Bordi i Transparencës ka vendosur sërish rritjen e çmimeve të karburanteve. Sipas vendimit të marrë më 22 prill 2026, çmimi i naftës është rritur me 5 lekë për litër duke shkuar në 202 lekë për litër.
Në bazë të vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin do të jetë 202 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë 190 lekë për litër. Për benzinën, çmimi me pakicë është vendosur në 176 lekë për litër dhe 164 lekë për litër për shitjet me shumicë.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi që prej ditës së sotme, ora 12:30, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku pritet të reflektohen zhvillimet e reja të tregut. Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët për zbatim strikt të vendimit, duke theksuar se çdo shkelje do të shoqërohet me masa, deri në pezullim aktiviteti.
Lexo edhe: A është gati Shqipëria për standardet europiane të ushqimit?
Institucionet përgjegjëse –Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë theksojnë se mbeten të angazhuara për të mbrojtur interesin e konsumatorëve dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme në treg.
Ndërkohë, sipas aktit normativ të miratuar në fillim të prillit, niveli i akcizës do të vijojë të aplikohet i plotë, pasi çmimet aktuale të karburanteve mbeten nën pragjet e përcaktuara për reduktim.
Rritja e çmimeve vjen në një moment kur tregjet globale të energjisë mbeten të paqëndrueshme, duke shtuar presionin mbi konsumatorët dhe bizneset në vend.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto