Shoqëritë tregtare në tranzicion: drejt një tregu më modern dhe konkurrues - Business Magazine Albania

Shoqëritë tregtare në tranzicion: drejt një tregu më modern dhe konkurrues

Shoqëritë tregtare në tranzicion: drejt një tregu më modern dhe konkurrues
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Dr. Elton Musa*

Diskursi mbi zhvillimin ekonomik në Shqipëri ka pësuar një evolucion të ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Termat “reformë”, “digjitalizim” dhe “formalizim” nuk përfaqësojnë më vetëm objektiva politikash publike, por procese në zhvillim që kanë prodhuar efekte konkrete në kuadër të përafrimit me acquis communautaire dhe procesit të integrimit europian. Megjithatë, sfida aktuale nuk qëndron më në adoptimin normativ të reformave, por në shkallën e efektivitetit të tyre në praktikën e përditshme të bizneseve.

Në një ekonomi në tranzicion të avancuar, si ajo shqiptare, vërehet një diferencë gjithnjë e më e dukshme midis lehtësimit të hyrjes në treg dhe kompleksitetit të operimit dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik. Reformat institucionale kanë kontribuar ndjeshëm në reduktimin e kostove të transaksionit në fazën e themelimit të biznesit, ndërkohë që fazat pasuese – administrimi, përputhshmëria rregullatore dhe zhvillimi strategjik – mbeten të karakterizuara nga një nivel më i lartë sfidash, që shoqërohen me pasiguri dhe shpenzim të panevojshëm energjish.

Në këtë kontekst, roli i institucioneve publike, veçanërisht i strukturave si Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), ka qenë dhe mbetet thelbësor në përmirësimin e aksesit, transparencës dhe efikasitetit procedural. Digjitalizimi i shërbimeve ka reduktuar ndjeshëm kohën dhe ndërveprimin fizik me administratën, duke përmirësuar klimën e të bërit biznes.

Duhet theksuar se shoqëritë tregtare operojnë sot në një mjedis rregullator dinamik, ku kërkesat për përputhshmëri (compliance) janë në rritje dhe ku presioni konkurrues, nga tregu i brendshëm dhe mbi të gjitha nga ai i jashtëm, kërkon kapacitete të avancuara adaptimi. Në këtë realitet, shpesh konstatohet një hendek ndërmjet normës juridike dhe zbatimit të saj efektiv. Ky hendek nuk duhet interpretuar thjesht si mungesë vullneti institucional, por si tregues i një faze tranzitore ku sistemi juridik, administrativ dhe ekonomik janë ende në proces harmonizimi.

Lexo edhe:Shqipëria organizon aktivitetin ndërkombëtar International Girls in ICT Day 2026

Digjitalizimi ka përmirësuar ndërveprimin formal ndërmjet biznesit dhe administratës, por kërkesat e shoqërive tregtare shkojnë përtej aksesit në platforma elektronike. Ato kërkojnë siguri juridike, parashikueshmëri rregullatore dhe një aplikim të njëtrajtshëm të legjislacionit. Këto elemente janë thelbësore për reduktimin e riskut juridik dhe për krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime dhe rritje të qëndrueshme.

Në këtë kuadër, evoluimi i mëtejshëm i institucioneve publike duhet të orientohet drejt një modeli funksional ku ato nuk kufizohen vetëm në ofrimin e shërbimeve administrative, por veprojnë si lehtësues dhe partnerë të zhvillimit ekonomik. Kjo nënkupton një integrim më të thellë të proceseve, një rritje të kapaciteteve administrative dhe një orientim më të fortë drejt rezultateve konkrete në ekonomi.

Në përfundim, zhvillimi ekonomik nuk mund të mbështetet vetëm në cilësinë formale të legjislacionit, por në aftësinë për ta zbatuar atë në mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Shoqëritë tregtare në Shqipëri operojnë sot në një mjedis me potencial të shtuar, por edhe me kërkesa më të larta për profesionalizëm dhe përputhshmëri me standardet e tregut modern. Sfida kryesore mbetet harmonizimi i ritmit të progresit institucional me dinamikën reale të tregut, si kusht i domosdoshëm për përmbylljen e një tranzicioni ekonomik funksional dhe të qëndrueshëm.

*Dr. Elton Musa është pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në fushat e së drejtës së shoqërive tregtare dhe qeverisjes korporative

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0