Qeveria në Angli po shkon drejt vendosjes me ligj të kufizimit të telefonave në shkolla, duke e bërë këtë një rregull të detyrueshëm për të gjitha institucionet arsimore.
Ministrja e Arsimit, Jacqui Smith, bëri të ditur në House of Lords se do të propozohet një ndryshim në ligjin për mirëqenien e fëmijëve dhe shkollat, i cili do të kërkojë që shkollat të kenë rregulla të qarta për përdorimin e telefonave.
Sipas departamentit të edukimit, ky vendim nuk është diçka krejtësisht e re, pasi shumica e shkollave tashmë i kufizojnë telefonat. Tani synohet që kjo praktikë të bëhet e detyrueshme me ligj. Më herët, sekretarja e arsimit Bridget Phillipson kishte rekomanduar që shkollat të jenë pa telefona gjatë gjithë ditës mësimore.
Rregulli i ri nuk do të jetë plotësisht i njëjtë për të gjithë, pasi mund të ketë përjashtime, si për nxënësit e klasave të larta apo për raste kur telefoni përdoret për arsye shëndetësore.
Lexo edhe: Nga Roma në Londër, aeroportet europiane më të mira për ushqim
Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës si Laura Trott e kanë mbështetur këtë hap, duke e konsideruar të rëndësishëm për të përmirësuar sjelljen dhe përqendrimin e nxënësve në klasë. Në praktikë, disa shkolla tashmë përdorin zgjidhje si dollapë të posaçëm apo mbajtëse të mbyllura për telefonat gjatë orarit mësimor. Megjithatë, një nga sfidat kryesore mbetet sigurimi i fondeve për këto masa.
Zbatimi i rregullave do të kontrollohet edhe nga Ofsted gjatë inspektimeve në shkolla. Në thelb, kjo nismë synon të ulë shpërqendrimin në mësim dhe të ndihmojë nxënësit të përqendrohen më mirë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se përdorimi i tepërt i telefonave jashtë shkollës mbetet një sfidë e madhe që kërkon zgjidhje më të gjera.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto