*Shkrim nga Laidi Ferruni
Jemi në prag të 2016-ës. Çfarë mendoni se na pret këtë vit? Krizë, lekë, mungesë lekësh, zhvillim, mungesë zhvillimi? Secili duket se ka teorinë e vet për këtë çështje, por idetë nuk kanë fund…
Në këtë artikull dua të ndaj me ju disa parashikime personale për vitin 2016, bazuar në tendencat dhe eventet që kam vështruar gjatë 2015.
Pyetja kryesore, janë parashikime pozitive apo negative? Ajo çfarë kam vënë re, jo vetem tek të tjerët por edhe tek vetja në momente të caktuara është se, sa e thjeshtë është që të fokusohesh në aspektet negative të zhvillimit.
Mediat, lajmet dhe njoftimet e shumta që marrim nëpër Facebook, janë më se mjaftueshëm për të na bërë të besojmë se sa keq do shkojnë gjërat, por pikërisht për këtë arsye, është e domosdoshme për të gjithë ne që të mbajmë një mendje pozitive dhe optimiste. Pa humbur kohë, ja disa parashikime pozitive për 2016 dhe si mund t’i shfrytëzoni për të mirën tuaj:
1. Rritja e formalitetit dhe efekti i saj
Po e nis me këtë duke qenë se ka qenë një aksion që na ka afektuar të gjithëve kohët e fundit. Aksioni i qeverisë për të “ndëshkuar” bizneset e vogla me gjoba nëse nuk respektojnë rregullat, duke filluar nga i famshmi “lëshim i kuponit tatimor”, ka qenë shumë agresiv dhe shumë biznese të vogla kanë vuajtur nga këto aksione, por a ka një të mirë e gjithë kjo rrëmujë?
Edhe pse ka qenë e vështirë, dhe momentalisht e dhimbshme për shumë biznese t’u nënshtrohen gjobave, rregullave të forcuara dhe zakoneve të reja për të bërë biznes, duke filluar nga fakti që duhet t’i marrësh një faturë tatimore çdo shitësi me të cilin ke partneritet (ndryshe malli që ke blerë nuk vlen), kur ujërat të qetësohen, i gjithë ky aksion do fillojë të japë efektet e saj pozitive…
Rregull, disiplinë dhe rritje të njohurive financiare (që kanë qenë shumë problem për shumë biznesmenë të vegjël). Sigurisht nuk dua të debatoj për mënyrën e përdorimit të fondeve që mblidhen nga qeveria, pasi kjo është temë tjetër, por rregulli në vetvete do krijojë shumë efekte pozitive, duke filluar nga zhvillimi i fuqishëm i bizneseve inovative të cilat ushqehen nga formaliteti.
Shumica e ideve më inovative botërore, janë shndërruar në superfuqi ekonomike për arsye se mbështeten mbi një infrastrukturë formale dhe të blinduar me rregulla, pa të cilën nuk do kishin mundësinë të vepronin siç duhet.
Një nga impaktet kryesore që do krijohet nga formalizimi i mëtejshëm i ekonomisë është tërheqja e investitorëve të huaj drejt sektorit privat (bizneseve dhe individëve si unë dhe ti)…
Si ta shfrytëzoni këtë ndryshim: Filloni mendoni përtej momentit. Mendoni për të gjithë idetë e biznesit të cilat mund të ushqehen vetëm nga një ekonomi formale dhe të rregullt (unë personalisht kam menduar një numër të madh rastesh të tilla).
2. Zhvillimi i komunitetit të Startupeve
2015 ka qenë një vit monumental për industrinë e teknologjisë, internetit dhe bizneseve të reja në këtë fushë. Me dhjetëra organizata të reja kanë hyrë në treg për të ndihmuar dhe asistuar bizneset e reja (startupet) në këtë fushë. Startup Grind, Startups.al, Garazhi, Startup Weekend, Startup Live Tirana, Startup Albania e me rradhë…
Jo vetëm kaq, shumë vende bashkëpunimi (co-working spaces), ku mund te marrësh zyrë me qera për më pak se 100 Euro në muaj, iniciativa qeveritare dhe jo-qeveritare të zhvilluara për të shpërblyer bizneset e reja, investitorë potencialë që kanë shfaqur interes për vendin, seminare javore dhe një zhvillim radikal i komunitetit të startupeve dhe frymës së bashkëpunimt midis aktorëve të shumtë në këtë fushë…
Të gjitha këto zhvillime kanë ndodhur vetëm në 2015.
2016 ka të gjitha gjasat për të qenë viti i një revolucioni të vërtetë nga ana dixhitale dhe e biznesit. Fonde të reja investimi, qeveritare dhe private, dhjetëra biznese të reja me potencial lokal dhe botëror, vende të reja pune të krijuara dhe më shumë…
Si të përfitoni nga ky trend: Këshilla kryesore që ju jap, ndiqni sa më shumë seminare, organizime dhe aktivitete të fushës… Shumica janë pa lekë ose pothuajse falas. Mos humbisni asnjë prej tyre, takoni sa më shumë njerëz dhe filloni të zhvilloni njohuritë tuaja në këtë sektor. Ju garantoj që kushdo qoftë sfondi juaj në karrierë, ka një mënyrë për ta lidhur me atë çka po ndodh në fushën e internetit dhe startupeve.
3. Shqipëria përtej kufijve
Hapja e kufijve dixhitalë dhe formalizimi i ekonomisë kanë impakt edhe të mëtejshëm, i cili do të shfrytëzohet efektivisht nga ato që i shohin këto evente me optimizëm.
Shumë shpejt, do fillojmë të shohim biznese të bazuara në Shqipëri, të cilat tregtojnë përtej kufijve dhe online. Ide inovative biznesi të cilat targetojnë tregje të zhvilluara si Europa, Amerika etj.
Zhvillimi i brendshëm është vetëm një gjë, këto biznese me impakt të madh do kenë aftësinë dhe mundësinë për të krijuar mijëra vende pune në vend dhe ndikuar në rritjen e mëtejshme të ekonomisë.
Gjithashtu do shohim shumë individë (jo biznese), të cilët ofrojnë ekspertizën apo shërbimet e tyre për kompani të huaja nëpër botë, duke shfrytëzuar infrastrukturën dhe lehtësitë e krijuara nga bota dixhitale (nuk po flas për call centers).
Pothuajse çdo profesion i mundshëm ka aplikime ndërkombëtare dhe mund t’i shërbejë dikujt jashtë kufijve.
Si të përfitoni: Nëse doni të hapni biznes, filloni dhe studioni tregjet ndërkombëtare, shihni çfarë mungon në këto tregje dhe përpiquni të krijoni një zgjidhje duke shfrytëzuar mundësitë e ofruara në Shqipëri, duke filluar nga kosto e ulët e jetesës dhe punësimit. Nëse jeni një individ dhe doni të shfrytëzoni aftesitë tuaja, filloni duke parë faqe si freelancer.com, odesk.com etj. të cilat ju mundësojnë të kontraktoni punën tuaj për njerëz të ndryshëm nëpër botë të cilët kanë nevojë për ndihmën tuaj. Mësoni një gjuhë të huaj nëse nuk zotëroni një.
4. Përhapja e trendit të investitorëve
Shkurtimisht e përmendur dhe më sipër, kjo pikë meriton dedikimin e vet. Deri më sot, për individë si mua dhe ti, ka qenë pothuajse e pamundur për të ngritur investime në Shqipëri, për të zhvilluar një ide të re.
Për të ngritur një investim në ditët e sotme në Shqipëri, duhet të kesh njohje shumë të fuqishme dhe miqësi me njerëz të pasur ose kontakte me njerëz të fuqishëm në qeveri.
Akoma sot (fatkeqësisht), duhet të korruptosh njerëz në pozicione kyçe për të fituar tendera, etj… Por kjo do ndryshojë dhe ka filluar të ndryshojë.
Duke parë zhvillimin e startupeve dhe shumë tendenca të tjera, mendoj që 2016 do jetë viti, i cili do t’i hapë rrugë investitorëve të huaj, atyre institucionalë dhe privatë.
Pothuajse në çdo vend të zhvilluar të botës ka fonde specifike të grumbulluara nga grupime investitorësh (Venture Funds), ashtu si dhe investitorë privatë, të cilët janë të gatshëm të investojnë shuma nga më të voglat (duke filluar nga 10 dhe 20,000 Euro) deri në shifra të mëdha me miliona Euro.
Karakteri i investimeve në Shqipëri në këtë moment është shumë personal, që do të thotë nëse dikush të jep 10,000 Euro apo 100,000 Euro për të investuar në biznesin tënd, përgjegjësia që ke ndaj këtij investimi është shumë e madhe dhe në rast se biznesi nuk ecën mirë, shumicën e rasteve ka komplikime të mëdha midis investitorit dhe sipërmarrësit (jo gjithmonë sigurisht).
Ardhja e investitorëve profesionalë në Shqipëri do të thotë që një biznes apo individ mund të marrë investime pa vënë kolateral jetën e vet për ta bërë këtë gjë. Fondet e investimit (Venture Funds) e marrin parasysh rastin e dështimit për çdo biznes, ndërkohë që shpresojnë se 1 në 10 investime që ata bëjnë të shkojë aq mirë sa të kompensojë për të gjithë dështimet.
Këto institucione investimi, krijojnë një frymë të shëndetshme tek sipërmarrjet e reja apo sipërmarrësit e rinj, qofshin ato ide të cilat kanë nevojë vetëm për një person për t’i menaxhuar.
Si të përfitoni: Të bindësh një investitor profesional të të japë para nuk është e thjeshtë, por nëse biznes modeli është i qartë, ideja ka potencial dhe është inovative për vendin apo jashtë vendit, skuadra është e fortë etj… Mundësitë janë të pafundme. Filloni duke edukuar veten për aspekte bazike të tipit, si të krijosh një biznes plan, si të rekrutosh skuadrën e duhur, si të bësh një parashikim financiar dhe të tjera… Mos haroni të krijoni sa më shumë eksperiencë, ndonjëherë është më mirë të mos paguhesh, por të krijosh eksperiencë.
5. Zhvillimi i Edukimit
Ky mund të jetë realitet i vështirë peë t’u pranuar nga shumë vetë, por edukimi tradicional nuk është më i mjaftueshëm.
Në fakt, sidomos në Shqipëri, realiteti aktual i edukimit ka impakt të frikshëm te njerëzit. Çdo vit, me mijëra të rinj diplomohen nga universitetet Shqiptare pa pikën e idesë se çfarë rruge do zgjedhin për jetën e tyre apo se si do t’i aplikojnë ndonjëherë njohuritë që kanë marrë gjatë viteve të shpenzuara në shkollë (nëse janë të aplikueshme).
Niveli i edukimit është jashtëzakonisht i ulët dhe i prapambetur në shumicat e institucioneve të edukimit, gjë që krijon impakt shume negative në shoqëri, por dhe kjo do fillojë të ndryshojë.
Sot më shumë se kurrë vlerësohet edukimi praktik dhe aftësitë praktike.
Duke filluar nga 17 vjeç kam punuar me qindra partnere në biznes. Sot jam 26 dhe asnjë prej tyre nuk më ka pyetur se çfare kam mbaruar.
Ata prej jush që më njohin personalisht e dinë që kam shkuar në shumë shkolla, por nuk kam mbaruar asnjërën prej tyre.
Shkolla së cilës i kam besuar më shume se çdo gjë tjetër ka qenë edukimi i pavarur dhe serioz (siç permend shpesh babai im) dhe fatmirësisht sot jetojmë në botën e teknologjisë…
Jetojmë në një botë ku informacioni është i ofruar kudo dhe për këdo. Në pak sekonda mund të kemi akses te mendjet më të ndritura të botës.
Jo vetëm kaq por tashmë, falë zhvillimit të internetit, mund të kemi akses te dhjetëra mijëra kurse të ofruara drejtëpërdrejtë nga shkollat më prestigjioze në botë, Harvard, Duke, Princeton, Yale e me rradhë… FALAS. E vetmja gjë që duhet të bëni është të vizitoni faqe si coursera.com ku mund të ndiqni të gjitha klasat që dëshironi dhe në fund të aplikoni dhe për çertifikatë.
Edukimi në vitin 2016 nuk do jetë më i limituar nga institucionet dhe dijet e prapambetura. Zhvillimi i edukimit do jetë një realitet i paevitueshëm edhe për Shqipërinë me popullarizimin e iniciativave të ngjashme.
Mbi të gjitha do jetë falas dhe i hapur për këdo.
Si të përfitoni: Keni një fushë ku doni të aftësoheni? Ndiqni faqe si coursera.com, edx.org etj. (më shumë këtu: https://goo.gl/N2RhhE) për të zhvilluar veten tuaj në atë fushë pa shpenzuar asgjë. Ju mungon një gjuhë e huaj, mësoni nëpërmjet faqeve si duolingo.com (sërish, totalisht falas).
—-
Të sipërpërmendurat dhe shumë tendenca të tjera pozitive do krijojnë një impakt të madh në tregun Shqiptar dhe tek njerëzit që jetojnë në këtë vend për të mirë.
Konkluzioni kryesor që mendoj se duhet nxjerrë nga ky artikull është se duhet të fokusohemi tek aspektet pozitive të zhvillimit dhe të pyesim veten, si mund ta shfrytëzojmë atë për të përmirësuar pak nga pak jetët tona dhe të njerëzve që na rrethojnë çdo ditë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.