Eventet që zhvillohen në Shqipëri për të nxitur zhvillimin e sipërmarrjeve të reja - Business Magazine Albania

Eventet që zhvillohen në Shqipëri për të nxitur zhvillimin e sipërmarrjeve të reja


BusinessMag në këtë artikull ju njeh me eventet që organizohen në Shqipëri, të cilat nxisin dhe mbështesin në mënyra të ndryshme krijimin dhe zhvillimin e sipërmarrjeve të reja nga të rinjtë.

Alb. Business Generation

ABG është një organizatë e nisur nga 4 studentë në Mars të vitit 2016 për të fuqizuar sipërmarrjen tek të rinjtë shqiptarë. ABG nisi kampin e parë të sipërmarrjes në Shqipëri për gjimnazistë që të sillnin në jetë idetë e tyre në kompani ose biznese të suksesshme. Kohëzgjatja e këtij kursi është 8 ditë. Aplikantët e përzgjedhur do krijojnë skuadrat e tyre në bazë të roleve të një nisme sipërmarrjeje dhe interesave të përbashkëta. Secila skuadër do të përftojë trajtimin e duhur për nisjen e një sipërmarrjeje. Ata synojnë të punojnë me studentë nga mosha 15-21 vjeç në fusha të ndryshme që lidhen me sipërmarrjen duke punuar në një ide të vërtetë biznesi. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve janë nga shkollat e mesme dhe mësojnë konceptet themelore për sipërmarrjen dhe modelet e biznesit. Ata prezantojnë biznesin e tyre në fund të programit dhe zgjedhin fituesit.

AIESEC

AIESEC është organizata më e madhe rinore në botë, e cila synon të arrijë paqe dhe zhvillim të potencialit njerëzor duke nxitur aftësitë e lidershipit te të rinjtë, përmes eksperiencave praktike në mjedise sfiduese. E pranishme në mbi 126 shtete, ajo mundëson një rrjet shkëmbimi kulturor në formën e eksperiencave vullnetare dhe internshipeve profesionale. AIESEC u shtri në Shqipëri pesë vite më parë dhe gjatë kësaj kohe ka punuar për të zhvilluar shoqërinë dhe ndikuar në rininë shqiptare përmes programeve dhe eventeve të ndryshme.

Akademia Verore e SME-ve

Ky program u ofron sipërmarrësve informacione të domosdoshme për të patur sukses në tregjet ndërkombëtare. Programi fokusohet në praktikat ndërkombëtare të bërjes së biznesit, në procedurat dhe dokumentacionin e eksportit, tregtinë ndërkombëtare, barrierat tregtare dhe ndërkombëtarizimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME).

Albanian Skills Competition

Është konkursi i parë shqiptar që mbështet promovimin dhe zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional.

Albanian Skills është një iniciativë private. Ana dhe Stefan, dy profesionistë në fushën e arsimit dhe formimit profesional, të frymëzuar nga konkurset ndërkombëtare të aftësive profesionale për të rinj nëpër botë dhe Zvicër, si edhe nga nevoja e madhe e nxitjes dhe promovimit të aftësive profesionale të të rinjve shqiptarë dhe për më tepër të talenteve të reja në fusha të ndryshme, vendosën të themelojnë të parat konkurse profesionale për të rinj në Shqipëri. Nëpërmjet sloganit “We promote skills”, aspirohet zbullimi i të rinjve të talentuar në profesione të ndryshme dhe u mundësohet atyre avancimi i mëtejshëm në karriera profesionale.

Albanian ICT Awards

Albanian Information Technology Awards Albania është një aktivitet mbarëkombëtar vjetor, i cili ndan çmime për sipërmarrjet e suksesshme të cilat për një periudhë një vjeçare kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e inovacionit në Shqipëri, në aspekte të ndryshme. Është një aktivitet që mbledh së bashku në një natë gala të gjithë aktorët në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri. Aktiviteti organizohet nga ICTSmedia, kompani në fushën e reklamimit dhe medias e cila operon në Shqipëri dhe Kosovë. Aktiviteti u jep të gjithëve mundësinë të aplikojnë për t’u vlerësuar me çmime dhe është një juri profesioniste që ndan çmime për ICT Inovacioni i Vitit, ICT Awards Ylli në ngjitje i Vitit, ect. ICT Awards u mbajt për herë të parë në vitin 2012 në Tiranë.

AllWeb

Konferenca e parë dedikuar marketingut dixhital u mbajt për herë të parë në Shqipëri në Tetor të vitit 2016. Kjo Konferencë është e organizuar në një ditë dhe mbledh brenda saj folës të njohur ndërkombëtarisht, nga bota dhe rajoni. Formati i konferencës përbëhet nga prezantime dinamike, ritëm i shpejtë, larmi tematikash dhe panele në të cilat trajtohen e tashmja dhe e ardhmja e komunikimeve dixhitale dhe zgjidhjeve inovative.

Konferenca e marketingut dixhital AllWeb organizohet nga New Media Communication në bashkëpunim me NewMediaMK  nën drejtimin e Gerti Boshnjakut dhe Slavica Biljarska.

BetaPitch Tirana

BetaPitch Tirana, me fokus startup-et në fushën e teknologjisë. Instituti Adriapol dhe Universiteti Marin Barleti në bashkëpunim me BetaHouse në Berlin, ishin ata të cilët bënë të mundur organizimin e këtij aktiviteti në Tiranë për të katërtin vit. Idetë pjesëmarrëse ishin jo pak të njohura për publikun, pasi shpesh janë pjesë të startup-ve të ndryshme që mbahen në Tiranë. Këtë vit fituese u shpall ideja “Like Sad E-bike”, për dhënien me qera të biçikletave elektrike. Krijuesi i këtij startup, Sadi Lika do të përfaqësojë Shqipërinë në konkursin e madh BETA Pitch që do të mbahet në Berlin.

Creative Business Cup 

Creative Business Cup është një kompeticion që fuqizon sipërmarrësit në industritë kreative. I lidh ato me investitorët dhe tregjet globale dhe rrit aftësitë e tyre inovative në përfitim të industrisë dhe shoqërisë. Çdo vit, partnerët ndërkombëtarë në të gjithë botën zhvillojnë kompeticionin që nxjerr në pah idetë dhe startup-et më kreative. Organizuar nga Universiteti Marin Barleti dhe Ofiçina, këtë vit u përzgjodhën 26 startup-e nga 85 aplikime, për të vazhduar më tej garën. Shumë prej tyre ishin biznese që kanë klientë dhe operojnë prej disa vitesh në tregun vendas. Juria e përfaqësuar nga Jetona Myteveli Koordinatore Kombëtare në projektin IDEA, Steven Kelly i vetmi investitor ëngjëll në Shqipëri, Flutura Veiti drejtuese e një kompanie konsulence, Sokol Vladi drejtor i Microsoft, ofruan mbështetje në mentorim apo facilitete të tjera të nevojshme për zhvillimin e projekteve që nuk u vlerësuan me çmim.

Dita e Sipërmarrjes

“Dita e Sipërmarrjes” për Universitetin Europian të Tiranës tashmë është kthyer në një traditë. Ky aktivitet organizohet çdo 20 Nëntor, i cili në thelbin e tij synon që të festoj dhe të ndajë disa nga eksperiencat më të mira në fushën e sipërmarrjes, të atyre individëve që me shumë përpjekje dhe kurajo kanë marrë riskun e zgjuar të ndërtimit të një biznesi, punësimit të njerëzve, të sjelljes së inovacionit në jetën tonë si dhe pasurimin e tyre.

UET ka një qasje proaktive ndaj edukimit sipërmarrës, e kjo reflektohet në punën e përditshme me studentët e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit e Zhvillimit, por dhe në përqasjen e zgjedhur për të punuar me idetë e biznesit, projektet, konkurset e ideve me të mira, projektet me industrinë, vizitat në ambjentet e biznesve, praninë në auditore të sipërmarrësve.

Erasmus për Sipërmarrësit e Rinj EYE

Programi “Erasmus për Sipërmarrësit e Rinj” ofron mundësi reale për sipërmarrës të rinj shqiptarë për të punuar përkrah sipërmarrësve me eksperiencë në vendet e BE dhe zhvilluar më tej aftësitë profesionale në biznes. Ofrohet një mundësi qëndrimi në të gjitha vendet e BE-së, por dhe ku ARZH ka partnerët mbështetës në projekt. Kompanitë shqiptare gjithashtu, në sajë të këtij programi mund të mirëpresin sipërmarrës të rinj nga vende të BE-së për të ndarë eksperiencën e tyre në Shqipëri. Falë punës së shkëlqyer të sipërmarrësit të huaj dhe të ngritjes së rrjetit të ri të bashkëpunimeve, kompanitë pritëse mund të zgjerojnë aktivitetet dhe tregjet e tyre në vende të BE-së.

Hap!de

“Hapide Combinator” është një program inkubimi dhe akselerimi për startup-et me impakt social, i përshtatur me fazat e ndryshme të zhvillimit të biznesit. Një “produkt” i Yunus Social Business Balkans, ndryshe i quajtur “fabrikë”. Kjo pasi mendohet të marrë përmasa më të mëdha, por prodhimi do të vazhdojë të jetë cilësor.

IDEA

Projekti zhvillohet kuadër të bashkëpunimit të bashkëpunimit gjermano-shqiptar dhe me mbështetjen e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETTS) dhe Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). IDEA aplikon një prej metodave më të mira në botë për trajnimin e sipërmarrjes. Përmes metodës CEFE, të rinjtë sipërmarrës pëhen pjesë e situatave reale të biznesit, ccka i bën ata të jenë të përgatirur e të dinë të reagojnë më mirë, kur kjo situatë u ndodh në biznes. Medodologjia CEFE kombinon trajnimin, këshillimin dhe mentorimin.

Infocom

Infocom Albania është kthyer tashmë në kongresin më të madh për TIK dhe Sigurinë Kiberenetike.
Zyrtarët qeveritarë, komunitetet e biznesit, zyrtarët e TIK & Media, CEO, CIO dhe Drejtorët e IT, Menaxherët e Operacioneve, Qendrat e të Dhënave dhe Ekspertët e Cloud, Inxhinierët e Rrjetit, Strategjistët e IT, prodhuesit dhe furnizuesit e teknologjisë dhe elektronikës të konsumit, diskutojnë teknologjitë, problematikat, sfidat dhe zgjidhjet aty ku Transformimin Dixhital i biznesit përbën një shqetësim.

Inno-Tech Camp Tirana

Inno-Tech Camp Tirana është një aktivitet tre ditor i hartuar për t’u ardhur në ndihmë të gjithë startup-eve (kompanive të reja) në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, të krijuara nga të rinjtë e moshës 18-25 vjeç, nëpërmjet lidhjes me disa nga trajnerët dhe mentorët më të mirë të fushës brenda dhe jashtë vendit, për një biznes më të mirë dhe të suksesshëm.

Innovation Nest Festival

INN Fest është rrjeti i parë i engjëjve të biznesit në Shqipëri, i cili mbështet, investon dhe ndihmon në zhvillimin e sipërmarrjeve, industrive dhe teknologjive në të gjithë Gadishullin Ballkanik. Qëllimi i vetëm i INN Fest është fuqizimi i inovacionit, konkurueshmërisë, strukturimit dhe rritjes së të gjithë aktorëve të tregut, të cilët duan të sjellin ndryshimin.

Java Globale e sipërmarrjes

Gjatë kësaj jave planifikohen një sërë aktivitetesh lidhur me sipërmarrjen, startup-et, organizohen konkurse dhe takime të ndryshme.

Java e inovacionit

Gjatë kësaj jave, mes shumë eventesh, Innovation Hub organizoi një Panair me 32 sipërmarrje të reja shqiptare. Ata gjithashtu dhanë edhe çmimin e parë të Startup Live Tirana – rreth 3500 €.

Konferenca “WOMEN IN TECH”

Konferenca ka në fokus gra dhe vajza, të cilat studiojnë dhe kanë ndërtuar karrierën e tyre në fushën e TIK dhe më specifikisht, në fushën e Sigurisë Kibernetike. Qëllimi i eventit është motivimi dhe këshillimi i pjesëmarrësve për zhvillimet në fushën e teknologjisë së informacionit, në veçanti studentët dhe profesionistët e rinj. Për të treguar rëndësinë e sigurisë kibernetike, ekspertë të fushës do të realizojnë demonstrime live, duke treguar rreziqet e incidenteve të sigurisë dhe mënyrat e mbrojtjes ndaj tyre.

Konkursi “Ide të Gjelbërta”

Konkursi “Ide të Gjelbërta” synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për ide biznesi të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale. 

Leader for a day

“Leader for a day” është një event një ditor dedikuar udhëheqësve të ardhshëm. Ai shërben si një mundësi e mirë për të lidhur ngushtë studentët e rinj JA me liderë të vërtetë në sektorin publik dhe privat. 40-45 nxënës nga shkollat ​​e mesme JA në Shqipëri do të kenë mundësinë e rrallë dhe unike për të qenë një udhëheqës biznesi i vërtetë në këtë ditë dhe për të kuptuar se çfarë do të thotë të udhëheqin, menaxhojnë, drejtojnë dhe marrin vendime me përgjegjësi. Nxënësit e JA do të kalojnë një ditë të tërë pranë udhëheqësve të shquar dhe do ta ndjekin procesin e punës nga afër, duke mësuar disa nga kompleksitetet që vijnë me këtë rol plot angazhim.

LEAPin Tirana

LEAP qëndron për Learn (Mëso), Engage (Angazhohu), Act (Vepro), Progress (Përparo) dhe synon të sjellë së bashku në një samit të gjatë disa folës motivues, të cilët do të ndajnë eksperiencat e tyre dhe do të motivojnë të rinjtë për të arritur qëllimet e tyre. Një pjesë e rëndësishme e konferencës do të jetë modeli që do t’i përcillet pjesëmarrësve në lidhje me përfshirjen qytetare dhe se si të qenit pjesë e komunitetit do të përmirësojë të ardhmen e tyre dhe do të sjellë progres në gjeneratat e ardhshme.

OSCAL

Konferenca e parë vjetore ndërkombëtare në Shqipëri, Open Source Conference Albania, dedikuar teknologjisë me burim të hapur (free open source), programeve të aksesueshme nga të gjithë, domain-it publik, etj. Edicioni i dytë i saj u organizua në datat 13-14 Maj 2017 dhe mblodhi së bashku më shumë se 100 persona.

Partners Albania

Ata organizojnë aktivitete të ndryshme në lidhje me rininë, punësimin dhe sipërmarrjen. Për dy vite me radhë, ata kanë organizuar një konkurs të quajtur “Green Ideas” për bizneset ekologjike. Ata japin më shumë se 5000 € në para dhe mbështesin për 1 vit fituesit.

Rruga drejt suksesit

“Rruga drejt suksesit” është një program i përvitshëm trajnimi edicioni i parë i të cilës u zhvillua në vitin 2016, si pjesë e përgjegjësisë sociale dhe kontributit për komunitetin të Agna Group dhe institucionit të saj të brendshëm edukues Agna Leadership Academy.

“Sfida Elevator Lab”

Elevator Lab është akseleratori i të gjithë grupit Raiffeisen Bank International (RBI), i prezantuar fillimisht në Qershor 2017. Me një potencial shtrirjeje në 14 tregje te ndryshme, Elevator Lab është tanimë akseleratori fintech më i madh në Europën Qendrore dhe Lindore. Grupi RBI synon të vendosë në fokus në mënyrë të veçantë ekosistemin e inovacionit dhe fintekëve në Europën Qendrore e Lindore. Prandaj, Raiffeisen Bank Shqipëri po prezanton një sfidë ekskluzive të Elevator Lab për tregun shqiptar.

StartUp City

Start Up City është kompeticioni i cili synon të ndihmojë të rinjtë inovativë dhe me shpirt sipërmarrës të realizojnë idetë e tyre të biznesit. Ky kompeticion do t’ju vijë në ndihmë jo vetëm kompanive të cilat duan të zhvillojnë strukturat e tyre, por edhe gjithsecilit prej nesh duke na lehtësuar dhe përmirësuar përditshmërinë tonë.

Startup Grind

Event që organizohet çdo muaj nën drejtimin e Aneida Bajraktari, i cili përfshin rrjetëzimin dhe Fireside Chat me një sipërmarrës të suksesshëm.

Startup Grind është një komunitet global i startup-eve i krijuar me qëllimin për të edukuar, frymëzuar dhe ndërlidhur sipërmarrësit nga e gjithë bota me njëri-tjetrin. Evenimenti organizohet në më shumë se 250 qytete dhe 105 vende në të gjithë botën ku marrin pjesë themeluesë lokalë, inovatorë, investitorë të suksesshëm, të cilët ndajnë historitë e nisjes së biznesit dhe mësimet e mësuara në rrugën e ndërtimit të kompanive të suksesshme. Startup Grind mbështetet në nivel global nga Google for Entrepreneurs. BusinessMag është media partner i këtij organizimi.

Startup Live

Në Startup Live emri tregon gjithçka. Në një atmosferë inspiruese, pjesmarrësit zhyten në botën e sipërmarrjes për tre ditë. Ata punojnë deri në orët e vona, krijojnë lidhje me përfaqësues të rëndësishëm të bizneseve dhe provojnë vetveten përpara investitorëve potencialë. Grupet gjejnë gjithçka u nevojitet në një vend. Për më tepër, një tipar dallues i këtij eventi ndryshe nga formatet e ngjashme të këtij lloji, është se jo çdokush duhet të vijë domosdoshmërisht me një ide biznesi. Edhe pa pasur një të tillë, mund të marrësh pjesë, t’i bashkohesh një grupi duke e suportuar dhe marrë informacione të reja në lidhje me sipërmarrjen dhe botën e biznesit. Në përfundim: Ditën e fundit, grupet përfitojnë mundësinë për të prezantuar projektin e tyre përpara jurisë prestigjoze, e cila përbëhet nga sipërmarrës dhe investitorë të suksesshëm.

Startup Weekend

Event gjatë të cilit grupet e zhvilluesve, menaxherët e biznesit, entuziastët e startupeve, gurutë e marketingut, artistët grafikë dhe ide të tjera inovative për startupe të reja formojnë ekipe rreth këtyre ideve dhe punojnë për të zhvilluar një prototip pune ose demo.

Startup Weekend si kohëzgjatje shtrihet gjatë një fundjave (përreth 54 orë) dhe përbëhet përgjithësisht nga 60-120 pjesëmarrës. Përveç pjesëmarrësve (qё njihen ndryshe edhe si “Luftëtarët e Fundjavës”), eventi tërheq spikera, trajnerë, pjesëtarë të panelit që përgjithësisht janë pjesëtarë të spikatur të komunitetit të startupeve ose të njohur në fushën e teknologjisë dhe sponsorë të ndryshëm dhe përfaqësues të kompanive.

SuperGeneration

Ide në fushën e teknologjisë, ide biznesi me karakter social dhe të rinj nga i gjithë vendi është panorama e kompeticionit të SuperGeneration që po zhvillohet nga Albtelecom. SuperGeneration u drejtohet të gjithë të rinjve që janë të frymëzuar nga teknologjia, kanë shpirt sipërmarrës dhe do të jenë nesër novatorët që do të çojnë përpara shoqërinë tonë.

UK – Albania Tech Hub

UK-Albania Tech Hub synon të lehtësojë partneritetet dypalëshe të teknologjisë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Mbretërisë së Bashkuar. Sipërmarrës në fushën e teknologjisë dhe me ide inovative biznesi mund të përfitojnë për të çuar nismat e tyre në një stad më lart.

E vetme në llojin e saj, UK-Albania Tech Hub është një program rajonal i Ballkanit Perëndimor që mbështet bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e teknologjisë. Pas projektit të suksesshëm me startup-e shqiptare, programi këtë vit do të zgjerohet për të përfshirë dhe pranuar aplikime nga startup-et e vendosura në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Uplift Albania

I themeluar për të mbështetur ekosistemin e startup-eve në Shqipëri, Kosovë dhe Rajon, akseleratori inovativ Uplift Albania, përzgjodhi në fillim të nëntorit startup-et fituese, të cilat do të ndjekin programin 6-javor të akselerimit me mundësinë për të rritur biznesin e tyre edhe ndërkombëtarisht. Selection Bootcamp ishte takimi i parë zyrtar mes startup-eve konkurrente, mentorëve, investitorëve, ekspertëve të teknologjisë dhe bizneseve vendase, rajonale dhe botërore. Startupet që janë pjesë e Uplift Albania, janë bërë pjesë e një programi akselerimi me 50+ ekspertë të industrisë, sipërmarrës të suksesshëm në Europë dhe investitorë ballkanikë.

/BusinessMag

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0