Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve, ka zhvilluar një workshop teknik dhe ndërinstitucional në kuadër të hartimit të Taksonomisë së Gjelbër të Shqipërisë, një nga instrumentet kryesore që synon orientimin e sistemit financiar drejt investimeve të qëndrueshme.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të programit të asistencës teknike të Bankës Evropiane të Investimeve për gjelbërimin e sistemeve financiare dhe përbën një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një kuadri që synon të rrisë transparencën në tregun financiar dhe të kanalizojë kapitalin drejt aktiviteteve me ndikim pozitiv mjedisor dhe klimatik.
Taksonomia e Gjelbër pritet të shërbejë si një mekanizëm orientues për investimet, duke ndihmuar në klasifikimin e aktiviteteve ekonomike sipas ndikimit të tyre në qëndrueshmëri, si dhe duke kontribuar në forcimin e stabilitetit financiar në afat të gjatë.
Workshop-i mblodhi përfaqësues nga institucionet publike, sektori financiar, organizatat ndërkombëtare, biznesi dhe shoqëria civile, me qëllim prezantimin dhe diskutimin e draftit të parë të dokumentit.
Aktiviteti u hap nga Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, e cila theksoi se Taksonomia e Gjelbër përbën një instrument kyç për përafrimin e ekonomisë shqiptare me standardet e European Union dhe për orientimin e investimeve drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
Ajo nënvizoi gjithashtu rolin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjen e BEI-së në këtë proces, duke e cilësuar taksonominë si një komponent të rëndësishëm të arkitekturës së informacionit për klimën dhe si një mjet që forcon stabilitetin financiar në përputhje me objektivat mjedisore të vendit.
Lexo edhe: Dita e Tokës 2026, ekonomia e gjelbër nuk është më zgjedhje, por kusht!
Sipas saj, procesi i konsultimit synon të mbledhë komente teknike nga të gjitha palët e interesuara, me qëllim përmirësimin dhe zbatueshmërinë praktike të dokumentit.
Në vijim, Banka e Shqipërisë rikonfirmoi angazhimin për mbështetjen e financimeve të gjelbra në ekonomi, në frymën e Marrëveshjes së Parisit dhe në përputhje me objektivat e integrimit evropian të Shqipërisë.
Aktiviteti u organizua në dy sesione konsultimi: i pari me institucionet publike dhe grupet teknike ndërinstitucionale, dhe i dyti me përfaqësues të sektorit bankar, biznesit, organizatave mjedisore dhe dhomave të tregtisë.
Në përfundim të procesit, synohet finalizimi i dokumentit dhe formalizimi i bashkëpunimit ndërinstitucional përmes një Memorandumi Mirëkuptimi, që do të shërbejë si bazë për zbatimin e Taksonomisë së Gjelbër në Shqipëri.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto