Në episodin e fundit të Think Big, rrugëtimi na çoi në një nga industritë më delikate dhe njëkohësisht më të rëndësishme për konsumatorin shqiptar: atë të bulmetit. Brenda fabrikës së Lufrës, përmes një rrëfimi që ndërthur teknologjinë, disiplinën dhe historinë njerëzore, episodi solli një panoramë reale mbi atë që ndodh pas çdo produkti që arrin në tryezën tonë.
Intervista me Inesa, menaxhere e prodhimit, e vendos fokusin tek baza e gjithë procesit: teknologjia dhe standardet.
“Teknologjitë që përdorim janë europiane dhe të viteve të fundit, me origjinë kryesisht italiane, gjermane dhe suedeze. Kjo na bën të kemi një produkt të sigurt, brenda standardeve dhe cilësor,” shprehet ajo. Në të njëjtën linjë, ajo thekson edhe ndikimin që ka kjo në përditshmërinë e punës: “Punonjësit e kanë më të lehtë punën me teknologjitë e fundit, sepse është më e automatizuar, por mbi të gjitha produkti përmbush të gjitha standardet e sigurisë ushqimore dhe prandaj jemi të sigurt për konsumatorët se çfarë produkti përdorin.”
Në një industri ku temperatura dhe higjiena janë vendimtare, çdo detaj monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Siç e shpjegon Inesa: “Temperatura dhe higjiena janë shumë të rëndësishme dhe kontrollohen në çdo etapë.” Ajo shton se siguria rritet edhe më tej nga mënyra si janë ndërtuar proceset: “Higjiena është pikë kyçe e proceseve që ne kemi dhe të gjitha proceset ndodhin brenda makinerisë, që e bën akoma dhe më të sigurt produktin për konsum.”
Një nga elementët më të fortë të sistemit është kontrolli laboratorik, i cili zhvillohet në disa nivele. “Kemi dy laboratorë: i pari që kontrollon qumështin në fillim, pa nisur proceset e tjera, dhe laboratori qëndror fiziko-kimik që kontrollon analizat në disa hallka gjatë procesit,” shpjegon ajo. Ndërkohë, sipas saj, hallka më kritike mbetet kontrolli mikrobiologjik: “Laboratori mikrobiologjik kryen kontrollet për ngarkesën e lëndës së parë, por mbi të gjitha të çdo produkti që ne prodhojmë, sidomos edhe për shkak të certifikimit ISO 22000 që ne kemi.”
Lexo edhe: Think Big/ Nga një dhomë e vogël në një industri moderne, historia e suksesit të Lufras!
Nga ana tjetër, rrëfimi i CEO-s së kompanisë, Luis Ndreka, sjell dimensionin njerëzor dhe historik të këtij zhvillimi. “Ka nisur para 34 viteve, po në këto ambiente që jemi,” tregon ai, duke theksuar se rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë. “Është rritur shumë ngadalë. Iniciativa dhe kërkesa nga tregu mbizotëronte, por dija ishte e pakët.”
Sipas tij, zhvillimi ka ardhur si rezultat i investimeve të vazhdueshme: “Gjatë këtyre viteve ne kemi investuar në teknologji dhe mekanizma dhe kështu jemi rritur.” Por mbi të gjitha, ai e lidh suksesin me sakrificën familjare: “E them shpesh që nëse prindërit e mi nuk do të kishin bërë këtë sakrificë që kemi bërë ne për punën, Lufra nuk do të ishte kjo që është sot.”
Cilësia, sipas Ndrekës, nuk fillon në fabrikë, por në fermë. “Cilësi e mirë e produktit vjen nga lënda e parë cilësore, nga ushqimi i kafshës, nga ferma,” thekson ai. Për këtë arsye, kompania ka vendosur rregulla të qarta për pranimin e qumështit: “Ne kemi dy parametra për pranimin e qumështit në fabrikë: sigurinë dhe cilësinë. Siguria është ose e merr ose nuk e merr qumështin, ndërsa cilësia vendos çmimin në treg.”
Në këtë proces, ai nënvizon edhe rëndësinë e ndërtimit të standardeve të brendshme: “Ne kemi një formulë e cila nxit përmirësimin e cilësisë gjatë gjithë kohës,” ndërsa shton se parametrat e sigurisë janë të panegociueshëm dhe përfshijnë edhe kontrolle për falsifikime të mundshme të qumështit.
Edhe në raport me teknologjinë, evolucioni ka qenë i vazhdueshëm: “Teknologjitë që kemi investuar kanë ardhur duke u zhvilluar sigurisht, por edhe në fillime janë bërë, vetëm se kanë qenë më primitive, por fokusi ka qenë tek cilësia gjithmonë.” Ai pranon se Lufra ka ndjekur modele ndërkombëtare për të arritur deri këtu: “Ne kemi marrë shembull nga prodhuesit më të mirë në botë dhe kështu kemi arritur edhe ne deri këtu.”
Megjithatë, ai mbetet realist për sfidat e industrisë: “Nuk ka asnjë fabrikë, edhe nga më të suksesshmet në botë, që nuk ka probleme.” Ajo që bën diferencën, sipas tij, është mënyra si menaxhohen ato.
Në fund, vizioni i tij është i qartë dhe ambicioz: “Vizioni im për të ardhmen është nga Europa, të krijojmë disa produkte specifike që të konkurrojmë në një pjesë të tregut europian, një identitet, një markë shqiptare ‘Made in Albania’ që ne ta eksportojmë në të gjithë Europën.”
Dhe në këtë rrugëtim, ai sheh një rol të rëndësishëm për shqiptarët kudo që janë: “Konsumatorët e parë do të jenë të shqiptarët jashtë që e njohin produktin dhe ata mund të jenë ambasadorët e parë në botë.”
Ky episod nuk ishte thjesht një vizitë në një fabrikë. Ishte një rikujtim se pas çdo produkti që konsumojmë fshihet një proces kompleks, një zinxhir vendimesh dhe një përkushtim i përditshëm për të bërë gjërat siç duhet.
Në fund të ditës, janë njerëzit, teknologjia dhe vizioni që bashkohen për të ndërtuar diçka që shkon përtej produktit: Besimin!
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto