Një zjarr masiv shkrumboi dje një prej godinave të kompleksit “Arlis” në zonën e njohur si “Farmacia 10” pranë QSUT-së në Tiranë. Flakët, që nisën nga kati i parë ngjitur me një market, u përhapën me shpejtësi të frikshme deri në katin e 12-të, duke lënë pas hi, dhimbje dhe lot te banorët. Rreth 30 banesa u prekën rëndë, dëmet materiale llogariten në miliona euro dhe në orët në vijim pritet bilanci i plotë i dëmeve. Nuk raportohet për viktima, por 11 banorë u paraqitën në QSUT me djegie të lehta dhe asfiksi, ndërsa një grua u lëndua më rëndë. Zjarrfikësit, të mbështetur nga kolegë nga Vora dhe Kamza si dhe dy helikopterë Cougar, luftuan me 3 autoshkallë për të evakuuar banorët e bllokuar në kate të larta.
Policia ka shpallur në kërkim ndërtuesin e kompleksit, Armando Lilo, ndërsa ka arrestuar menaxheren e marketit (ku dyshohet se ka nisur zjarri), administratorin e pallatit dhe dy persona të tjerë. Shkaku i saktë i nisjes së zjarrit mbetet i paqartë, por deri më tani dyshimet janë se erdhi nga një kuti shpërndarjeje e energjisë elektrike ose bombola gazi pranë hapësirës së jashtme të marketit.
Megjithatë përtej shkakut, faktori kryesor i përhapjes së flakëve deri në çati brenda pak minutash ishte materiali i fasadës. Veshja e jashtme e bardhë u shkrumbua tërësisht, e kuqja rezistoi vetëm pjesërisht, ndërsa shtresa e brendshme me lesh xhami nuk u dogj plotësisht. Banorët tashmë janë pa shtëpi, në qiell të hapur, pa një zgjidhje të menjëhershme strehimi.
Kryeministri Edi Rama reagoi sot duke premtuar se pallati do të rindërtohet nga vetë ndërtuesi, pohim që u konfirmua disa orë më vonë edhe nga vetë shoqëria ”Arlis” në një deklaratë të shpërndarë në mediat e tyre sociale . Por kjo nuk është hera e parë që një godinë “moderne” me fasadë të tillë bëhet shkrumb e hi. Është hera e dytë në pak kohë që një zjarr i tillë përsëritet në Tiranë, duke ngritur pyetjen: sa të sigurta janë pallatet tona të reja?
Polisteroli, “kapota” e lirë që digjet si letër, hera e dytë që ndodh në pak kohë
Ky zjarr nuk është aksident i rastit. Është pasojë e një modeli ndërtimi që prioritet i jep çmimit të ulët ndaj sigurisë. Materiali është polistiroli (EPS – Expanded Polystyrene), një izolues termik shumë i përdorur në fasadat e pallateve të reja në Shqipëri (sistemi i njohur si “kapotë” ose ETICS). Sipas inxhinierëve , polistiroli është material plastik i lehtë, prodhuar nga granula stireni që zgjerohen me avull, me veti të shkëlqyera izoluese termike dhe akustike. Përdoret gjerësisht për veshjen e jashtme të mureve, çati, dysheme dhe soleta sepse është i lirë, i lehtë për t’u instaluar dhe ofron izolim efektiv në klimën shqiptare (rekomandohet trashësi 10 cm).
Por nga ana tjetër polisteroli është shumë i ndezshëm. Ai kontribuon në përhapjen e shpejtë të zjarrit, çliron tym toksik (monoksid karboni dhe gazra helmues) dhe digjet si letër nëse shtresa mbrojtëse dëmtohet. Në ndërtimet moderne, polisteroli shpesh mbulohet me shtresa mbrojtëse, por nëse këto shtresa dëmtohen ose neglizhohen gjatë ndërtimit, mund të krijohen rreziqe.
Në Shqipëri, polistiroli përdoret masivisht sepse kushton shumë më pak se alternativat si poliuretani (që është më rezistent ndaj zjarrit). Cilësia e ndërtimit në vend mbetet e ulët për shkak të mungesës së kontrollit të rreptë nga institucionet: investitorët zgjedhin materiale të lira, pa respektuar standarde strikte anti-zjarri.
Po në Evropë?
Në Evropë dhe botë, situata është ndryshe. Pas tragjedisë së Grenfell Tower në Londër (2017, 72 të vdekur), Britania e Madhe ndaloi plotësisht materialet e ndezshme në fasadat e ndërtesave mbi 18 metra (dhe më vonë e uli kufirin në 11 metra). Gjermania, Çekia, Kroacia dhe disa vende të tjera e kanë ndaluar përdorimin e materialeve të ndezshme në fasada.
Në vendet si Holanda, Greqia dhe Belgjika, rregullat fokusohen në sistemin e tërë të fasadës, por tendenca është drejt ndalimit të EPS-it të pastër.
Ky është zjarri i dytë i tillë në pak kohë në Tiranë (pas një incidenti të ngjashëm në një pallat po të shoqërisë “Arlis” dhe zjarreve të tjera të përsëritura në pallate me fasada moderne). Paralajmërimet ekzistojnë prej vitesh, rreziku është real dhe i parashikueshëm. Banorët paguajnë me shtëpitë e tyre kostot e ndërtimit të lirë. Koha është të ndryshojë: të forcohen ligjet, të ndalohen materialet e ndezshme në fasadat e larta, të rritet kontrolli i Inspektoriatit të Ndërtimit dhe të sigurime të detyrueshme për banesat. Sepse herën tjetër mund të mos ketë vetëm hi e lot, por edhe jetë të humbura.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto