Punët do të ndryshojnë në vitin 2024. Si mund të përgatiten drejtuesit e kompanive? - Business Magazine Albania

Punët do të ndryshojnë në vitin 2024. Si mund të përgatiten drejtuesit e kompanive?

Ekspertët parashikojnë se disa role do të zhduken, të tjera do të ndryshojnë e disa do të rriten në vitin 2024. Teknologjitë e reja dhe sektorët në zgjerim mund të përcaktojnë ndryshime të mëdha në tregun e punës. Si mund të përgatiten drejtuesit e kompanive?

Punët po ndryshojnë me shpejtësi dhe drejtuesit e kompanive duhet të ruajnë ritmin në vitin 2024.

Ndryshimet në kërkesë dhe në teknologji kanë krijuar dhe mbyllur gjatë historisë vende pune, shpjegon Carl Benedikt Frey, profesor i Inteligjencës Artificiale dhe punës në Oxford Internet Institute, një qendër kërkimi në Universitetin e Oksfordit.

Për shembull, profesionet si somelier dhe instruktorë të hot yoga kanë lindur nga zhvillimi i dëshirave të konsumatorëve, ndërsa rolet në industritë automobilistike dhe bioteknologjike, nga inovacionet revolucionare.

Sipas një raporti të McKinsey në vitin 2023, tregu i punës po ndryshon më shumë se zakonisht. Nga viti 2019 deri më 2022, tregu i punës regjistroi 8.6 milionë ndryshime profesionale.

Bëhet fjalë për 50% më shumë krahasuar me tre vite më parë dhe raporti parashikon që brenda vitit 2030 mund të regjistrohen edhe 12 milionë ndryshime profesionale, falë rritjes së kërkesës për kujdes shëndetësor, dixhitalizimit dhe faktorëve të tjerë.

Ja se çfarë mund të presin drejtuesit dhe ekipet e tyre në peizazhin në zhvillim të punës në vitin 2024 dhe si mund të përgatiten më së miri për t’u përballur me këto ndryshime.

Teknologjitë e reja do t’i bëjnë disa role të padobishme

Nëse nga njëra anë, teknologjia dhe dixhitalizimi po ndihmojnë në rritjen e disa punëve, në anën tjetër po përshpejtojnë rënien e disa të tjerave, sipas raportit Future of Jobs të World Economic Forum të vitit 2023.

Brenda vitit 2027, sipas parashikimeve të raportit, mund të jenë 26 milionë vende pune më pak në kontabilitet, punë sekretarie ekzekutive, administrim dhe fusha të ngjashme të punës.

Inteligjenca Artificiale dhe në veçanti Inteligjenca Artificiale gjeneruese do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë fushë. Në prill, raporti i Goldman Sachs vlerësoi se 300 milionë vende pune mund të “vihen në rrezik” falë përparimeve të fundit të IA.

Por vendet e punës nuk zhduken nga një ditë në tjetrën – thotë Frey. Centralistët dhe ndihmësit e ashensorëve, për shembull, janë zhdukur me kalimin e viteve. Edhe pse IA kërkon më pak infrastruktura fizike – e cila mund të përshpejtojë përhapjen – mendimi i Frey është se nuk do të përmirësohet aq shpejt sa presin disa njerëz.

Punëdhënësit duhet të mendojnë për punët e jo për vendet e punës

Në të vërtetë, ndërsa profesione të tëra mund të mos bëhen të vjetra në vitin 2024, disa pjesë të roleve mund të jenë.

Raporti i McKinsey vlerëson se, falë Inteligjencës Artificiale dhe faktorëve të tjerë “aktivitetet që përfaqësojnë aktualisht deri në 30% të orëve të punës në ekonominë e SHBA-së mund të automatizohen” deri në vitin 2030.

Si rrjedhojë, drejtuesit e sipërmarrjeve duhet të fillojnë të mendojnë për punët brenda kompanive të tyre “si një ndërthurje e detyrave të ndryshme” për të përcaktuar rrugën më të mirë që duhet të ndjekin, thotë Stephan Meier, profesor i strategjisë së biznesit në Columbia Business School.

Në fillim të vitit 2023, për shembull, një analizë e Accenture e zbërtheu një rol të shërbimit ndaj klientit në 13 detyra dhe përcaktoi se si mund të ndikohet secila nga IA.

Nga kjo analizë doli se katër detyra do të vijojnë të kryhen kryesisht nga njerëzit, katër të tjera mund të automatizohen tërësisht dhe pesë prej tyre mund të përmirësoheshin nga teknologjia e Inteligjencës Artificiale.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0