Rritja e dhunës mes adoleshentëve/ A duhet të futet “Media Sociale” si lëndë në shkolla? - Business Magazine Albania

Rritja e dhunës mes adoleshentëve/ A duhet të futet “Media Sociale” si lëndë në shkolla?

Në dekadat e fundit, roli i mediave sociale në jetën e të rinjve ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si ata komunikojnë, informohen dhe ndërveprojnë me botën. Ndërsa disa e shohin këtë si një mjet të fuqishëm për shprehje, kreativitet dhe mësim, të tjerë shqetësohen për efektet negative në shëndetin mendor dhe sjelljen, sidomos mes adoleshentëve. Edhe Shqipëria vitet e fundit, ka përjetuar një valë në rritje të dhunës ndërmjet adoleshentëve, gjë që ka alarmuar familjen, shkollat, por edhe autoritetet.

Raste të dhunshme midis bashkëmoshatarëve si vrasja e një 14-vjeçari nga një bashkëmoshatar në Maliq, më gusht 2025, vrasja e M.C pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë në nëntor 2024 apo edhe konflikte të tjera mes adoleshentëve me thika dhe plagosje në qytete të tjera, janë një shuplakë alarmi për mungesën e masave parandaluese efektive dhe mbështetjen psikologjike për të rinjtë. Në të gjitha rastet mediat sociale kanë qenë një faktor; aty të rinjtë ose janë konfliktuar ose në raste të tjera ka shërbyer si mjeti ku kanë vazhduar konfliktin deri në përshkallzim hera-herës edhe në fatalitet.

E gjithë kjo situatë shtron pyetjen e rëndësishme: a duhet të futet mediat sociale si lëndë e veçantë në kurrikulën e shkollave?

Migena Kapllanaj, studjuese e shkencave sociale, thotë se përdorimi i rrjeteve sociale është bërë pothuajse i pandashëm nga rutina e adoleshentëve: rreth 50% e të rinjve në SHBA i përdorin ato çdo ditë, dhe 1 në 5 e kontrollon në mënyrë pothuajse të vazhdueshme (Pew Research Center, 9 dhjetor 2025). Nga kjo kuptohet qartë se edukimi mbi përdorimin e këtyre mjeteve nuk është opsional, por një nevojë e domosdoshme.

Për Shqipërinë, mungojnë të dhëna të përditësuara dhe të detajuara për përdorimin e mediave sociale nga fëmijët dhe adoleshentët. Megjithatë, sipas studimit “Bota e Fëmijëve (ISCWEB, 2021 )”, realizuar në vitin 2021 edhe në Shqipëri me nxënës të moshave 9-13 vjeç, rreth 20% e fëmijëve shqiptarë raportojnë se përdorin mediat sociale çdo ditë, ndërsa shpeshtësia e përdorimit rritet me rritjen e moshës. Veçanërisht pas vitit 2020, përdorimi i teknologjisë është rritur ndjeshëm në mbarë botën. Sipas të dhënave të INSTAT (2025), vitet e fundit është vërejtur një rritje e konsiderueshme e përdorimit të internetit, si në aspektin e kohës së shpenzuar online, ashtu edhe të diversitetit të aktiviteteve të kryera në internet dhe llojit të pajisjeve digjitale të përdorura. ”-thekson ajo.

Lexo edhe: 14-vjeçari që po u mëson fëmijëve si ndërtohet suksesi para se të rriten

Shumë vende kanë nisur të vendosin politika për të kufizuar përdorimin e hershëm të rrjeteve sociale, të nxitura nga shqetësimet për mirëqenien emocionale dhe sigurinë online (New York Times, Dhjetor 2025), ku së fundmi Australia mori vendimin që mos të lejojë mediat sociale për të rinjtë nën 16 vjeç. Kjo tregon se edhe Shqipëria duhet të marrë masa për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, sepse përdorimi i pakontrolluar i këtyre platformave mund të sjellë bullizim online, keqpërdorim të të dhënave personale dhe ekspozim ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme.

Kapllanaj thekson se edukimi për përdorimin e mediave sociale duhet të përfshijë njohjen e rreziqeve, pasojat e përdorimit të tepruar, menaxhimin e përmbajtjes dhe sigurinë online. Në këtë mënyrë, shkolla mund të transformohet në një mjedis ku fëmijët mësojnë të përdorin rrjetet sociale në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme.

Përveç rreziqeve, rrjetet sociale ofrojnë mundësi pozitive: lidhje me miqtë, forma të reja ndërveprimi dhe njohje me realitete të ndryshme. Kjo tregon se mësimi mbi mediat sociale nuk duhet të fokusohet vetëm te pengesat, por edhe te aftësia për t’i përdorur ato me mençuri.

Çdo ndërhyrje në programet e edukimit të fëmijëve duhet të jetë e studiuar mirë, e testuar dhe e mbështetur në të dhëna empirike, të cilat mblidhen dhe vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet se po ndjekim drejtimin e duhur për të mbrojtur mirëqenien e tyre dhe për ti pergatitur si duhet për të ardhmen.”- thotë Kapllanaj

Edukimi mediatik dhe arsyeja për të mësuar mbi mediat sociale

Shoqëria moderne i ekspozon fëmijët ndaj një gamë të gjerë përmbajtjesh mediatike, nga lajmet dhe reklamat deri te postimet në rrjetet sociale, shpesh pa udhëzime për të kuptuar apo vlerësuar këtë informacion. Edukimi mbi mediat, i cili përfshin aftësitë për të analizuar, vlerësuar dhe komunikuar në mënyrë kritike mesazhet mediatike, është propozuar si një mënyrë për të luftuar shpërndarjen e dezinformatave dhe ndikimin e dëmshëm të përmbajtjeve online. Pa këto kompetenca, nxënësit rrezikojnë të gabojnë mes faktit dhe trillimit, ose të bien pre e manipulimit në internet.

Raportet e fundit nga vende si Britania e Madhe raporton The Guardian sugjerojnë se ndikimi i mediave sociale në sjelljen dhe mirëqenien e të rinjve është shqetësues. Autoritetet e arsimit raportojnë se përdorimi i pandërprerë i telefonave dhe rrjeteve sociale lidhet me uleje të vëmendjes, shpërqendrime në klasë, çrregullime të gjumit dhe sjellje problematike, duke ndikuar negativisht në procesin mësimor dhe jo vetëm.

Ky kontekst nxit argumentin se edukimi mbi mediat sociale nuk duhet të jetë vetëm një lëndë “si të gjitha të tjerat”, por duhet të jetë pjesë e një programi edhe më të gjerë për digital literacy dhe edukim mediatik, i cili ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësi kritike dhe vetëdije për përdorimin e teknologjisë, përfshirë edhe sigurinë dhe privatësinë online.

Pse mediat sociale duhet të jenë pjesë e kurrikulës

Në një botë ku teknologjia digjitale dhe rrjetet sociale formësojnë mënyrën se si të rinjtë komunikojnë, informohen dhe ndërveprojnë, integrimi i një kursi që trajnon përdorimin e sigurt, kritik dhe efektiv të mediave sociale është një hap i arsyeshëm. Një lëndë e tillë mund të ndihmojë nxënësit:

  • të njohin rreziqet e dezinformatave dhe manipulimit të informacionit në internet,

  • të zhvillojnë mendim kritik mediatik dhe kompetenca digjitale,

  • të kuptojnë mekanizmat dhe algoritmet që ndikojnë në përmbajtjen që shohin online,

  • të përdorin platforma sociale për qëllime edukative dhe produktive.

Në vend që t’i injorojë sfidat e teknologjisë, shkolla mund t’i pajisë të rinjtë me mjete për të menaxhuar ndikimin e saj në mënyrë të mençur dhe të sigurta në jetën e tyre personale dhe profesionale.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0