Sipërmarrësi serial, që po kthen mangësitë në mundësi biznesi - Business Magazine Albania

Sipërmarrësi serial, që po kthen mangësitë në mundësi biznesi


Rritja ekonomike këtë vit pritet të jetë sa gjysma e nivelit të parashikuar. Investimet e huaj janë paralizuar, ashtu si edhe pagat. E vetmja lëvizje, aspak e mirë për ekonominë është emigracioni dhe dalja e vazhdueshme e “trurit” jashtë vendit. Euro e zhvlerësuar ka krijuar shumë probleme për eksportuesit. Këto dhe shumë pengesa të tjera, po bëjnë që të rinjtë të mos inkurajohen për të provuar veten në sipërmarrje dhe për të ofruar zgjidhje. Ndaj merr rëndësi kushdo që del përtej kësaj kornize dhe me shumë përpjekje, pa zë, pa vëmendje, me punë e zgjuarsi ndërton një qoshe të vogël suksesi. Zgjidhje në dukje të thjeshta, por që në realitet kanë impakt të rëndësishëm në jetën dhe ekonominë e shumë njerëzve.

Ne si revistë ndjekim e sjellim tek ju vazhdimisht startupe miliona dollarëshe, që shkëlqejnë globalisht. Ndërkohë, kemi vënë re se, shumë pranë, kemi biznese të reja, që inspirojnë me punën e tyre. Besojmë se këto janë shembujt realë dhe modelet e prekshme, që frymëzojnë të rinj dhe të moshuar drejt rrugës së duhur për sukses, si sipërmarrës apo i punësuar.

Për këtë, ne e ndiejmë pjesë të misionit tonë të sjellim në vëmendje njerëz dhe modele që sjellin besim se edhe këtu mund t’ia dalësh.

Si i shikoni pengesat që ju dalin gjatë ditës në punë?! Pengesat që hasni në zonën tuaj, në kompaninë tuaj, të bashkëpunëtorëve dhe konkurrentë. Nëse nuk jeni kuriozë dhe shikoni përtej horizontit, këto probleme mund t’i mbartni në kurriz gjithë ditën e të ktheheni në mbrëmje në shtëpi, të rraskapitur. E njëjta situatë përsëritet çdo ditë.

Urani është sipërmarrësi që pengesat rreth tij i ka përkthyer në biznese, duke krijuar modele efektive të sipërmarrjes.

Artikulli u publikua më parë në faqen 14 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 22 të saj.

I diplomuar si financiar, ai nis të merret me kontabilitetin. Rrugëtimi i tij, ndryshe nga ai i kolegëve, nis që këtu. Nëse kontabilistët më të mëdhenj, mbajnë sot financat e kompanive të mëdha, bareve, restoranteve etj., Urani zgjedh sipërmarrjet bujqësore. Po! E dini, janë kompanitë më të thjeshta, por njëkohësisht më të vështira. Informaliteti është më i lartë se në sektorë të tjerë dhe ka një hendek të madh legjislativ mes prodhuesit, tregtarit dhe përpunuesit. Subvencionet që hiqen e vihen herë pas here e bëjnë komplekse dhe një angari për kontabilistët.

Uran Derri krijoi kompaninë e kontabilitetit 3 vite më parë dhe sot mban financat e rreth 90% të tregtarëve të fruta-perimeve në tregun agroushqimor, pika tregtare më e madhe në vend.

Ai thotë se, “Në tregun agroushqimor ka mbi 300 subjekte. Të gjitha me probleme në mbajtjen e kontabilitetit. Asnjë kontabilist nuk i merrte përsipër, pasi edhe legjislacioni ynë ka shumë hapësira”. Futja në këtë lojë e ka bërë që të iniciojë shumë nisma ligjore për legjislacionin fiskal në tregtinë e prodhimin agroushqimor. “Shpesh i kam kërkuar Drejtorisë së Tatimeve të më tregojë se si duhet të procedoj për disa raste. Kam kërkuar ndihmë për procedurat dhe disa rregulla i kemi iniciuar dhe zbatuar më tej”.

Kështu, Urani ngriti kompaninë e konsulencës financiare. Ai është pjesë e AFI, ku trajton shumë çështje të tregtisë bujqësore. Kontributin e tij e ka dhënë shpesh me studime dhe argumenta për ndryshimin e TVSH-së në bujqësi mes 20% dhe 6%. Skema të dyja me probleme dhe që kanë sjellë rritje të evazionit. Qëndrimi i tij është që, në bujqësi, TVSH të jetë 0%.

Biotrade, një furnizues i produkteve bujqësore, me 5 yje

Imagjinoni furnizimin e hoteleve më të mira në vend me fruta e perime të freskëta. Deri para tre vitesh, punonjësit e hoteleve mund t’i shihje tek furnizohen në pika shitje. Në raste të tjera, tregtarët e fruta-perimeve ngarkonin makinat e vogla dhe niseshin drejt hoteleve me 4 apo 5 yje. Sfida e menaxherëve të hoteleve ishte: dëmtimi i produktit, humbje e cilësisë dhe pasaktësi në faturim.

Lexo: Ja cila është strategjia më e mirë e biznesit, sipas Gary Vee

I vendosur pranë tregut agroushqimor, Urani u njoh me këtë situatë dhe vendosi të ndërtonte një ofertë cilësore për hotelet. Ndërtoi kompaninë e tregtisë ushqimore, me fokus furnizimin e hoteleve dhe resorteve në Tiranë dhe Durrës.

Urani thotë se, “Pashë që ky lloj sektori nuk kishte biznese të mirëfillta dhe të strukturuara. Kishte mangësi në legjislacion, në mirëmbajtjen e produktit dhe në organizim”. Në evazion e sipër shpesh nuk bëheshin faturime, ose bëheshin fiktive. Edhe transporti bëhej pa standarde, shpesh fshehtas. Klienti nuk është i kënaqur kur produkti i vjen me një mjet transporti të papërshtashëm.

Lexo: Si të “përqafoni” rrezikun në sipërmarrje

Urani zgjedh të vijë me një ofertë cilësore: Furnizim i të gjitha fruta-perimeve të nevojshme dhe transaksione bankare.

“Vendosëm që faturimet të ishin reale dhe të bëheshin përmes bankës. Kjo lehtësonte shumë procedura”, sipas Uranit. Ai mori me qera dhomat frigoriferike, bleu automjetet e vogla tregtare dhe nisi të kontaktojë menaxherët e hoteleve më të mëdha në vend.

Klientët e tij sot janë mbi 30 resorte dhe hotele të mëdha në Tiranë dhe Durrës.

Së fundi ai ka nënshkruar një kontratë furnizimi fruta-perime me rrjetin e shitjes me pakicë Conad.

Për të siguruar furnizimin e duhur me BioTrade, ai ka invesuar së fundi edhe në ferma bujqësore dhe planifikon të zgjerohet edhe në blegtori. Orientimi drejt prodhimeve organike, pritet t’i krijojë atij hapësira të tjera për biznes.

Vizion dhe fokus, kusht për sukses

Një nga shtyllat kryesore të suksesit të tij, është se pas vendimit për të nisur një sipërmarrje strukturon shumë mirë modelin e biznesit dhe sistemet e menaxhimit. “Filloj direkt me sistemin e programeve softëare, për furnizimin, shitjet, kontrollin. Dua të di çfarë ndodh. Ndaj, nëse nuk bindem që kam një strukturë të sigurtë, nuk e filloj biznesin”, thotë Urani.
Pasi kësaj, ai nis të punojë me burimet njerëzore dhe në veçanti me personat përgjegjës, të cilët i përgatit për detyrat specifike.

Përmes kësaj filozofie pune ai ka ndërtuar dhe zhvilluar biznesin e kateringut Alar Food and Services, kompani që në tre vite kaloi nga 7 në 180 të punësuar. Një shërbim kateringu që nis vetëm me një department në spitalin Amerikan dhe është shtrirë tek të gjitha spitalet amerikane në vend e shërben me katering shumë sipërmarrje në zonën industriale. Aktualisht prodhimi është ndarë në dy stabilimente: ushqim për spitalet dhe për sipërmarrjet me të cilat ka kontrata shërbimi, ose shërbim kateringu ditor. Pjesë e furnizimit të kësaj kompanie kanë qenë edhe qendrat sociale.

Lexo: 4 Mësime të rëndësishme biznesi nga aktivistja 16 vjeçare e nominuar për çmimin Nobel

Sipas Uranit, “në biznes është e rëndësishme shpejtësia e veprimit. Nuk ka hapësirë për qetësi, nuk duhej të dështoja”. Me një intensitet të fortë në biznes, shpesh i është dashur të luajë “poker” në sipërmarrje, si për nga shpejtësia ashtu edhe menaxhimi i situatës me kundërshtarin…


Asgjë nuk është rastësi…

Mprehtësia dhe shpejtësia e mendimit, ashtu edhe qartësia e tij për të pasur nën kontroll bizneset e tij në çdo hap të zhvillimit të tyre, e dallojnë Uranin që në takimin tonë të parë me të.

Por asgjë nuk është rastësi. Krahas “nuhatjes” së tij për të studiuar tregjet e për të zhvilluar biznes, Urani ka të gjitha vlerat e familjes së tij: si besnikëria, korrektësia, ndërshmëria, vlera kyçe në suksesin e një biznesi.

Në moshën 14 vjeçare largohet nga vendlindja, hasi me ambicien për t’u shkolluar. Pas studimeve me rezultate të shkëlqyera në shkollën e mesme dhe në universitet për Financë-Kontabilitet, ai vijon studimet në fushën juridike dhe zotëron disa kualifikime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndër vite Urani mbeti besnik i asaj që e quan në intervistën e tij, “mishela e pazëvendësueshme” e mirëfunksionimit të raportit shpirt-materie. Ai ndan me lexuesit këshillën e tij të motivimit “mbështetu gjithmonë në një motivim shpirtëror, si shtysë që ruan njeriun në rrugën e duhur të kërkimit të suksesit”.

Ai ka krijuar tashmë një rutinë të suksesshme të realizimit të gjërave. Ndaj jep disa pika të rëndësishme që ai ndjek dhe sugjeron për çdo të interesuar tjetër që ka ambicie suksesin:

  • Vetëbesimi. Vetëbesimi se mund t’ia dalësh të arrish objektivat.
  • Sinqeriteti në marrëdhënie me të tjerët. Të bësh biznes do të thotë të ndërtosh marrëdhënie me njerëz, ku sinqeriteti i këtyre marrëdhënieve rrit dukshëm kredibilitetin në pikën e besueshmërisë. Sinqeriteti të krijon një marrëdhënie të ndërsjelltë besimi me partnerët.
  • Puno shumë. “Ndoshta disa herë më duket sikur thyej edhe ligjet e natyrës duke punuar më shumë se ç’mendoj se kam aftësi. Qëllimi më motivon dhe më mbush me adrenalinë në një mënyrë të tillë që lodhja me duket normalitet.
  • Vetëdisiplinimi. “Kam shumë vetëdisiplinim dhe zgjedh gjithmonë bashkpuntorë të tillë. Disiplina më e pakta na ndihmon që të jemi konseguent në aktivitetin e përditshëm dhe të arrijmë suksesin më lehtë”.
  • Qëndro në koherencë me dinamikën e tregut. “Adoptohem shumë shpejt me rrethanat e tregut, duke ruajtur koherencën e dinamikës me shpejtësinë përshtatëse të reagimit”.
  • Ndiej pasion në atë që bën. “Nëse diçka nuk më ngjall pasion nuk merrem me të. Kam refuzuar ndoshta gjëra për të cilat jam i bindur se shumica mund t’i kenë ëndërr, vetëm sepse nuk më ka ngjallur pasion. Më pëlqen të ndjek ëndrrat e mia dhe me pasion e punë t’i arrij ato”.
  • Mos e mendo asnjëherë dështimin si pengesë. “Ndoshta dhe pse nuk e kam provuar deri më tani, por edhe nëse do ta kisha provuar, do e vlerësoja si një mundësi, jo si nje fatalitet. Ka gjithmonë kohë dhe hapësirë për një mundësi më të mirë”.
  • Dashuro sfidat që të jep përpjekja. Tek e fundit monotonia nuk i pëlqen askujt. “Nuk e mendoj kurrë se majat arrihen lehtë. Janë sfidat ato që na e rrisin egon për të përjetuar euforinë e arritjes së majës”.
  • Ruaj besnikërisht ekulibrin midis punës dhe përkushtimit familjar. “Nuk harroj kurrë se gjithçka që bëj e do bëj, nuk lidhet vetëm me egon pozitive timen në lidhje me suksesin”.
  • Mos neglizhoni asnjë shteg që mendoni se ju çon diku. Merrni guximin e kaloni në të! Nga ky moment, ai do të bëhet shtegu juaj.
  • Nuhasni dhe veproni! Ofrojini tregut atë që i mungon dhe bëjeni këtë në mënyrën më të realizuar. Mos shpejtoni në ofrimin që bëni. Përpilojeni mirë vizionin dhe idenë në përputhje me financat tuaja. Pastaj dilni në treg me menaxhim dhe produkt perfekt.

Artikulli u publikua më parë në faqen 14 të numrit 22 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 22 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0