Shqipëria dhe ''dragoi kinez'', mes kujtesës historike dhe realitetit të investimeve minimale - Business Magazine Albania

Shqipëria dhe ”dragoi kinez”, mes kujtesës historike dhe realitetit të investimeve minimale

Ndërmjet mitit të depërtimit ekonomik dhe realitetit të shifrave, çfarë tregojnë të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë për investimet kineze në vend?

Shqipëria dhe Kina vijnë nga një marrëdhënie e gjatë dhe e ngarkuar historikisht; dy shtete komuniste të bashkuara nga ideologjia, por edhe nga interesi strategjik gjatë dekadave të Luftës së Ftohtë. Mbi 400 vepra industriale u ngritën me kreditë dhe investimet kineze: nga Uzina e Nitratit të Amonit në Fier deri te Kombinati Metalurgjik në Elbasan. Ai bashkëpunim ka lënë gjurmë të thella. Por sot, kur pyesim se si qëndron vërteta e ”pranisë kineze”, shifrat flasin ndryshe nga retorika.

Ekziston një perceptim i gjerë publik se Kina vazhdon të jetë prezente në Shqipëri me investime të mëdha strategjike. Diskutimet politike, media dhe deklaratat e ekspertëve shpesh portretizojnë një “dragua” ekonomik që zgjat krahët edhe drejt Tiranës. Por kur hapet raporti i Pozicionit të Investimeve Ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë, burimi më i besueshëm statistikor për investimet e huaja direkte, pamja ndryshon rrënjësisht.

Rritja e IHD-ve 
Stoku total i Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në Shqipëri ka shënuar rritje të jashtëzakonshme gjatë dekadës së fundit, nga rreth 4.1 miliard euro në fillim të 2014, deri në 16.99 miliard euro në fund të 2025. Kjo është një rritje prej mbi 315% brenda 11 vjetësh. Rritja u përshpejtua veçanërisht pas 2021, duke pasqyruar besim në rritje të investitorëve të huaj ndaj ekonomisë shqiptare.

Lexo edhe: Energjia e erës shënon rritje rekord gjatë 2025-ës, Kina dominon zgjerimin global

Pesë investitorët kryesorë në vend sipas stokut të tremujorit të fundit të 2025-ës janë Holanda me 2,761 milion euro, Zvicra me 2,348 milion euro, Kanadaja me 2,059 milion euro, Italia me 1,893 milion euro dhe Turqia me 1,407 milion euro. Dominanca e Holandës dhe Zvicrës shpesh lidhet me strukturat holding ndërkombëtare, jo domosdoshmërisht me investime operative direkte në Shqipëri.

Kina, fabrika e botës, por jo e Shqiperisë

Stoku i investimeve kineze në fund të vitit 2025 është vetëm 8 milion euro,  rreth 0.05% e totalit të IHD-ve. Për krahasim, edhe Kosova me një ekonomi shumë herë më të vogël ka një stok investimesh në Shqipëri prej 584 milion eurosh, 73 herë më shumë se Kina. Holanda e tejkalon Kinën me mbi 345 herë. Në fillim të 2014, Kina kishte vlera negative, çka tregon se detyrimet tejkalonin aktivet. Stoku arriti pikun e tij historik të regjistruar , 8 milion euro në fund të 2017, pastaj ra sërish. Nga 2023 ka nisur një rikuperim modest, por shifrat mbeten simbolike.

Përgjatë periudhës 2013–2024, AIDA ka trajtuar disa shprehje interesi nga investitorë kinezë, por nuk janë materializuar në investime konkrete. Thënë këtë edhe në kuadër të ligjit për investimet strategjike, AIDA nuk ka trajtuar asnjë aplikim kinez për marrjen e statusit “Investitor Strategjik”. Sipas Regjistrit Kombëtar Tregtar, rezultojnë 178 biznese me të paktën një ortak me shtetësi kineze, aktive në Shqipëri. Pjesa më e madhe operojnë në tregti me shumicë e pakicë dhe industri përpunuese, jo në sektorë strategjikë.

Konteksti gjeopolitik dhe alarmi evropian
Bashkimi Evropian e ka identifikuar Kinën si “partnere bashkëpunimi”, “konkurrente ekonomike” dhe “kundërshtare sistematike” në aspektin politik. Ky tension mes varësisë dhe konkurrencës është bërë një nga temat qendrore të politikës ekonomike globale. Nga njëra anë, Kina mbetet “fabrika e botës”, me kapacitet të madh prodhimi, inovacioni dhe eksporti. Nga ana tjetër, vendet perëndimore e shohin këtë dominim si një rrezik strategjik për sigurinë ekonomike dhe zinxhirët e furnizimit.

Shqetësimi kryesor nuk është prania direkte kineze në Shqipëri, por mundësia e përdorimit të vendeve të Ballkanit si kanale për të anashkaluar kufizimet tregtare të BE-së , falë marrëveshjeve të tregtisë së lirë që rajoni gëzon me vendet e BE.

Kina ka një politikë ekspansive që synon vendosjen e shteteve nën një regjim dominimi politik nëpërmjet investimeve ekonomike. Rasti i Malit të Zi, ku BE u detyrua të ndërhynte për të shlyer kredinë kineze për autostradat shërben si paralajmërim i qartë për rreziqet e modelit kinez të financimit.

Në këtë kontekst, Shqipëria mbetet në një pozicion të veçantë: e integruar fort në zinxhirët ekonomikë evropianë, por me një lidhje minimale me Kinën në aspektin e investimeve direkte. Edhe përpjekjet e Pekinit për të zgjeruar praninë e tij në rajon përmes iniciativave si “Një brez, një rrugë” nuk janë shoqëruar me projekte të mëdha të materializuara në vend.

E vërteta, sipas të dhënave zyrtare, është kjo: dragoi kinez ekziston si narrativë politike dhe si shqetësim gjeopolitik i justifikueshëm, por jo si realitet investues në Shqipëri.  Shifrat e Bankës së Shqipërisë janë dëshmi e qartë: me 8 milion euro stok, ndikimi kinez mbetet, për momentin, i kufizuar në fushën financiare, edhe nëse sfida strategjike dhe tregtare e Kinës për Europën mbetet reale dhe e pranishme.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0