Reality show si pasqyrë e një shoqërie që po harron të mendojë - Business Magazine Albania

Reality show si pasqyrë e një shoqërie që po harron të mendojë

Nga Joniada Koçi- Në një realitet mediatik ku vëmendja shpesh barazohet me vlerën, po konsolidohet një fenomen shqetësues: normalizimi i injorancës si formë argëtimi. Ekrani, që dikur kishte edhe rol edukues-formues, sot në shumë raste është kthyer në një hapësirë ku fjala humbet peshën, mendimi zëvendësohet nga reagimi i çastit dhe kultura nga një spektakël i zbrazët.
Ky nuk është thjesht problem formatesh apo individësh të caktuar. Është një simptomë më e thellë shoqërore. Kur njerëz pa përgatitje minimale kulturore vendosen në qendër të vëmendjes për javë të tëra, duke u kthyer në modele të dukshmërisë publike, mesazhi që përcillet është i qartë dhe i rrezikshëm: nuk ka rëndësi çfarë di, por sa zhurmë bën. Në këtë mënyrë krijohet një standard i ri, ku mediokriteti jo vetëm tolerohet, por shpërblehet.

Pasojat nuk mbeten vetëm në ekran. Këto formate ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën si mendojmë, si komunikojmë dhe si ndërtojmë marrëdhënie në shoqëri, në punë, në jetën e përditshme. Bisedat bëhen më të varfra, më të shkurtra, më banale. Dialogu zëvendësohet nga replika, ndërsa argumenti nga emocionet e momentit. Edhe vetë dinamika që promovohet shpesh e përqendruar te krijimi i historive të shpejta romantike, deri në banalitet tregon një varfëri imagjinate dhe një ulje të pritshmërive për atë që konsiderohet “interesante”.

Në këtë panoramë, shfaqja e një figure si Mimoza Ahmeti krijon një çarje të dukshme. Prania e saj nuk është thjesht një kontrast estetik apo intelektual është një ndërhyrje që ekspozon boshllëkun përreth. Ajo sjell një mënyrë tjetër të të menduarit dhe të të shprehurit: një diskurs që kërkon vëmendje, një ironi të hollë dhe një thellësi që nuk mund të imitohet.

Përballë kësaj pranie, të tjerët detyrohen të ripozicionohen. Fjala fillon të peshohet më shumë, reagimi bëhet më i kujdesshëm dhe në sfond ndihet një lloj pasigurie: a janë të përgatitur për të përballuar një komunikim që kërkon më shumë se spontanitet? Krijohet një tension i heshtur, që nuk buron nga konflikti, por nga diferenca në formim.

Lexo edhe: Editorial: Shqipëria… e brezit që po vjen!

Kjo diferencë pasqyron edhe një ndarje më të thellë mes brezave. Brezi i Mimoza Ahmetit është rritur me idenë se leximi dhe formimi intelektual janë pjesë thelbësore e dinjitetit personal. Ndërsa sot, gjithnjë e më shpesh, shohim një largim nga ky investim. Të rinjtë nuk janë më pak të aftë, por jetojnë në një realitet që nuk ua kërkon thellësinë: shpejtësia ka zëvendësuar reflektimin, dukja ka zëvendësuar përmbajtjen dhe informacioni i shpërndarë ka zëvendësuar dijen e strukturuar.

Kështu, ajo që shohim në ekran nuk është thjesht zgjedhje televizive, por reflektim i një kulture në zhvendosje. Dhe rreziku më i madh nuk është ekzistenca e këtij niveli, por pranimi i tij si normë. Sepse kur banaliteti bëhet standard, çdo përpjekje për thellësi duket e tepërt.

Prandaj, raste si ai i Mimoza Ahmetit nuk duhen parë si përjashtime dekorative, por si sinjale alarmi. Ato tregojnë se një tjetër nivel është i mundur dhe se mjafton prania e një individi të formuar për të ndryshuar, qoftë edhe përkohësisht, klimën e një hapësire të tërë.

Në fund, pyetja mbetet thelbësore: çfarë po zgjedhim të konsumojmë dhe të pranojmë si normale? Sepse mënyra si argëtohemi sot, formëson mënyrën si do të mendojmë dhe do të komunikojmë nesër.

*Joniada Koçi është eksperte PR me mbi një dekadë përvojë në media dhe komunikim publik

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0