Nga Fatima Gorezi – 22 Prilli është Dita Ndërkombëtare e Tokës. Slogani për këtë vit: “Fuqia jonë, planeti ynë” nuk është slogan vetëm optimist. Është edhe një deklaratë politike. Progresi mjedisor nuk varet nga asnjë administatë apo zgjedhje e vetme. Ai ndërtohet nga veprimet e përditshme të komuniteteve, edukatorëve, bizneseve dhe familjeve. Ai ndërtohet ose rrënohet nga zgjedhjet tona, të vogla e të mëdha, çdo ditë.
Shifrat e 2025-ës e bëjnë të pamundur çdo qetësi të rreme sa i takon asaj se çfarë po ndodh me mjedisin. Viti i kaluar ishte i treti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Tre vjet rresht 2023, 2024, 2025 kanë mesataren e temperaturës globale mbi 1.5°C sipër niveleve para-industriale. Kjo është hera e parë në histori që tre vite rresht të tejkalojnë atë kufi, pikërisht atë kufi që ”Marrëveshja e Parisit” u betua ta mbrojë. Emetimet e CO₂ nga lëndët fosile arritën rekord të ri: 38.1 miliardë tonë. Përqendrimi i CO₂ në atmosferë ka arritur 425.7 ppm, 52% mbi nivelet para-industriale dhe niveli më i lartë në të paktën 800,000 vjet histori njerëzore.
Shqipëria ka bërë hapa ligjorë në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, diktuar kjo edhe nga direktivat dhe rekomandimet specifike për përmbushjen e objetivave për anëtarësimin në BE. Tranzicioni i gjelbër i ekonomisë sonë është i mbështetur nga angazhimet ndërkombëtare si Marrëveshja e Parisit, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor,
Ligji nr. 57/2025 “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” solli konceptin e ekonomisë qarkulluese si parim bazë ligjor dhe vendosi hierarkinë e mbetjeve sipas standardeve europiane: parandalim, ripërdorim, riciklim, rikuperim dhe, vetëm në fund, asgjësim. Mbi të, Ligji për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit (EPR), i miratuar pak kohë më parë, njëri nga ndryshimet më strukturore në kuadrin mjedisor të vendit detyron prodhuesit dhe importuesit të mbulojnë koston e plotë të menaxhimit të mbetjeve të produkteve të tyre: ambalazhit, baterive, pajisjeve elektronike, automjeteve. Çdo shishe plastike, çdo ambalazh, çdo bateri e hedhur dikush do të paguajë. Ligji thotë se ai dikush është ai që e ka hedhur atë produkt në treg.
Ky është zhvillim i rëndësishëm. Ai e kalon barrën nga qytetari si individ tek sistemi ekonomik dhe kjo është qasja e duhur. Por ligji është vetëm fillimi. Sepse në Shqipëri ende ekziston një hendek i dukshëm midis ligjit dhe kulturës. Shikoni çdo rrugë jashtë qendrave të mëdha urbane: mbetje të hedhura në anë, lumenj të ndotur, tokat bujqësore që shërbejnë si vend-depozitim informal.
Lexo edhe: Zhvillimi personal nuk është më motivim, është infrastrukturë!
Kjo nuk është dështim ligjor është dështim kulturor dhe institucional. Është produkt i dekadave ku mjedisi nuk kishte zë, ku gjoba nuk zbatohej, ku fëmija nuk mësonte në klasë pse NUK duhet të hidhet asgjë jashtë dritares. Ekonomia e gjelbër nuk ndërtohet vetëm me ligje. Ndërtohet me sjellje. Dhe ndryshimi i sjelljes kërkon diçka shumë më të vështirë se votim parlamentar: kërkon edukim, zbatim dhe vite konsistencë.
Edhe ndërkohë që disa qeveri bëjnë hapa prapa nga angazhimet klimatike, dinamika globale e ekonomisë po ndryshon. Energjia e rinovueshme ishte burimi që prodhoi gati 50% të energjisë elektrike të Europës në 2024. Çmimet e paneleve fotovoltaike kanë rënë mbi 90% në dhjetë vjet. Investimet në teknologji të gjelbër po tejkalojnë ato në lëndë djegëse fosile.
Ballkani Perëndimor mbetet i vonuar, por po lëviz. Korniza EPR është e dobët në rajon ndërkohë që BE kërkon zbatim të plotë nga vendet anëtare deri në 2027-2028. Për Shqipërinë, kjo nuk është çështje vetëm ambientale, por është çështje aksesi në tregun europian. Bizneset shqiptare që eksportojnë do të përballen gjithnjë e më shumë me barriera karboni dhe kërkesat e gjurmueshmërisë mjedisore. Të pagatshme, ato do ta humbasin garën.
“Fuqia është e jona”. Por çfarë bëjmë me të? Dita e Tokës 2026 na kujton se progresi mjedisor nuk pret administrata të duhura. Ai ndodh kur sistemi ligjor funksionon, kur biznesi e kupton se qëndrueshmëria nuk është kosto, por edhe është investim, dhe kur qytetari vendos të mos hedhë asgjë në rrugë jo sepse ka frikë nga gjoba, por sepse e ka kuptuar se toka nën këmbët tona nuk i takon askujt tjetër veçse atij brezit që vjen pas. Shqipëria ka ligjin. Ka angazhimin europian. I mungon ende ura e ndërmjetme: kultura, zbatimi, edukimi. Ndërtimi i asaj ure është puna jonë. Sot, nesër dhe çdo ditë tjetër … jo vetëm më 22 prill.
Opinion
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit/es dhe nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë qëndrimin editorial të Business Magazine.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto