 2018, të cilat u prezantuan me mundësitë që ofron skena më e madhe e Europës.

Dyqan Taxi

“Dyqan Taxi”, subjekti më i madh i shitjeve online në Shqipëri, është kompania më e re që i shtohet Grupit Balfin, grupit më të madh dhe inovator të investimeve në Shqipëri dhe rajon. Ndërrimi i pronësisë së kësaj kompanie vjen në një kohë kur tendenca e blerjeve online është në rritje progresive në nivel global, ku padyshim nuk bën përjashtim as vendi ynë.

Lexoni: Amazon shqiptar bëhet pjesë e Walmart shqiptar

Kur u themelua Dyqan Taxi, shitjet online në Shqipëri ishin në nivele fillestare prandaj nevojitej një emër, i cili ishte shumë i thjeshtë për të kaluar mesazhin tek konsumatorët, por gjithashtu ngjallte një kurreshtje në momentin që dëgjohej për herë të parë.

“Dyqan Taxi” është i pranishëm në treg që prej nëntorit të vitit 2011. Aktualisht “Dyqan Taxi” ka të punësuar mbi 50 punonjës të cilët janë të gjithë të rinj me eksperiencë në këtë treg që kanë mundësuar suksesin e kompanisë ndër vite. Sot kjo kompani ka të regjistruar mbi 60.000 klientë në 5 portalet e saj kryesore, www.dyqantaxi.comwww.idedhuratash.alwww.bukinist.al , www.beba.al , www.sekret.al dhe dërgon mbi 150 porosi në ditë në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë vitit 2017 ky dyqan online hodhi një hap të rëndësishëm, por disi të çuditshëm për fokusin që ka. Hapi dyqan fizik në qytetin e Durrësit, një dyqan i cili në pamje të parë do të tregtojë produkte si gjithë të tjerët dhe me oferta të shpeshta, por për drejtuesit e kompanisë Nettrade Albania që menaxhon 8 portale shitjesh online ndër të cilat edhe Dyqan Taxi është krejt ndryshe dhe risi në Shqipëri.

Lexoni: TREGTIA ONLINE nuk ka rrugë tjetër veçse të rritet!

Softmogul

Ende pa i mbushur të 30-at, Albi Zhulali është një ndër sipërmarrësit e rinj më të suksesshëm shqiptar. Softmogul, kompania e tij që ka kapërcyer oqeanin, po ofron zgjidhje të dobishme për menaxhimin e hoteleve në Amerikë dhe tregje të tjera. Pak vite pune, Softmogul numëron rreth 30 të punësuar, me zyra në Shqipëri, Itali dhe SHBA. Fitues i Mobilitetit të edicionit të pestë ICT Awards.

Lexoni: Softmogul, një platformë jo vetëm për menaxhimin e hoteleve

Softmogul është aplikacioni i parë në treg, i cili të lejon menaxhimin e hotelit nga një tablet. Çdo gjë: duke filluar nga check-in dhe check-out, menaxhimin e klientëve, raporteve, proçesimin e pagesave e shumë funksione të tjera. Me anë të Softmogul, menaxhimi i hotelit ka një njohje më të mirë të klientëve me anë të raporteve të ndryshme që mund të gjenerojnë në faqe, të të ardhurave, taksave që duhet të paguajnë si dhe shumë raporte të tjera më të thella që do i hynin në punë kujtdo që ka ose menaxhon një hotel.

Softmogul është një kompani e regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky aplikacion përdoret në hotelin “Arizona” në San Francisco, hotele në Indonezi etj dhe planifikon që ta përhapë atë në të gjithë botën. Gjithashtu kjo platformë është ofruar falas për të gjitha hotelet në Shqipëri.

Së fundmi Anthony Melchiorri, një figurë me famë botërore në mikpritje i është bashkuar ekipit gjithnjë në rritje të Softmogul.

Lexoni: Albi Zhulali do të ofrojë platformën “Reception App” falas për të gjitha hotelet në Shqipëri

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0