Dikur dukej pak e sikletshme të thoshe që kishe qenë në një event zhvillimi personal. Shpesh lidhej me idenë e librave “ndihmo veten” dhe citateve motivuese në mure. Sot, shumë nga ata që i shohim si njerëz seriozë në biznes janë pikërisht pjesë e këtyre eventeve. Kjo nuk është rastësi dhe as thjesht një trend. Tregon që diçka po ndryshon në mënyrën si e shohim rritjen profesionale.
Kam vënë re diçka që nuk flitet sa duhet: ekosistemi ynë i biznesit nuk vuan nga mungesa e ideve apo talentit. Shqiptarët janë krijues, të adaptueshëm, të mbijetuar në kushte që do të thyenin shumë ekonomi të tjera. Problemi është diku tjetër. Vuajnë nga izolimi. Secili punon i mbyllur në atë hapësirën e vet, mendon se betejat e tij janë unike, heziston të ekspozohet sepse ekspozimi duket si dobësi. Ky mentalitet ka kosto të fshehur që nuk shfaqet në bilancin e kompanisë por ndihet çdo ditë.
Eventet e zhvillimit personal e thyejnë këtë mur në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Nuk është folësi ai që të “shpëton”. Shpesh është njeriu pranë teje në pushimin e kafes, që po kalon të njëjtin problem dhe ka provuar një rrugë tjetër. Është momenti kur kupton që nuk je vetëm në këtë rrugëtim. Dhe ky realizim, sado i thjeshtë, ndryshon mënyrën si kthehesh të hënën në zyrë.
Kur pashë sallën e “Mjeshtëro Biznesin” me Vasil Naci, nuk pashë njerëz pasivë që prisnin një formulë magjike. Pashë njerëz që kishin zgjedhur të investonin kohë dhe para te vetja, diçka që, në Shqipëri, ende kërkon një farë guximi. Sepse kultura jonë e biznesit shpesh mat investimin me makina apo prona, jo me mendësi. Kjo po ndryshon, por jo aq shpejt.
BusinessMag duket se e ka kuptuar këtë dhe po e trajton si diçka serioze, jo si një temë dytësore. Dhe kjo është zgjedhja e duhur. Sepse këto evente nuk janë thjesht për motivim. Janë pjesë e një kulture që po ndërtohet, ngadalë, por me qëllim.
Kapitali mund të vijë nga jashtë. Por kultura e biznesit ndërtohet këtu, me kohë, event pas eventi, bisedë pas bisede. Dhe çdo sallë e mbushur është një shenjë e vogël që diçka po ndryshon në drejtimin e duhur.
Opinion
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit/es dhe nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë qëndrimin editorial të Business Magazine.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto