Në një kohë kur diaspora shqiptare po shihet gjithnjë e më shumë si një aktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit, përfaqësues të institucioneve financiare po theksojnë nevojën për ta kthyer këtë potencial në ndikim konkret.
Në kuadër të Samitit të Diasporës Shqiptare, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, mori pjesë në panelin “Diaspora shqiptare si partner mbështetës për integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, ku vuri në fokus rolin strategjik të emigrantëve shqiptarë në ekonominë e vendit.
Sipas saj, diaspora përfaqëson një burim të rëndësishëm si të kapitalit njerëzor, ashtu edhe financiar. Remitancat vijojnë të kenë një peshë të konsiderueshme në ekonominë shqiptare, duke ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat familjare dhe në produktin e brendshëm bruto.
Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë reformash që synojnë formalizimin dhe rritjen e efikasitetit të kanaleve të dërgimit të remitancave. Objektivi është i qartë: ulja e kostove të transfertave dhe zgjerimi i aksesit në shërbimet financiare, duke i kthyer këto të ardhura në një instrument për zhvillim afatgjatë dhe reduktim të varfërisë.
Një tjetër fokus i rëndësishëm mbetet zhvillimi i sistemit të pagesave dhe inovacionit financiar. Ahmetaj theksoi hartimin e strategjisë për pagesat me vlerë të vogël, përmirësimin e kuadrit ligjor për shërbimet e pagesave dhe nxitjen e sektorit fintech, si elementë që mund të rrisin përfshirjen financiare, veçanërisht në zonat më pak të mbuluara.
Lexo edhe: Polisteroli, “kapota” e lirë që digjet si letër, pse Evropa e ka ndaluar përdorimin
Në këtë linjë, një nga zhvillimet më të rëndësishme mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në zonën SEPA, një hap që e afron vendin me standardet financiare të Bashkimit Europian. Ky integrim pritet të sjellë ulje të kostove të transfertave ndërkufitare, rritje të efikasitetit të pagesave dhe më shumë hapësirë për inovacion në treg.
Ahmetaj ndaloi gjithashtu te rëndësia e kapitalit njerëzor dhe transferimit të njohurive, duke e konsideruar diasporën si një urë lidhëse për integrimin e Shqipërisë në zinxhirët globalë të prodhimit dhe për përthithjen e praktikave më të mira ndërkombëtare.
Në përmbyllje, ajo theksoi se sistemi financiar shqiptar është i gatshëm të mbështesë iniciativa inovative dhe projekte zhvillimi, duke inkurajuar një bashkëpunim më të ngushtë me diasporën, me synimin për ta kthyer këtë potencial në një motor real të zhvillimit të qëndrueshëm.
BSH
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto