Meta u jep prindërve më shumë kontroll, tani mund të shohin temat që fëmijët diskutojnë me AI - Business Magazine Albania

Meta u jep prindërve më shumë kontroll, tani mund të shohin temat që fëmijët diskutojnë me AI

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Meta ka njoftuar një funksion të ri që u mundëson prindërve të shohin temat për të cilat fëmijët e tyre kanë biseduar me Meta AI gjatë javës së fundit në Facebook, Messenger dhe Instagram.

Ky opsion i ri shfaqet në një seksion të quajtur “Insights” brenda panelit të kontrollit prindëror. Aty, prindërit mund të shohin kategoritë kryesore të temave që adoleshentët kanë diskutuar me chatbot-in, si për shembull: shkolla, argëtimi, stili i jetesës, udhëtimet, shkrimi apo shëndeti dhe mirëqenia.

Secila temë ndahet më tej në nënkategori. Për shembull, “Stili i jetesës” përfshin modën, ushqimin dhe pushimet, ndërsa “Shëndeti dhe mirëqenia” përfshin aktivitetin fizik, shëndetin trupor dhe atë mendor.

Ky përditësim është aktualisht i disponueshëm në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Australi, Kanada dhe Brazil, dhe pritet të shtrihet globalisht në javët në vijim. Meta kishte paralajmëruar këtë funksionalitet që në tetor, si pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar prindërit të udhëzojnë fëmijët në përdorimin e inteligjencës artificiale.

Më parë, kompania kishte testuar edhe mjete të tjera, si mundësia që prindërit të bllokonin personazhe të caktuar të AI ose t’i çaktivizonin plotësisht. Por në janar, Meta vendosi të ndalojë aksesin e adoleshentëve në këto personazhe në të gjitha aplikacionet e saj, duke deklaruar se do të krijojë një version të ri, të përshtatur posaçërisht për ta.

lEXO EDHE:BE në ngërç financiar, përplasje për 1.8 trilionë euro në samitin e Qipros

Këta personazhe të AI ishin krijuar si figura interaktive me personalitete të ndryshme, të cilat përdoruesit mund t’i përdornin sikur të ishin njerëz realë, si për shembull një kuzhinier apo edhe figura të njohura si Snoop Dogg dhe Paris Hilton.

Vendimi për të kufizuar aksesin erdhi pak para një procesi gjyqësor në New Mexico, ku Meta u akuzua se nuk kishte mbrojtur siç duhet të miturit në platformat e saj. Kompania humbi çështjen, duke shënuar një precedent të rëndësishëm ku u mbajt ligjërisht përgjegjëse për rrezikimin e sigurisë së fëmijëve.

Ky është vetëm një nga shumë proceset ligjore që Meta dhe kompani të tjera të mëdha teknologjike po përballen lidhur me sigurinë e të miturve. Në këtë kontekst, hapat e fundit të kompanisë duken si një përpjekje për të rritur transparencën dhe kontrollin për prindërit.

Gjithashtu, Meta ka prezantuar edhe sugjerime për prindërit mbi mënyrën se si të nisin biseda të hapura dhe pa paragjykime me fëmijët e tyre rreth eksperiencave me AI. Paralelisht, kompania ka krijuar edhe një këshill të ri ekspertësh për mirëqenien në AI, që do të ndihmojë në zhvillimin e produkteve më të sigurta për adoleshentët.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0