Administrata e Presidentit Biden po u ofron 12 miliardë dollarë firmave të prodhimit të makinave që të përshtatin fabrikat e tyre për të ndërtuar automjete elektrike dhe makina të tjera të avancuara, tha të enjten Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm. Ndihmat do të jenë në formë grantesh dhe kredishë.
“Ndërsa kalojmë tek makinat elektrike (EV), duam të sigurohemi që punonjësit të trajnohen në këtë fushë, që të mos mbetet pas asnjë punonjës apo komunitet”, tha zonja Granholm, e cila ka shërbyer më parë në postin e guvernatores së Miçiganit, qendrës së prodhimit të automobilëve.
Përshpejtimi i ndarjes së granteve dhe subvencioneve të tjera për financimin e konvertimit të fabrikave egzistuese për të ndërtuar makina elektrike mund të zbusë kritikat e ashpëra nga prodhuesit e makinave dhe sidikatat e punonjësve kundër propozimeve të Shtëpisë së Bardhë për rregulla mjedisore që synojnë të nxisin kalimin në epokën e makinave elektrike.
Sindikatat kanë paralajmëruar se një ndryshim i shpejtë mund të vërë në rrezik mijëra vende pune në shtete si Miçigani, Ohajo, Illinoi dhe Indiana.
Javën e shkuar, pjestarët e sindikatave të autoindustrisë votuan me shumicë dërrmuese në favor të autorizimit të një greve që përfshin linjat e prodhimit të tre gjigandëve amerikanë, General Motors, Ford dhe Chrysler.
Sindikatat thonë se do të hidhen në grevë nëse nuk arrihet një marrëveshje lidhur me pagat dhe planet e pensioneve përpara skadimit të kontratës aktuale katërvjeçare më 14 shtator.
Presidenti i sindikatave e vlerësoi njoftimin të enjten duke thënë se, “kjo e bën të qartë për punëdhënësit se kalimi tek makinat elektrike duhet të përfshijë partneritete të forta me sindikatat, e shoqëruar me paga dhe standarde të larta sigurie për të cilat kanë luftuar dhe fituar gjeneratat e sindikalistëve”.
Presidenti Joe Biden tha në një deklaratë se, “ndërtimi i një ekonomie të bazuar tek energjia e pastër mund dhe duhet të ofrojë një mundësi të favorshme për kompanitë e automobilave dhe sindikalistët që kanë kontribuuar në ekonominë amerikane për dekada”.
Qeveria amerikane do të ofrojë gjithashtu 3.5 miliardë dollarë financim për prodhuesit vendas të baterive, tha zonja Granholm.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.