Para publike për të promovuar turizmin, hapet thirrja për destinacione të reja turistike - Business Magazine Albania

Para publike për të promovuar turizmin, hapet thirrja për destinacione të reja turistike

Rezultatet e arritura në sektorin e turizmit gjatë vitit 2023 e kanë inkurajuar ministrinë përgjegjëse për turizmin të kërkojë para nga buxheti i shtetit për të promovuar Shqipërinë si një destinacion mikpritës për turistët vendas dhe të huaj.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, shpalli një ditë më parë thirrjen për përfitimin e mbështetjes financiare të projekteve në fushën e turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, privatë ose publikë, të cilët kanë në objekt të veprimtarisë së tyre turizmin, në funksion të realizimit të misionit strategjik.

Nën titullin “Shqipëria, një destinacion mikpritës, tërheqës dhe autentik, për zhvillim të qëndrueshëm të potencialeve ekonomike, natyrore dhe sociale të vendit”, thirrja synon promovimin e destinacioneve, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike për zhvillimin e turizmit malor, natyror, kulturor, tradicional, kulinar, ekoturizmit, turizmit nostalgjik, turizmit të aventurës etj., gjithashtu edhe në mbështetje të veprimtarive të sezonit turistik për vitin 2024.

Thirrja do të qëndrojë e hapur nga data 15 janar deri më datën 13 shkurt të vitit 2024. Projektet duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, nga data e nënshkrimit të kontratës deri më 15 nëntor 2024.

Mbështetja financiare e projekteve në turizëm synon zhvillimin dhe promovimin e destinacioneve, produkteve të diversifikuara të ofertës turistike në turizëm.Ministria e Turizmit këmbëngul që atraksionet turistike të lidhen me një sërë tiparesh dalluese, që përfshijnë trashëgiminë historike dhe zonat kulturore, gastronominë, letërsinë, industritë krijuese dhe kulturat e gjalla me stilin e tyre të jetesës, sistemet e vlerave, besimet dhe traditat.

Sipas njoftimit të dikasterit të turizmit, promovimi i destinacioneve turistike, nxit dhe motivon pjesëmarrjen aktive të turistëve në përvojat shqiptare, atraksionet dhe potencialet e prekshme dhe të paprekshme të destinacioneve turistike.

Një thirrje e tillë është shpallur edhe vitin e kaluar dhe janë kualifikuar më tepër se 25 subjekte.

Viti 2023 shënoi më shumë se 10 milionë vizitorë të huaj dhe vendas dhe në këtë vit synohet një rritje e këtij numri, duke shtuar edhe destinacionet e reja turistike që mund të vijnë edhe nga kjo thirrje e fundit e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit

Ju mund të shkarkoni Formularin e aplikimit dhe të njiheni me Procedurat.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0