Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm mbi nivelin e 100 dollarëve për fuçi, ndërsa tregjet globale kanë reaguar negativisht pas dështimit të bisedimeve për armëpushim mes Shtetet e Bashkuara dhe Iranit. Në të njëjtën kohë, monedha hungareze ka shënuar forcim të dukshëm pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare në Hungari.
Raportimet për një bllokadë të mundshme të Ngushticës së Hormuzit nga SHBA kanë nxitur rritjen e çmimeve të naftës dhe rënie në tregjet aksionare. Brent dhe WTI, dy standardet kryesore globale, janë ngjitur mbi 100 dollarë për fuçi, me rritje përkatësisht rreth 7% dhe 8% gjatë tregtimit të mëngjesit në Europë.
Ky zhvillim vjen ndërsa ushtria amerikane përgatitet të vendosë një bllokadë për anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane, një vendim i shpallur nga presidenti Donald Trump pas dështimit të negociatave për armëpushim në Pakistan. Bllokada pritet të hyjë në fuqi duke përfshirë të gjitha portet iraniane.
Lexo edhe: Fundi i epokës Orbán/Magyar fiton zgjedhjet në Hungari
Që prej fundit të shkurtit, trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është penguar ndjeshëm, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi çmimet e energjisë. Brent ka kaluar nga rreth 70 dollarë për fuçi para konfliktit në mbi 119 dollarë në disa momente.
Analistët paralajmërojnë një zhvendosje të qartë drejt “risk-off” në tregje, me investitorët që shmangin asetet me rrezik të lartë. Rritja e çmimeve të naftës ka rikthyer frikën për një goditje stagflacioniste, duke ndikuar negativisht si në tregjet e aksioneve, ashtu edhe në ato të obligacioneve.
Në anën tjetër, zhvillimet politike në Hungari kanë sjellë një reagim pozitiv në tregun valutor. Forinti është forcuar ndjeshëm pasi Péter Magyar dhe partia e tij Tisza siguruan një fitore dërrmuese, duke i dhënë fund sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbán dhe partisë së tij Fidesz.
Euro ra në 366.18 forintë, nga 377.56 një ditë më parë, ndërsa indeksi kryesor i bursës hungareze u rrit me 2.85%, në kundërshtim me trendin negativ në pjesën tjetër të Europës. Investitorët e shohin këtë ndryshim politik si një hap drejt një orientimi më pro-BE dhe forcimit të bashkëpunimit me Brukselin.
Ndërkohë, monedha europiane dhe paundi britanik kanë shfaqur dobësi ndaj dollarit amerikan, duke reflektuar pasiguritë në rritje në tregjet ndërkombëtare.
Tregjet aksionare në Europë dhe Azi e nisën javën në territor negativ. Indekset kryesore si FTSE 100 në Londër, DAX në Frankfurt dhe CAC 40 në Paris shënuan rënie, ndërsa edhe tregjet aziatike, përfshirë Nikkei në Japoni dhe Hang Seng në Hong Kong, pësuan humbje.
Ekspertët paralajmërojnë se paqartësia gjeopolitike dhe tensionet në Lindjen e Mesme pritet të mbajnë tregjet në një gjendje të paqëndrueshme edhe në ditët në vijim.
Java aktuale konsiderohet vendimtare për tregjet globale, me vëmendjen e investitorëve të përqendruar tek zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, të dhënat mbi inflacionin në SHBA dhe publikimi i rezultateve financiare nga kompani të mëdha si JPMorgan Chase, Goldman Sachs dhe Bank of America.
Në të njëjtën kohë, takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Uashington dhe publikimi i raportit “World Economic Outlook” pritet të japin sinjale të rëndësishme mbi qëndrueshmërinë e ekonomisë globale në një kontekst të tensionuar gjeopolitik.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto