Richard Skellett ka krijuar një version digjital të vetes, të quajtur “Digital Richard”. I zhvilluar gjatë tre viteve të fundit, ky binjak digjital nuk është thjesht një chatbot, por një sistem i trajnuar mbi të gjitha njohuritë e tij: takime, telefonata, dokumente dhe prezantime. Përmes përdorimit të inteligjencës artificiale dhe mjeteve si ChatGPT, ai është ndërtuar për të menduar dhe analizuar si vetë Skellett.
Në praktikë, “Digital Richard” funksionon si një dritare ku ai mund të marrë vendime biznesi, të përgatisë prezantime dhe madje të menaxhojë edhe çështje personale. Ka edhe seksione të ndara për jetën private, si “familje” dhe “administratë”, të cilat nuk janë të aksesueshme nga kolegët, ndërsa pjesa profesionale mund të përdoret nga të tjerët për pyetje pune.
Ky koncept është zgjeruar në nivel organizate. Kompania Bloor Research ka krijuar versione digjitale për të gjithë ekipin e saj, duke e kthyer “Digital Me” në një standard për çdo punonjës të ri. Në disa raste, një analist që po dilte në pension ka arritur ta transferojë gradualisht punën te versioni i tij digjital, ndërsa në një rast tjetër kompania ka përdorur binjakun digjital të një punonjëseje gjatë lejes së lindjes, pa pasur nevojë për një zëvendësim të përkohshëm.
Sipas ekspertëve, kjo teknologji po krijon një profil të ri punonjësi, të quajtur “superworker”. Ideja është që inteligjenca artificiale nuk e zëvendëson njeriun, por e amplifikon atë. Me një digital twin, një person mund të marrë informacion pa pasur nevojë për mbledhje apo email-e të shumta dhe mund të ndërveprojë me versionin e tij digjital në çdo moment. Kjo ka sjellë rritje të ndjeshme të produktivitetit dhe, në disa kompani, madje ka reduktuar nevojën për punësime të reja.
Megjithatë, përtej avantazheve, lindin pyetje thelbësore. Kush e zotëron një digital twin? A duhet të paguhen më shumë punonjësit që përdorin AI për të rritur produktivitetin e tyre? Kush mban përgjegjësi nëse një binjak digjital bën një gabim? Dhe sa akses duhet të kenë të tjerët në të dhënat personale që e formojnë atë?
Lexo edhe: A është gati Shqipëria për standardet europiane të ushqimit?
Ekzistojnë edhe qasje të ndryshme. Disa besojnë se individi duhet të jetë pronari i versionit të tij digjital dhe të përfitojë financiarisht nga përdorimi i tij, ndërsa të tjerë argumentojnë se çdo gjë e krijuar në kuadër të punës i përket kompanisë. Pavarësisht kësaj, është e qartë se vlera ekonomike e një punonjësi rritet ndjeshëm kur ai “shkallëzohet” përmes AI.
Nga ana ligjore, situata mbetet e paqartë. Nuk ka ende rregulla të mirëpërcaktuara për përdorimin e digital twins dhe shumë nga këto çështje pritet të zgjidhen në gjykata, rast pas rasti. Kjo krijon një zonë gri si për punonjësit, ashtu edhe për kompanitë, duke rritur rrezikun e konflikteve në të ardhmen.
Në fund, digital twins përfaqësojnë një hap të madh drejt transformimit të mënyrës si punojmë. Ata premtojnë më shumë efikasitet dhe mundësi, por njëkohësisht kërkojnë kujdes të madh në mënyrën si menaxhohen. Pyetja nuk është më nëse kjo teknologji do të bëhet pjesë e përditshmërisë, por si do të përshtatemi me një version digjital të vetes që punon paralelisht me ne.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto