Sabi, kapuçi që mund të lexojë mendimet e tua! - Business Magazine Albania

Sabi, kapuçi që mund të lexojë mendimet e tua!

Sabi, kapuçi që mund të lexojë mendimet e tua!

Një startup nga Kalifornia, i quajtur Sabi, po zhvillon një pajisje që mund të kthejë mendimet në tekst. Ideja është e thjeshtë, por shumë futuriste: të shkruash pa folur dhe pa përdorur tastierën, vetëm duke menduar.

Pajisja e parë që kompania po krijon është një lloj kapuçi (beanie), i cili vendoset në kokë dhe lidhet me kompjuterin. Sipas CEO-s, Rahul Chhabra, produkti mund të dalë në treg deri në fund të vitit. Ndërkohë, po punohet edhe për një version në formë kapeleje.

Teknologjia mbi të cilën bazohet quhet brain-computer interface (BCI), një mënyrë që lidh trurin direkt me një pajisje elektronike. Ndryshe nga kompani si Neuralink e Elon Musk, që zhvillojnë çipa të implantuar në tru, Sabi po ndjek një qasje më të thjeshtë dhe më të aksesueshme, pa ndërhyrje kirurgjikale.

Pajisja përdor EEG, ose elektroencefalografi, një metodë që lexon aktivitetin elektrik të trurit përmes sensorëve të vendosur në sipërfaqen e kokës. Sfida kryesore me këtë teknologji është se sinjalet e trurit dobësohen nga kafka dhe lëkura, gjë që e bën më të vështirë interpretimin e saktë të mendimeve.

Lexo edhe:Europa sfidon Big Tech: Eurosky synon të krijojë rrjetet sociale europiane

Për ta kapërcyer këtë, Sabi po përdor një qasje të pazakontë: rritjen masive të numrit të sensorëve. Ndërsa pajisjet tradicionale EEG kanë disa dhjetëra ose qindra sensorë, kapelja e Sabi pritet të ketë deri në 100 mijë sensorë shumë të vegjël, duke mundësuar një lexim shumë më të detajuar të aktivitetit të trurit.

Qëllimi fillestar është që përdoruesit të arrijnë një shpejtësi prej rreth 30 fjalësh në minutë. Edhe pse kjo është më e ulët se shkrimi normal, pritet që me përdorim të vazhdueshëm sistemi të përmirësohet dhe të përshtatet me mënyrën individuale të të menduarit.

Një nga sfidat më të mëdha mbetet fakti që çdo tru funksionon ndryshe. Edhe nëse dy persona mendojnë të njëjtën fjali, sinjalet e trurit nuk janë identike. Për këtë arsye, kompania po ndërton një model të avancuar të inteligjencës artificiale, i cili trajnohet me të dhëna nga shumë njerëz për të kuptuar modelet bazë të mendimit. Deri tani janë mbledhur rreth 100 mijë orë të dhëna nga 100 persona.

Investitori Vinod Khosla beson se kjo teknologji mund të ketë një ndikim të madh në të ardhmen, sidomos nëse bëhet e përdorshme për masën e gjerë. Sipas tij, komunikimi me kompjuterin vetëm përmes mendimit mund të jetë një nga aplikimet më të rëndësishme të kësaj fushe.

Megjithatë, sfidat mbeten. Pajisjet duhet të jenë të lehta për përdorim, të mos kërkojnë kalibrim të vazhdueshëm dhe të arrijnë një nivel të lartë saktësie për të kuptuar fjali të plota, jo vetëm komanda të thjeshta.

Në thelb, ky kapuç përfaqëson një hap drejt një realiteti ku mendimet mund të kthehen direkt në tekst dhe ku komunikimi me teknologjinë bëhet më i natyrshëm se kurrë më parë. Një ide që deri dje dukej si fantashkencë, sot po afrohet gjithnjë e më shumë me realitetin.

wired

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0