Këshilli i Ministrave ka hedhur për konsultim publik Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planin e Veprimit 2030, një dokument që përcakton drejtimin e zhvillimit të sektorit për pesë vitet e ardhshme dhe parashikon investime totale prej afërsisht €7.9 miliardë për periudhën 2026–2030. Strategjia vendos si prioritete kryesore modernizimin e infrastrukturës, integrimin me rrjetin trans-evropian TEN-T, digjitalizimin e shërbimeve dhe zhvillimin e një sistemi të integruar multimodal, duke përfshirë transportin rrugor, hekurudhor, detar dhe ajror.
Çfarë synon konkretisht strategjia?
Dokumenti i ri strategjik është ndërtuar mbi pesë shtylla kryesore: përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Evropian, zhvillimi i infrastrukturës dhe lidhja me rrjetin TEN-T, promovimi i lëvizshmërisë së sigurt dhe të qëndrueshme, rritja e cilësisë së shërbimeve dhe forcimi i kapaciteteve institucionale.
Strategjia është e harmonizuar me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2030, Programin e Qeverisë 2025–2029 dhe Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës, por edhe me kuadrin evropian, përfshirë Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Financimi dhe burimet, nga do të vijnë €7.9 miliardë?
Shifra e €7.9 miliardë është impresionuese, por kërkon kontekstualizim. Ajo përfaqëson totalin indikativ të investimeve për pesë vite, reth €1.58 miliardë në vit mesatarisht. Për referencë, buxheti total i shtetit shqiptar është rreth €5–6 miliardë në vit, dhe investimet kapitale publike zakonisht zënë rreth 4–6% të PBB-së.
Kjo nënkupton se pjesa dërrmuese e financimit duhet të vijë nga burime të jashtme. Dokumenti identifikon tre kanale kryesore: buxhetin e shtetit, financimet nga donatorët ndërkombëtarë dhe institucionet financiare ndërkombëtare si BERZH, BEI dhe Banka Botërore, si dhe Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor i BE-së.
Ky i fundit është burim me potencial të lartë, por edhe me konkurrencë të lartë. Vendet e Ballkanit Perëndimor garojnë për të njëjtat fonde, dhe ato me dokumentacion strategjik më të mirë dhe kapacitet zbatues më të fortë kanë avantazh. Pikërisht këtu strategjia luan rol kyç: pa një plan të qartë dhe të matshëm, aplikimi për fondet evropiane mbetet i dobët. Kostot, siç theksohet edhe në vetë dokumentin, janë indikative dhe dinamike, gjë që është e sinqertë dhe realiste, por që njëkohësisht kërkon mekanizma të fortë monitorimi për të shmangur shpërdorimin dhe tejkalimet e buxhetit.
Sfidat
Asnjë dokument strategjik nuk vlen pa zbatim. Dhe zbatimi,ka sfida të mirënjohura. Koordinimi ndërinstitucional mbetet pengesë historike. Strategjia ngarkon jo vetëm Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe ministri të tjera, autoritete rregullatore dhe njësi të qeverisjes vendore. Sa efektiv do të jetë ky koordinim në praktikë, do të varet nga mekanizmat e qeverisjes së brendshme të zbatimit.
Kapaciteti absorbues është sfidë e njohur. Shqipëria ka humbur fonde të rëndësishme evropiane në të kaluarën për shkak të paaftësisë për të zbatuar projekte brenda afateve dhe standardeve të kërkuara. Pa investime paralele në burime njerëzore dhe sisteme menaxhimi, rreziku i nën-shpenzimit dhe mosrealizimit mbetet real.
Nga ana tjetër tranzicioni i gjelbër kërkon balancë delikate. Objektivat e de-karbonizimit janë të rëndësishme dhe të domosdoshme, por imponimi i tyre me ritme të papërshtatshme me realitetin ekonomik shqiptar mund të ngarkojë bizneset dhe qytetarët me kosto që nuk mund t’i mbajnë. Strategjia duhet të gjejë ekuilibrin midis ambicies klimatike dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.
Integrimi evropian, faktori kryesor
Nga perspektiva e anëtarësimit në BE, strategjia mbështet përmbushjen e detyrimeve në kuadër të tre kapitujve kryesorë të negociatave: Kapitulli 14 për Politikën e Transportit, Kapitulli 21 për Rrjetet Trans-Evropiane dhe Kapitulli 27 për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike. Kjo e pozicionon dokumentin si një mjet konkret jo vetëm të zhvillimit infrastrukturor, por edhe të agjendës së integrimit.
Tarifimi elektronik
Si pjesë e strategjisë së re të transportit dhe planit të veprimit afatmesëme, qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2030 rreth 20% e rrjetit rrugor të përfshihet në sistem tarifimi elektronik. Dokumenti parashikon zgjerimin e Sistemeve Inteligjente të Transportit në rrjetin TEN-T, përfshirë menaxhimin në kohë reale të trafikut, monitorimin e aseteve dhe zhvillimin e biletimit digjital në transportin ndërqytetas. Në të njëjtën kohë, pritet krijimi i një fondi të dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve, i financuar nga tarifat e përdoruesve dhe i harmonizuar me standardet dhe direktivat e Bashkimit Europian.
Çfarë do të thotë kjo për biznesin?
Për biznesin shqiptar, ndikimi më i drejtpërdrejtë pritet të vijë nga ulja e kostove logjistike dhe përmirësimi i lidhshmërisë kombëtare e rajonale, dy nga pengesat historike që kanë ngadalësuar konkurueshmërinë e ekonomisë. Investimet e mëdha në infrastrukturë krijojnë mundësi direkte për kompanitë e ndërtimit, inxhinierisë dhe konsulencës. Ulja e kostove logjistike ndihmon eksportuesit dhe prodhuesit. Standardet më të larta rregullatore rrisin barrën afatshkurtër, por krijojnë treg më të ndershëm dhe konkurrues afatgjatë.
Mbi të gjitha, ekzistenca e një dokumenti strategjik të konsoliduar dhe të miratuar zyrtarisht rrit parashikueshmërinë dhe sigurinë e investimeve, diçka që investitorët e huaj e vlerësojnë shumë kur analizojnë Shqipërinë si destinacion.
Viti 2030 nuk është larg. Pyetja reale nuk është nëse vizionin e kemi, por nëse kemi vullnetin, kapacitetin dhe konsistencën institucionale për ta realizuar.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto