Prishtina do të kthehet në fund të prillit në një pikë takimi për vendimmarrësit më të rëndësishëm të ekonomisë dhe financave në rajon, me organizimin e Kosova Finance Forum 2026 (KFF 2026). Ngjarja, që tashmë po konsolidohet si një platformë kyçe rajonale, synon të forcojë bashkëpunimin dhe besimin në tregjet financiare të Ballkanit Perëndimor.
Këtë vit, forumi vjen me një mesazh të qartë: “Ndërtimi i besimit në tregjet e Ballkanit Perëndimor”, një thirrje për më shumë transparencë, stabilitet dhe integrim financiar në rajon.
Aktivitetet nisin më 27 prill 2026 me një pritje zyrtare dhe sesione rrjetëzimi, ndërsa më 28 prill zhvillohen diskutimet kryesore në Hotel Emerald në Prishtinë.
Forumi organizohet nga Kosova Business Forum dhe pritet të mbledhë përfaqësues të institucioneve publike, sektorit bankar, investitorë dhe ekspertë ndërkombëtarë. Informacione të mëtejshme rreth agjendës dhe rezervimit të biletave janë të disponueshme në faqen zyrtare: www.kosovabusinessforum.com.
Në Kosova Finance Forum 2026 do të jenë të pranishëm disa nga emrat më të rëndësishëm të politikës ekonomike në rajon. Mes tyre:
- Hekuran Murati, Ministër i Financave i Kosovës
- Mimoza Kusari, Ministre e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë në Kosovë
- Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë
- Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut
- Ahmet Ismaili – Guvernator i Bankës Qëndrore të Kosovës
Ndërkohë, pjesëmarrja ndërkombëtare pritet të jetë e gjerë, me figura të njohura si:
- Yanis Varoufakis, ish-Ministër i Financave i Greqisë
- Sebastian Sosa, përfaqësues i FMN-së (IMF) për rajonin
- Marcelo Castellanos, drejtues për Evropën Juglindore në IFC
- Sergiy Maslichenko, drejtues i EBRD për Kosovën
- Stephen O’Malley, Koordinator i OKB për Zhvillim
Në fokus do të jenë gjithashtu drejtues institucionesh financiare europiane dhe përfaqësues diplomatikë, si Jonas Westerlund, ambasador i Suedisë në Kosovë, dhe ekspertë të bankave zhvillimore si Moritz Remé (KfW) dhe Kristina Kanapinskaite (EIB).
Diskutimet do të fokusohen në disa nga temat më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të rajonit:
- përafrimi me standardet e Bashkimit Europian
- rritja e investimeve dhe mobilizimi i kapitalit
- partneritetet publike-private në infrastrukturë
- transformimi dixhital dhe fintech
- bashkëpunimi bankar rajonal
- roli i demografisë dhe produktivitetit në rritje
Paralelisht, do të zhvillohen tryeza të rrumbullakëta dhe diskutime tematike mbi fintech, mikrofinancën dhe të ardhmen e bankimit dixhital.
Më shumë sesa një konferencë, Kosova Finance Forum synon të shërbejë si një platformë konkrete për krijimin e partneriteteve dhe nxitjen e investimeve në rajon. Në një kohë kur ekonomitë e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të përbashkëta, ndërtimi i besimit në tregjet financiare shihet si një hap i domosdoshëm drejt stabilitetit dhe rritjes afatgjatë.
Me një agjendë të pasur dhe pjesëmarrje të nivelit të lartë, KFF 2026 pritet të konfirmojë rolin e Prishtinës si një qendër në rritje e dialogut ekonomik rajonal.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto