Edicioni i shtatë i Leadership Forum, i organizuar nga JM Solutions, u zhvillua dje në Hilton Garden Inn, Tiranë, duke mbledhur drejtues të lartë nga biznesi, teknologjia dhe sektori publik në një diskutim që nuk mund të shtyhet më: si t’i japim Inteligjencës Artificiale një drejtim njerëzor, në një moment kur ajo po bëhet gjithnjë e më autonome në vendimmarrje dhe procese.
Me mbi pesë orë diskutime të strukturuara, panele me ekspertë nga Shqipëria dhe rajoni, si dhe nënshkrimin e një deklarate të përbashkët mbi AI-në me etikë, Forumi i këtij viti u pozicionua si një nga ngjarjet më referuese të agjendës digjitale shqiptare për vitin 2026. Diskutimi nuk u kufizua në teknologji, por u shtri në ekonomi, qeverisje dhe kulturë organizative.
Në qendër të debatit qëndroi një ide e përbashkët: Inteligjenca Artificiale nuk po ndryshon vetëm mënyrën si punojmë, por mënyrën si gjykojmë.
Gjykimi si kompetencë strategjike
Keynote-ja e mëngjesit u mbajt nga Roger Cates, i cili vendosi tonin e të gjithë ditës me një pohim të thjeshtë por të fuqishëm: “Gjykimi është aftësia e së ardhmes.” Mesazhi ishte i qartë. AI do të automatizojë proceset, do të përshpejtojë vendimmarrjen dhe do të prodhojë opsione, por do të jetë kapaciteti njerëzor për vlerësim kritik ai që do të bëjë diferencën midis organizatave që avancojnë dhe atyre që humbasin drejtimin.
Lexo edhe: Shqipëria në epokën Gigabit, ligji që synon t’i japë fund kaosit kabllor
Raste reale, mësime konkrete
Një nga momentet më të cituara të ditës erdhi nga Akan Ajdini i IUTE, i cili ndau eksperiencën e integrimit të AI-së në proceset e sales dhe ofertave të personalizuara, brenda më pak se dymbëdhjetë muajsh. Rasti i tij tregoi se adoptimi i shpejtë nuk është privilegj i korporatave shumëkombëshe, por rezultat i vendimmarrjes strategjike dhe kulturës organizative të duhur.
Jonida Lakuriqi, Drejtore e Çështjeve Korporative dhe Ligjore në Vodafone Albania, solli një perspektivë kritike: respektimi i GDPR dhe mbrojtja e të dhënave nuk janë pengesa burokratike, por themele besimi. Ajo theksoi se AI nuk ka shkaktuar vetëm sfidë teknike ka nxjerrë në pah një krizë lidershipi, ku rikualifikimi i punonjësve dhe mbështetja gjatë tranzicioneve të tregut të punës duhet të jenë prioritet i padiskutueshëm.

Jane Uzunovski, Enterprise AI Builder, zgjeroi diskutimin drejt dimensionit rajonal duke argumentuar se Ballkani Perëndimor ka të gjitha kushtet për të qenë aktor aktiv i transformimit digjital evropian, jo thjesht konsumator i tij. Tematikat e AI, parimeve të lidershipit dhe pozicionimit strategjik të rajonit u trajtuan si të lidhura pazgjidhshmërisht.
Nga siguria kibernetike te vlera njerëzore
Forumi u strukturua rreth gjashtë boshteve tematike kryesore: rastet reale të përdorimit të AI-së në biznes, siguria kibernetike, transformimi digjital, gatishmëria për integrim në Bashkimin Evropian, investimi dhe besimi në ekosistemin teknologjik, si dhe dimensioni njerëzor si kriter matës i suksesit të çdo transformimi teknologjik.
Ndër folësit dhe kontribuuesit e tjerë u dalluan Evi Hoxha nga Vodafone, Alba Halilaj nga Facilization, Arbër Kadia i Patoko dhe Eli Zhabevska nga South Central Ventures, të cilët sollën perspektiva të ndryshme mbi mënyrën se si Inteligjenca Artificiale po riformëson sektorët ku operojnë, nga telekomi te investimet dhe startup-et.
Në thelb, Leadership Forum 2026 nuk u kufizua në prezantimin e teknologjive të reja, por u fokusua në një pyetje më të vështirë: kush po e drejton realisht transformimin digjital, teknologjia apo njerëzit që e përdorin atë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto