Buxheti i shtetit arkëtoi të paktën 3.3 mln euro më shumë TVSH... - Business Magazine Albania

Buxheti i shtetit arkëtoi të paktën 3.3 mln euro më shumë TVSH në mars, nga shtrenjtimi i naftës

Ndërsa përdoruesit e automjeteve kanë shpenzuar më shumë nga buxheti i tyre për të blerë karburant, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve, buxheti i është gëzuar një rritjeje më të lartë të të ardhurave, si nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), ashtu dhe nga akciza.

Lexo gjithashtu: Ferma Sotira, një model frymëzues për gratë sipërmarrëse në turizëm

Të dhënat zyrtare të doganave bënë të ditur se importet totale të naftës në muajin mars ishin 53.6 mijë ton, me një rritje të lehtë prej 2.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës në blerje, (çka bëri që çmimi në tregun e pakicës të arrijë në mesatarisht 200 lekë/litër në mars, nga 175 lekë në shkurt, me rritje 14.5%), të ardhurat nga TVSH në doganë janë zgjeruar me ritme shumë më të shpejta. Në mars, të ardhurat nga TVSH mbi naftën, që mblidhen në doganë arritën në 1.93 miliardë lekë, me një rritje prej 22.%, ose 359 milionë lekë më shumë. Duke e zhveshur nga efekti i rritjes së importeve prej 2.8%, të ardhurat shtesë vetëm nga shtrenjtimi i çmimeve në mars ishin rreth 320 milionë lekë, ose rreth 3.3 milionë euro.

Kjo është e ardhura shtesë vetëm nga TVSh e mbledhur në doganë, që llogaritet mbi çmimin e blerjes plus taksa (akciza 39.4 lekë dhe taksa e qarkullimit 27 lekë/litër). Më pas, sipas operatorëve, këtij çmimi i shtohen shpenzimet e operimit dhe fitim, që janë minimalisht 5 lekë/litër tek shumica dhe 18 lekë te pakica, mbi të cilat llogaritet dhe TVSH-ja. Si rrjedhojë, në çmimin final, vlerës së mbledhur në doganë i shtohet dhe rreth 30%, pra shuma e paguar TVSh shtesë vetëm nga rritja e çmimit në mars ishte rreth 4.3 milionë euro.

TVSH është një taksë mbi konsumin që përfshihet në çmimin final të produkteve dhe shërbimeve dhe, ndonëse mblidhet e derdhet në shtet nga prodhuesi ose tregtuesi, në fund i kalohet konsumatorit përmes çmimit që ai paguan.

Sipas të dhënave nga Bordi i Transparencës, bazuar në formulën e llogaritjes së çmimit, kur treguesi Platts, që është referenca e blerjes së naftës në vend, arriti në 1410 dollarëve/ton, TVSH e paguar vetëm në doganë ishte rreth 34 lekë për litër, për një çmim final prej rreth 220 lekë për litër (kufiri ku fillon të llogaritet akciza e reduktuar).

Për krahasim, në fund të shkurtit, përpara fillimit të krizës në Lindjen e Mesme, kur Platts ishte 770 dollarë për ton, TVSH e paguar në doganë ishte 25 lekë/litër, ose 9 lekë për litër më pak. Pra, për një shtesë çmimi prej 45 lekë/litër, vetëm TVSh e paguar shtesë ishte 9 lekë.

TVSH e marrë shtesë kompenson tërësisht uljen e akcizës me 20%

Krahas TVSH-së, buxheti i shtetit ka arkëtuar më shumë dhe nga akciza. Nga janari, akciza u indeksua me inflacionin, duke u rritur me 1.5%, për të arritur në 39.4 lekë pa TVSH, ose 0.6 lekë më shumë. Kjo bëri që në janar, të ardhurat nga akciza të rriten me 1.51%, ndonëse importet ranë me 4.6%, ndërsa në shkurt tkurrja ishte më e ulët se rënia e importeve. Në mars, të ardhurat nga akciza u rritën më 8.76%, me ritme më të larta sesa importet (shiko tabelën).

Qeveria ndërkohë miratoi vendimin që nëse çmimi i naftës kalon mbi 220 lekë, akciza ulet me 20%, më një kursim prej 9.4 lekë (përfshirë dhe TVSH-në). Por ky vendim u zbatua vetëm për 5 ditë, ndonëse vetëm nga TVSH e marrë shtesë nga çmimi, buxheti do të kompensonte tërësisht ketë ulje.

Nga njëra anë, qeveria ka zgjedhur të mos mbajë asnjë kosto, duke përfituar nga rritja e të ardhurave. Nga ana tjetër, këto të ardhura që i ka marrë shtesë nga përdoruesit e automjeteve, të paktën deri tani nuk ka preferuar që tua kthejë mbrapsht taksapaguesve në një formë apo tjetrën. Vetëm një ditë më parë, qeveria u detyrua që të premtojë kompensim 50 lekë për litër për transportin publik, pasi operatorët reduktuan ndjeshëm numrin e autobusëve në qarkullim, duke shkaktuar kaos në lëvizjen e qytetarëve.

Konsumatorët paguan 11 mln euro më shumë

Ndryshe nga buxheti i shtetit që ka arkëtuar më shumë të ardhura në mars, si rrjedhojë e shtrenjtimit të çmimeve, xhepat e konsumatorëve janë rënduar. Të dhënat zyrtare nga Dogana bënë të ditur se konsumi i naftës në mars ishte 35.8 mijë ton, nga 33.8 mijë ton në të njëjtin muaj të një viti më parë, me një rritje prej gati 6%.

Në mars, konsumi ishte 35.8 mijë ton, ose rreth 42.4 milionë litra. Për të blerë këtë sasi, përdoruesit e mjeteve kanë shpenzuar rreth 8.5 miliardë lekë, ose rreth 87 milionë euro, me një çmim mesatar prej 200 lekë për litër. Nëse këtë sasi do e kishin blerë me çmimin prej 175 lekë, shpenzimi do të ishte 7.4 miliardë lekë, ose 1.05 miliardë lekë (rreth 11 milionë euro) më pak.
monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0