Kompanitë dhe tregu i punës në Shqipëri po vuajnë pasojat e një emigracioni të theksuar dhe të vazhdueshëm në kohë. Por, lëvizjet, të hershme apo të reja kanë bërë që shumë shqiptarë të spikasin dhe të na bëjnë krenarë me punën e tyre. Një nga qëllimet e Businessmag.al është identifikimi dhe promovimi i këtyre qytetarëve të botës.
Ditët e fundit ka pasur reagime të shumta për performacën e këngës, me të cilën Shqipëria u përfaqësua në Eurovizion. Duke vleresuar se çdo përpjekje për të përfaqësuar Shqipërinë është për t’u mirëpritur, por mbi të gjitha bazuar në kritikat e shumta që ne si shoqëri japim për individët, ju sjellim 50 shqiptarë të suksesshëm në Botë e në vend me të cilët mund të krenohemi.
Personat e përzgjedhur janë ata që kemi identifikuar, kontaktuar dhe intervistuar vitet e fundit. Rrjedhimisht kjo listë bazohet vetëm në të dhënat e Businessmag.al dhe nuk përbën një listim bazuar në të dhënat zyrtare, apo studime kombëtare. Renditja e tyre është rastësore dhe nuk tregon vlerësim rendor. Vlerësimet mbi të cilat jemi bazuar kanë të përbashkët: shpirtin sipërmarrës, punën konsistente, pasionin dhe profesionalizmin për tejkalimin e sfidave me veten dhe shoqërinë.
Jemi të bindur që shqiptarët që po shkëlqejnë janë shumë më tepër dhe ne do të vijojmë të identifikojmë dhe të sjellim sa më shumë prej tyre në vijim.
1. Ismail Kadare
Ismail Kadare është romancier, poet, eseist, skenarist dhe dramaturg shqiptar. Kadare u fokusua në poezi deri në publikimin e romanit të tij të parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i cili e bëri atë të famshëm ndërkombëtarisht. Kadare konsiderohet si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj të shekujve 20 dhe 21, dhe si një zë universal kundër totalitarizmit. Ai është bashkëshorti i autores Helena Kadare dhe babai i ambasadores së Kombeve të Bashkuara dhe nënkryetares së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Besiana Kadare.
2. Rudina Seseri. Inteligjenca artificiale po na riformulon njohuritë. Çfarë na pret në të ardhmen? Kjo është ajo që Rudina Seseri po mundohet ta zbulojë.
Ajo themeloi kompaninë Glasswing Ventures në vitin 2016, një kompani e cila po ndihmon në ndërtimin e gjeneratës së ardhshme të inteligjencës artificiale. Kompania e saj me vendndodhje në Boston, në vitin 2018 lançoi fondin prej 112 milionë dollarësh dhe investoi në 19 biznese.
Lexo: Sipërmarrësja shqiptare Rudina Seseri në listën e 100 grave më të fuqishme në botë
3. Duke folur për Dua Lipën, media greke shkruan se në kohën e pandemisë ajo arriti suksese të mëdha me albumin “Future Nostaglia” dhe tani është në një nivel muzikor me Taylor Swift dhe Billie Elish.
“Emri i saj në shqip do të thotë “Dashuri” dhe ajo ka lindur në Angli. Babai i saj Dukagjin dhe nëna Anjeza janë nga Kosova. Pas lindjes së saj, prindërit u kthyen në Kosovë me vajzën e tyre dhe Dua shkoi sërish në Londër në moshën 15-vjeçare, ku vuri themelet për të pushtuar majat që ka arritur sot”, shkruan Reader.gr.
Dua Lipa, artistja shqiptare me famë botërore, shfaqet në Times Square
4. Bebe Rexha, ndoshta ajo është më me fat pasi ka lindur në SHBA, me prindërit që kanë emigruar në Brooklyn para se ajo të lindte. Babai Flamuri dhe nëna Bukurije janë nga një qytet shqipfolës i Maqedonisë së Veriut. Emri i saj është Bleta, dhe për këtë arsye zgjodhi Bebe si emër artistik.
Ajo e nisi si tekstshkruese karrierën e saj 8-vjeçare, por dy albumet e Bebes kanë pasur shitje të çmendura.
5. Rita Ora, është mbesa e regjisorit të njohur kosovar Besim Sahatçiu. Babai i saj Besniku dhe e ëma Vera lanë Kosovën në 1990. Emrin ia ka vendosur gjyshi i saj. Ora, ashtu si Dua Lipa, pati rrugëtim të ngjashëm drejt suksesit. Ajo u zbulua nga Jay Z në 2011.
6. Ava Max, ka lindur në 1994 dhe publiku e njohu me këngën e saj “Sweet but Psycho”. E ardhur nga Shqipëria, Amanda Koci zgjodhi emrin e artit Ava Max.
7. Bujar Alimani. Ka një industri që do të mund të ishte ambasadore e produkteve tona në botë apo e turizmit të brendshëm. Është kinematografia. Por, një industri që kërkon investime serioze nuk e ka pasur asnjëherë këtë përgjigje nga buxheti shqiptar. Kjo i bën akoma më të nderuar të gjithë ata kineastë shqiptarë që kanë arritur të çojnë produktet e tyre me tema të rëndësishme për Shqipërinë, kulturën dhe historinë tonë, në kompeticione ndërkombëtare. Pas forcës së parasë, në këto raste është pasioni për artin dhe kulturën, atdhedashuria dhe ëndrra për të lënë gjurmë në historinë e filmit.
Që nga fillimi i tij si regjisor, me një seri të jashtëzakonshme filmash të shkurtër avangardë, Bujar Alimani është vlerësuar në filmat e tij KATOI (The Kennel), GAS, BUSULLA (Busulla) dhe NJE HISTORI DASHURIE, për imagjinatën e ndërthurur me realizimin e ashpër. E nominuar për çmimin Oscar tre herë, për Amnesty, Chromium dhe The delegation, vepra e tij është paraqitur në çdo festival të madh filmi në mbarë botën, përfshirë Sundance dhe Berlin. Ai ka marrë disa çmime në festivalet ndërkombëtare të filmit për filma të shkurtër. Puna e tij është prezantuar në disa nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë MoMa në NYC.
8. Flamur Hoxha, është një model frymëzimi. Pas 23 vitesh punë në prodhimin e veshjeve Flamuri ka blerë kompaninë e pronarit të tij në Itali. Themi pronar, pasi ishte pikërisht kompania italiane që për vite të tëra i siguroi kompanisë së veshjeve “Kler” 60% të punës. Në një intervistë të mëparshme Flamuri thotë për Businessmag se, “një nga partnerët tanë, që praktikisht na ka “mbajtur” për 20 vite dhe kishim një raport shumë të mirë (60% të produktetit e bënim për të), pati probleme financiare pas krizës 2008. Në momentin kur ai pati këto luhatje, i ofrova mundësinë e blerjes së paketës së furnitorëve, pra blerjes së pjesës së shëndoshë të ndërmarrjes”.
Flamuri dhe sipërmarrësi italian ranë dakord, dhe “Kler” blen paketën e kompanisë në Bari të Italisë (klientë, furnitorë, agjentë) duke u vënë përballë të gjithë partnerëve dhe klientëve të huaj. Kështu u krijua “Kler Italia”, e cila shpejt arriti të fitojë besimin e klientëve të huaj. Sot kompania eksporton dhe tregton veshje në shumë tregje të botës, Europë, Amerikë dhe Azi.
Flamur Hoxha, sipërmarrësi që bleu “pronarin” e tij
Rreth emigracionit, tregut të punës dhe sipërmarrësve të suksesshëm ne kemi shkruar në Numrin e Revistës 28. Ju mund të abonoheni dhe të shkarkoni Këtu numrin e fundit të revistës.
9. Sokol Kraja, 25 vite përvojë, sfida dhe suksese, madje edhe rritja e sipërmarrjes së tij në një periudhë pandemie nuk e orientojnë bisedën e z. Kraja drejt çështjeve të kompanisë së tij. “Kraco” është markë “Made in Albania” që e gjeni në supermarketin e lagjes tuaj, por edhe nëse ndaloni në autogrilët e Italisë, në supermarketet franceze e shumë shtete europiane, madje edhe në baret e aeroportit “Charles de Gaulle”.
Nëse jetoni në Francë, fëmijët tuaj konsumojnë çokollatën KRACO dhe produkte të kësaj kompanie në kopësht. Por, shqetësimet e z.Kraja nuk lidhen me tregun europian, sado sfidues është ai në vetvete. Tregjet sot janë bërë të ashpra. Hapja i ka bërë shtetet më protektive dhe vendet e mëdha kanë mekanizma për të mbrojtur më mirë sipërmarrjet e tyre.
10. Gerta Miftari është nga Kosova dhe jeton në Gjermani. 16-vjeçarja u shpall me intelegjencën më të lartë nga Ministria e Arsimit në Gjermani. Që në moshë shumë të vogël, kur ajo ishte 12 vjec filloi të fliste në gjermanisht, anglisht dhe gjuhën frënge. Por, ky është vetëm fillimi. Në të ardhmen Gerta e sheh veten si një juriste.
Gerta Miftari, 16 vjeçarja nga Kosova, shpallet më inteligjentja nga Ministria e Arsimit në Gjermani
11. “Violina e Paqes” është një projekt i nisur nga violinisti Kledis Rexho. Ai jeton e punon në Francë dhe përmes kësaj nisme synon të ndërthurë kulturat, të promovojë artistët e rinj dhe të zhvillojë turizmin. Ai na tregon se projekti nisi në Francë dhe është pjesë e një koncepti më të gjerë, të krijuar prej tij në Francë, të quajtur “Life and Music Concept”. Ky projekt mbështetet nga një shoqatë franceze me të njëjtin emër dhe ka karakter artistik, pedagogjik dhe sensibilizues.
Kledis Rexho, violinisti që do të bashkojë artin me turizmin përmes “Violinën e paqes”
12. Brigite Peposhi ashtu si shumë të tjerë, është vetëm në fillim të karrierës së saj në fushën e inteligjencës artificiale, AI. Ajo u tregua e gatshme të vërë në jetë dijet e saj, duke fluturuar nga vendlindja e saj Shqipëria drejt Gjermanisë, në Automation, AI and Machine Learning.
Flet Brigite Peposhi. Inteligjenca artificiale mund të zgjidhë krimet
13. Rina Binxhiu, Kur e nxisnin vajzën të mësojë e të ketë rezultate të shkëqyera në mësime, prindërit e Rinës nuk do të kenë pasur për qëllim shfaqjen e saj në Times Square, si një model suksesi. Fundja shumë prindër të tjerë këmbëngulin në rezultate të mira në mësime. Por, suksesi tek Rina Binxhiu lidhet me kombinimin e një vajze me pasion për progres dhe prindërve që mes sakrificash nuk hoqën dorë në rrugëtimin e gjatë të mbështetjes në arsim.
Paraqitja e Rinës në Times Square pak vite më parë ishte si përfaqësim i vajzave dhe grave inxhiniere në industri. “Më ftuan të jem një shembull për vajzat që dyshojnë se mund të kenë sukses në një industri të dominuar nga meshkujt”, thotë ajo.
14. Daniel Nikolla është një 28 vjeçar shqiptar që drejton ekipin e marketingut për një kompani të njohur në fushën e prodhimit të materialeve digjitale promocionale në Britaninë e Madhe, Hardy Signs Ltd. Ai është pjesë e bordit drejtues të të rinjve në East Midlands (Nottingham, Derby, Leicester). Megjithëse ka ndërtuar jetën jashtë vendit, Danieli e viziton shpesh dhe mban kontakte të ngushta me Shqipërinë, ndërkohë që përfshihet vazhdimisht me fushata sociale dhe biznesi. Ai është anëtar i asociuar i Institutit të Marketingut (CIM) dhe hobet e tij përfshijnë futbollin, rrjetet sociale dhe vrapimin.
Jeta e 28-vjeçarit, i cili vrapon për fëmijët me sindromën Down
15. Ermista Grabocka është një menaxhere e suksesshme marketingu pranë Pepsi Co. ltd. Ermista ka një përvojë profesionale 12 vjeçare në fushën e biznesit, të përqëndruar në industrinë e ushqimeve të paketuara si dhe një sukses të madh në zhvillimin e brandit dhe inovacionin e produkteve. Ajo na tregon rreth sfidave, risive dhe eksperiencave të krijuara në Shtetet e Bashkuara. Me një master në Marketing dhe Strategji si dhe me një përvojë të gjatë në ndërtimin e marrëdhënieve me klientët, përmirësimin e proceseve në biznes dhe projekteve midis departamenteve të ndryshme, Ermista evidentohet lehtësisht për aftësitë shumë të mira komunikuese. Me mbi 10 vite të dedikuara menaxhimit të projekteve ajo ka spikatur për aftësitë menaxheriale, influencuese, analizuese dhe aftësinë për të punuar në grup.
Ermista Grabocka-Custer nga kimiste në një menaxhere marketingu me fushata në Super Bowl për PespiCo
16. Nevila Dudaj, menaxhere e Hotel Adriatik dhe Adriatik Tours LLC. Ajo e ndan jetën mes New York dhe SHBA. Ajo dallon për aftësitë e saj të menaxhimit, edhe pse mes kontinentesh të ndryshme, dhe mbi të gjitha për punën kolosale në promovimin e turizmit shqiptar në SHBA dhe Europë, duke tejkaluar përmasat dhe interesat e sipërmarrjes së saj private.
Nevila Dudaj, sipërmarrësja, ambasadore e turizmit shqiptar në tregun amerikan
17. Artur Jella, prej 15 vitesh është vendosur në Spanjë, Valencia, ku ka hapur restorantet e tij me emrin Shija. Në një intervistë për Businessmag.al, ai tregon se pavarësisht se ka punuar për të hapur mbi 187 restorante në mbarë botën, është ende në kërkim të kafshatës perfekte. Muajt e fundit i kaloi në Shqipëri, duke kontribuar në ndërtimin e një kuzhine tradicionale, por me pasurim të shijeve dhe teknikave të gatimit, tek “Shend e Verë”, Kalaja e Tiranës.
Rrugëtimin nëpër botë nuk e ka bërë si një turist i mirëfilltë. Ai ka udhëtuar për punë, është ndalur me muaj të tërë në vende të ndryshme dhe ka eksploruar vendet përmes gastronomisë. Ky rrugëtim për të, ka qenë njëkohësisht edhe pasurimi më i madh në karrierën e tij si shef kuzhine.
Artur Jella, shefi që ka hapur mbi 187 restorante në mbarë botën
18. Ajrina Hysaj jeton prej 22 vitesh në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo lindi dhe u rrit në Tiranën e saj që thotë se i mungon gjithnjë e më shumë. Studimet e mesme i ka kryer në gjimnazin Ismail Qemali dhe studimet e larta në Fakultetin Filologjik të Tiranës, në degën Gjuhë Letërsi. “Që në moshë të vogël më ka pëlqyer mësimdhënia dhe në Shqipëri përpara se të emigroja në Emiratet e Bashkuara Arabe, jepja mësim anglisht”, thotë Ajrina. Ajo u largua në vitin 2000, sapo mbaroi studimet në Fakultetin e Filologjisë, për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Ajrina është lektore në departamentin e inxhinierisë në Universitetin e Wollongongut në Dubai, për “Aftësi Akademike dhe Shkencore”. Studentët e saj janë nga e gjithë bota. Ajrina është angazhuar të japë mësim të gjuhës shqipe me metodat e Cambridge.
Ajrina Hysaj, pedagogia nga Dubai që u mëson të rinjve vullnetarisht gjuhën shqipe
19. Serena Leka është një vajzë me origjinë shqiptare e lindur në qytetin e Pukës. Ajo u diplomua nga Universiteti i Tiranës me Bachelor në Financë, në Fakultetin e Ekonomisë. Gjatë studimeve të saj, pasioni për të praktikuar atë çfarë ishte duke mësuar e bëri pjesë të shumë organizatave jo fitimprurëse.
Tashmë emri i saj lakohet shumë në Shqipëri dhe jashtë saj, madje deri në Kinë, për arritjet e kompanisë CELLUGY, ku ajo është bashkëpronare. Serena fitoi me kompaninë e saj në Smitin Botëror të Inovacionit në Kinë, me ambalazhin ekologjik të CELLUGE. Në eventin prestigjoz, ajo u nderua me çmimin e parë, ndonëse konkurrenca ishte mjaft e fortë.
Rrugëtimi i Serena Lekës për të mentoruar inovatorët e ardhshëm
20. Blerim Sefa po ndjek ëndrrën amerikane dhe po e realizon atë falë këmbënguljes, zgjuarsisë dhe etikës së fortë në punë. Emigranti shqiptar u bë një shtetas i SHBA në qershor të vitit të kaluar, dhe ai tani po punon si një kadet policie për dy departamentet e policisë Milford dhe Novi, në mënyrë që ai të mund të bëhet një oficer policie me kohë të plotë. Ka qenë një rrugë e gjatë, veçanërisht që kur banori 28-vjeçar i Farmington Hills u largua nga kryeqyteti i Shqipërisë në 2015.
Shqiptari, kadet i policisë në Milford, ndjek ëndrrën amerikane.
21. Orieta Kristo emigroi nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara në moshën 14 vjeçare, pa ditur pothuajse fare anglisht. Sot ajo është drejtuese ekzekutive e një kompanie të suksesshme sigurimesh që e themeloi para 5 vjetësh, “Horizon Insurance”. Zonja Kristo është përzgjedhur nga Revista e Biznesit e Usterit, në Shtetin e Masaçusetsit, si një nga 40 profesionistët e suksesshëm nën moshën 40 vjeç për vitin 2019. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zonja Kristo foli për karrierën e saj, balancimin me jetën personale dhe përkushtimin ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan në qytetin e saj dhe në shtetin e Masaçusetsit.
Orieta Kristo, një grua në biznes që ka realizuar ëndrrën amerikane
22. Ravajol Hasani cdo vit ka marrë mbi 10 çmime ndërkombëtare. Ai është renditur në top listën e gastronomisë botërore, si ambassador kulinarie për 2021 dhe është vlerësuar si një nga 150 shefat më të mirë në botë.
23. Dr. Endrit Kromidha, Profesor i asociuar për sipërmarrjen dhe inovacionin në University of Birmingham. Në një intervistë për Businessmag.al ai ka theksuar se, “Gjithmonë kam pasur dëshirë të bëj diçka në Shqipëri dhe ishte kënaqësi kur mora ftesën nga Ambasada Britanike e Tiranës për të zhvilluar trajnimin që mbështet sipërmarrjet e reja në kuadër të UK-Albania Tech Hub Programme”. Ai u larguar rreth 16 vite më parë në Mbretërinë e Bashkuar për studimet e doktoratës pas një eksperience pune 5-vjeçare në Shqipëri.
24. Arben Shpata
Ambasada të huaja, përfshirë atë shqiptare në Romë, kompani me emër ndërkombëtar dhe madje edhe ministri janë “rifreskuar” nga Edilizia Moderna. Kjo është një kompani e themeluar rreth 15 vite më parë nga Arben Shpata. Në një intervistë për Businessmag.al, Arbeni tregon se kushtet për të hapur biznesin u maturuan pasi punoi disa vite në rikonstruksion. Sot zyra e tij në Romë numëron rreth 20 të punësuar, mes tyre disa arkitektë. Marketingu më i mirë i tij ka qenë puna. Kur e e pyesim si ka arritur të sigurojë klientelën e mjaftueshme për të zhvilluar biznes, në një qytet ku zyrat e arkitekt-design nuk mungojnë, Shpata thotë se, “çdo klient rikthehej sërish për shërbime dhe sillte edhe klientë të tjerë”.
25. Vasil Naçi
Vasil Naçi është sipërmarrës, autor librash dhe filantrop i suksesshëm. Vizioni i tij është të zgjerojë biznesin përtej rajonit të Ballkanit, duke investuar vazhdimisht në vetë-zhvillim dhe kontribut të pandërprerë për komunitetin. Në 30 vite ai ka krijuar 15 ndërmarrje duke zbatuar ligjet dhe parimet e suksesit në biznes, dhe duke i ndarë ato me të tjerët, gjithashtu ka organizuar vazhdimisht konferenca mbi zhvillimin personal dhe suksesin ne biznes.
Vasil Naçi në Think Big: Nëse nuk ke kohë nuk ke biznes, por një punë.
26.Nazim Salihu, i quajtur “Noli” nga bashkëmoshatarët e tij, hapat e parë në flokëtari i nisi në moshën 15 vjeçare, kur nëna e tij e shtynte që të merrej me një zanat pas orarit të mësimit. Në vitet 80-të, flokëtaria ishte trend, kështu që Noli u dashurua menjëherë me këtë profesion. Shkolla ku e mësoi zanatin quhet Aerodromi (Shkup), një ndër më të mirat në atë kohë në rajon. Pas përfundimit të shkollës, familja e Nolit u shpërngul për në Kosovë, ku ai hapi sallonin e tij “Noli’s Hair” në qytezën e Lipjanit.
Nazim Salihu-Noli, stilisti me duar të arta
27. Anila Bashllari, MBA dhe PhD, me një eksperiencë 35 vjeçare është coach, mentore, trajnere ndërkombetare e çertifikuar dhe Neurocoach, pjesë e John Maxwell International Team dhe Anëtare Bordi e Shoqatës Ndërkombëtare të Neurocoaching. Që prej vitit 2014 ka themeluar kompaninë Beyond Limits, duke iu përkushtuar coaching, trajnimit dhe mentorimit mbi zhvillimin personal për CEO, menaxherë, sipërmarrës dhe individë, duke i ndihmuar në rritjen e përformancës, një biznesi të suksesshëm si dhe integrimin harmonik midis jetës dhe punës.
“Mendësia për sukses”. Intervistë me Anila Bashllarin për programin e saj më të ri të zhvillimit
28. Haxhi Krasniqi, i njohur si Robin Krasniqi, është boksier profesionist me prejardhje nga Kosova i cili mbron ngjyrat Gjermane. Ai u shpall kampion bote për peshat mesatare në vitet 2013.
29. Florian Marku, (lindur më 29 shtator 1992) është boksier profesionist shqiptar dhe ish-kickbox-er dhe artist i përzier luftarak. Ai mban titullin IBF International në peshat e lehta që nga shtatori 2021.
30. Artiona Bogo, e lindur dhe rritur në Fier, nisi karrierën e saj si inxhiniere software dhe kur u bë pjesë e qendrës së inovacionit në kompaninë gjermane SAP disa vite më parë, një teknologji e re po vendosej gjithnjë e më shumë nën shënjestrën e korporatave: blockchain. Si një menaxhere biznesi për blockchain, Artiona ka drejtuar angazhimet strategjike të klientëve dhe ka qenë zëdhënëse për teknologjitë e decentralizuara brenda ekosistemit SAP. Vitet e fundit ajo punon për kompaninë Google.
31. Hana Qerimi, ka fituar çmimin Gruaja e Vitit në ICT. Televizioni ndërkombëtar (gjermano-Francez) “Arte”, i ka kushtuar një dokumentar të tërë. Modeli i saj i biznesit është shtrirë në nivel ndërkombëtar. Me zgjerimin e Shkollës Digjitale në tregun ndërkombëtar, ajo u bë kompania e parë në Kosovë që ofron shërbimin franchize për shtetet e huaja në fushën e edukimit.
32. Alban Kuriqi është hulumtues shkencor i renditur në listimin e Universiteti Stanford, SHBA si një ndër 2% shkencëtarët më të mirë të botës.
33. Fitim Kryezi, shqiptari i Kosovës ka shkuar në Danimarkë në moshën 11 vjec, gjatë kohës së luftës. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Aalborg për inxhinieri të energjisë dhe është një prej ideatorëve të projektit të quajtur “Ishulli i energjisë”, i cili do të ndërtohet në Detin e Veriut, duke prodhuar energji të pastër për më shumë se 10 milionë njerëz, me nje kosto prej 28 miliardë euro. Fitimi prej disa vitesh punon në OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit) i Danimarkës, duke mbajtur pozicione të rëndësishme menaxheriale.
34. Mark Kozmo. Diaspora Shqiptare ka themeluar Fondacionin e Shqiptarëve Globalë (Global Albanians Foundation) – GAF. Ky fondacion synon të përmirësojë jetën e e fëmijëve, të rinjve dhe personave të prekur nga fatkeqësitë në trojet shqiptare. Themeluesi i saj është Mark Kozmo.
Diaspora Shqiptare themelon Fondacionin e Shqiptarëve Globalë
35. Altin Prenga, as vetë nuk e kishte menduar suksesin që do i sillte ngritja e një restoranti në fshatin Fishtë të Lezhës. Altini sot drejton një nga restorantet më të kërkuara në Shqipëri nga vendasit dhe të huajt.
Mrizin e Zanave mund ta keni vizituar. Nëse jo, ua sugjerojmë.
Në intervistën e zhvilluar për emisionin Think Big, të BusinessMag.al ai rrëfen të gjithë rrugëtimin e tij të suksesit. Teksa gjërat fillojnë e “piqen” ngadalë, ti kupton se vendit tënd i mungojnë shumë gjëra. E kush më mirë se sa vendasit mund ta bëjnë këtë. Me hapjen e Mrizit mori jetë fshati Fishtë.
Altin Prenga: Të gjithë i kemi borxh vendit tonë
36. Altin Kadare, sjell një model të zhvillimit të një biznesi të suksesshëm teknologjik që operon në 3 shtete.
Një nga drejtuesit e kompanisë CardoAI, ka folur më parë për ne rreth fillesave dhe strategjive të përdorura në drejtimin e një kompanie që ka dhjetëra të punësuar dhe krijon produkte teknologjike për një treg global.
Think Big: CardoAI mes teknologjisë më të avancuar dhe kultivimit të talenteve
37. Silvana Kulla, shumë prej nesh shkojmë në punë me makinë personale, me autobus, biçikletë, apo edhe në këmbë. E ndarë mes Shqipërisë dhe Italisë, ajo drejton një sipërmarrje të rëndësishme në Shqipëri. Nënë e dy fëmijëve, udhëton pothuajse çdo dy javë për të ndjekur ecurinë e kompanisë së saj në Shqipëri, për t’u takuar me stafin, klientët e partnerët e biznesit. Si-Mac Albania ka revolucionarizuar tregun e mobilerisë në vend, duke sjellë pajisje teknologjike për prerjen dhe trajtimin e materialeve si dru, gur, xham. Sot shumë klientë të Si-Mac eksportojnë mobilje në Europë, Afrikë dhe SHBA.
Silvana Kulla duhet të marrë avionin për të mbërritur në zyrë
38. Diola Dosti. E ndarë mes Kosovës dhe Shqipërisë, ajo është PhDc në Nutrition /Food science. CEO e linjës se kozmetikës biologjike Dbotanical si dhe platformës online “Mësimet e Diolës”, si dhe Lektore e lëndës së Nutricionit pranë University of Business and Technology dhe Institutit Kulinar Neranxi në vitet e kaluara. Diola është nënë e 3 fëmijëve. Produktet e saj kozmetike mund të konsumohen dhe të mos japin asnjë efekt anësor, pasi janë tërësisht bio. Cilësia e jetës sipas saj nis nga “edukimi i frigoriferit” dhe punon me bindjen se nutricioni është mjekësia e së ardhmes.
Kujdes nga dieta plot me proteina
39. Shpresa Rupar, trajnere ndërkombëtare e licensuar e Programimit Neuro-Linguistik për territorin e Shqipërisë dhe Kosovës, nga The Society of Neuro-Linguistic Programming™ si dhe nga vetë bashkëthemeluesi i NLP-së Dr. Richard Bandler. Paketa e plotë, Trajnime të Programimit Neuro-Linguistik, Konsulenca të ndryshme dhe Coaching, është ajo që sjell ndryshimin, pasi vetë NLP-ja është ndryshimi që bën ndryshimin, sipas Rupar.
40. Luka Lamaj. Shqipëria ka talente të mrekullueshëm, të cilët me vullnet, këmbëngulje dhe pasion ecin përpara dhe krijojnë gjëra të bukura dhe inovative kudo që janë, të cilat u shërbejnë njerëzve apo profesioneve specifike. Ky është dhe rasti i Lamajt. Ai studion për Biokimi në Universitetin Bishop në Kanada. Ai jeton dhe studion atje, ku po punon me 3 projekte të ndryshme Docere App, Cool Historians dhe Lavel NFT.
41. Rrezart Lahi. Dr. Rrezart Lahi është gazetar, pedagog si dhe sipërmarrës. Biznesi i tij i parë është INFINITi – Rrjeti më i madh i kancelarive në Ballkan. Me mbi 60 filiale në Shqipëri, filial në Serbi dhe në shtrirje e sipër me 40 filiale në Kosovë, Kroaci dhe Austri. Ai është gjithashtu themelues i kompanisë së shitjeve online www.shoppingtv.al si dhe kompanisë së investimeve – Holland Capital me rreth 40 investitorë.
Si e zhvilloi rrjetin më të madh francise në Shqipëri dhe Rajonin e Ballkanit
42. Dean Çelaj, themeloi Akademi.al në vitin 2019 në një përpjekje për të përmirësuar sistemin arsimor në Shqipëri. Duke funksionuar si Khan Academy, Akademi.al publikon video mësime nga mësuesit që studentët mund t’i shikojnë falas. Kur Covid-19 goditi Shqipërinë, Akademi.al nënshkroi kontrata me qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për t’u bërë platforma e tyre zyrtare e mësimit në distancë. Tani ka mbi 545,000 përdorues dhe 23,000 video edukative në shqip.
43. Erblin Ribari, shqiptari nga Kosova është CFO në dua.com, një aplikacion që ofron përputhje të personave me njëri-tjetrin, me pagesa që mundësojnë transaksione nga kolegët. Dua ka mbledhur 4.75 milionë dollarë fonde dhe vlerësohet plot 32 milionë dollarë, me 130,000 përdorues aktivë në aplikacion. Ribari ka marrë një MBA nga Instituti i Teknologjisë në Rochester dhe dua.com është inkubuar në Harvard Innovation Labs.
Shqiptarët Dean Çelaj dhe Erblin Ribari në listën e Forbes “30 under 30”
44. Nicholas Gjoka. Ndërsa mijëra shqiptarë po ikin, ka nga ata që kanë lindur jashtë dhe vendi i prindërve të tyre i tërheq. Nicholas Gjoka është ndër ata djem që ka bërë karrierë në SHBA, duke punuar për kompani të mëdha të konsulencës dhe në mjedisin më të mirë për startup-e, “Silicon Valley”. Sot ai po punon për të tërhequr investime të huaja në Shqipëri.
Nicholas Gjoka ka lindur në SHBA, në një familje që emigroi 50 vite më parë, e nisur nga Malësia e Malit të Zi. Nicholas ishte ambicioz dhe u shkëput shpejt nga shtëpia për t’u shkolluar në një shtet tjetër. “U largova nga Michigan për të studiuar fillimisht. Kisha shumë dëshirë të studioja larg shtëpisë për të kuptuar botën më mirë. Shkova në Arizona, ku studiova dhe punova në një hotel”, – thotë ai.
Prej një viti Nicholas ndodhet në Shqipëri. Ai po synon që përvojën e tij me kompanitë dhe startup-et të mund ta sjellë në vendin që e ka tërhequr kaq shumë.
Nicholas Gjokaj, shqiptaro-amerikani që zgjedh tokën e prindërve
45. Elida Motro. Mos lejoni veten dhe të tjerët (dhe as koronavirusin apo krizën pas saj) t’ju pengojnë që të ecni përpara!
Sipas trajneres së njohur Elida Motro, duhet vetëm 15% e popullatës për të transformuar një vend. Imagjinoni sikur 15% e shqiptarëve të fillonin biznes fitimprurës dhe etik?!
Situata Covid dhe pushimet nga puna, kanë rritur angazhimin e trajneres pikërisht me profesionistët e pushuar nga puna.
Drejtimi i njerëzve do të thotë të kesh vetëm “çelësat e kashtës” në dorë?
46. Uran Derri është sipërmarrësi që pengesat rreth tij i ka përkthyer në biznese, duke krijuar modele efektive të sipërmarrjes. I diplomuar në financa, ai nisi të merret me kontabilitetin. Nëse kontabilistët më të mëdhenj, mbajnë sot financat e kompanive të ndryshme, Urani zgjedh sipërmarrjet bujqësore fillimisht. Urani krijoi kompaninë e kontabilitetit pak vite më parë dhe sot është sipërmarrës dhe aksioner i disa kompanive, të fokusuar kryesisht në shërbime dhe shitje me pakicë.
Sipërmarrësi serial, që po kthen mangësitë në mundësi biznesi
47. Ornela Flamuri e kishte nisur që në Shqipëri. Merrte masat për veshje dhe realizonte veshje të shkëlqyera për meshkuj dhe femra. Dora e saj dukej te përmasat e duhura dhe finesa e qepjes. Pak vite më vonë, Ornelën e rishohim me të njëjtën punë, por në një treg krejt tjetër. Ajo është sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pasionin e punën e ka zhvilluar në një biznes të mirëfilltë duke punuar edhe në bashkëpunim me brande të mëdha veshjesh.
Ornela Flamuri, ktheu pasionin e saj në biznes në SHBA. Bie në sy të Vogue!
48. Anita Likmeta, është brezi i dytë i shqiptarëve të diasporës. Ajo ka jetuar e studiuar më së shumti në Itali, dhe ka po aq të ndezur dashurinë për Shqipërinë sa prindërit e saj. Me një fokus në startup-et e teknologjisë dhe në fushën e modës ajo është përfshirë tërësisht në fushën e sipërmarrjes dhe inovacionit. Këtë frymë kërkon ta sjellë edhe në Shqipëri.
Ajo është bërë ambasadore e Agjensisë së Kombeve të Bashkuara për Migracionin (IOM) dhe programit Connect Albania, për diasporën, duke i ftuar shqiptarët e Diasporës të bëhen agjentë zhvillimi të vendit të tyre.
49. Ervis Trupja, udhëton drejt Kalifornisë, në zyrat e LinkedIn Corporation (“LinkedIn”) ku punon për kursin online, çdo herë që do të publikojë kurse.
Për kursin ka punuar i vetëm, duke qenë nën vëzhgimin e një menaxheri nga LinkedIn, i cili kontrolloi scriptet, ideimin dhe ecurinë e kursit.
50. Andri Gjoka është emri i pilotit 16 vjeçar, i cili kohën e tij e kalon në pistat e kartingut. Pasioni i tij për garat filloi në moshën 13 vjeçare, që prej garës së parë në pistën e Kartodromit, ku u gjend rastësisht dhe dha më shumë seç pritej në ato gara. Vetëm në vitin e parë të karrierës së tij është shpallur kampion i kartingut për moshën 16 vjeçare.
Andri Gjoka, piloti 16 vjeçar që synon Formula 1
Rreth emigracionit, tregut të punës dhe sipërmarrësve të suksesshëm ne kemi shkruar në Numrin e Revistës 28. Ju mund të abonoheni dhe të shkarkoni Këtu numrin e fundit të revistës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.