Mark Zuckerberg: "Facebook do të përdorë sistemet IA për të ndihmuar të gjithë botën" - Business Magazine Albania

Mark Zuckerberg: “Facebook do të përdorë sistemet IA për të ndihmuar të gjithë botën”


Mark Zuckerberg në një postim në facebook tregon më shumë rreth planeve të këtij viti dhe histori rreth marrëdhënieve që duhet të krijojmë, për t’u bërë më të mirë dhe për të patur një ndikim pozitiv në jetën e të tjerëve.

“Sfida ime personale këtë vit është që të vizitoj çdo shtet që nuk e kam vizituar më parë në mënyrë që të mësoj për shpresat dhe sfidat e njerëzve dhe për mënyrën sesi ata mendojnë për punën dhe komunitetet e tyre.

Pas udhëtimeve të mia të hershme, njerëzit më pyetën se çfarë po mësoja, por dëshiroja të tregohesha i kujdesuar për të mos përgjithësuar asgjë, sepse çdo shtet është kaq i ndryshëm. Kam shumë për të mësuar, por po filloj të shoh disa gjëra të përbashkëta.

Ajo që kam mësuar deri më tani është se marrëdhëniet tona na formojnë më shumë sesa ne mendojmë, pra se si i konsiderojmë mundësitë, mënyrën se si përpunojmë informacionin dhe si krijojmë zakonet. Ka shumë diskutime rreth pabarazisë, por një dimension i theksuar i pabarazisë është në përbërjen e rrjeteve tona shoqërore.

Ekziston një mit i përhapur gjerësisht, që nëse njerëzit në vende të tjera do të kishin informacion më të mirë, do të merrnin vendime më të mira. Kam zbuluar se kjo përgjithësisht është e gabuar dhe njerëzit që kam takuar janë racionalë. Tani, është e vërtetë që ne të gjithë nuk kemi disa informacione që do të na ndihmonin të merrnim vendime më të mira, pa marrë parasysh se ku jetojmë. Por njerëzit që kam takuar kanë arsye të mira për vendimet që ata marrin bazuar në përvojat e tyre, ato të miqve dhe familjarëve të tyre.

Çështja më themelore duket të jetë miqtë dhe familja me të cilën rrethohemi. Kjo është një forcë e fuqishme në rrjedhën e sipërme të informacionit që marrim dhe përcakton se si ne e përpunojmë dhe faktorojmë vendimet tona.

Do të ndaj me ju tre histori se si marrëdhëniet tona prekin probleme shumë të ndryshme sociale.

Historia e parë: Isha në Ohajo dhe u ula me personat që ishin shëruar nga varësia e heroinës. Ata më thanë se hapi i parë në luftimin e varësisë është detoksifikimi, por e dyta ishte krijimi i miqve të rinj. Nëse qëndroni akoma miq me persona, me të cilët keni përdorur heroinën është pothuajse e garantuar që do i riktheni përsëri asaj. Është e vështirë kur këta njerëz janë miqtë tuaj të ngushtë dhe akoma më e vështirë kur ata janë familja juaj, por ndërtimi i marrëdhënieve të reja është parashikuesi më i rëndësishëm për të qëndruar i pastër.

Kjo nuk është çështje informacioni. Këta persona të ‘sapolindur’ e njohin heroinën sesa e keqe është për ta dhe ata e dinë se nuk duhet ta përdorin atë. Por njerëzit rreth jush janë një ndikim shumë më i fortë sesa informacioni. Pra, për të ecur përpara, ne duhet t’i ndihmojmë njerëzit që të krijojnë marrëdhënie më të mira, jo vetëm duke marrë informacione.

Historia e dytë: Isha në Indiana në një qendër të drejtësisë për të mitur. Disa nga fëmijët kishin kryer krime të rënda si vrasje oapo grabitje, por disa të tjerë ishin sjellë keq vetëm në klasë. Fakti më i habitshëm është se këta fëmijë kanë më shumë gjasa të bëhen kriminelë pasi të kalonin në paraburgim, se sa ishin para se të hynin. Sistemi korrektues po ndërton një rrjet social negativ dhe vetë-përforcues.

E ngjashme me historinë e parë, këta fëmijë e dinë se krimi është një gjë e keqe dhe ata nuk duan të shkojnë në burg. Por ne të gjithë e modelojmë sjelljen tonë tek njerëzit përreth nesh. Nëse duam t’i ndihmojmë ata, ne duhet së pari t’i ndihmojmë këta fëmijë të krijojnë marrëdhënie pozitive me personat që kanë impakt pozitiv në shoqëri.

Historia e tretë: Kjo ka të bëjë me lëvizjen ekonomike në rritje. Kur isha duke vizituar disa zona në jug, u shtanga sesa shumë njerëz lëviznin për të kërkuar mundësi më të mira diku tjetër. Rezulton se ka hulumtime që tregojnë se sa shumë pabarazi ekonomike vjen nga mungesa jonë e gatishmërisë apo aftësisë për të lëvizur gjeografikisht.

Nga bisedat e mia, shumë vendime të njerëzve për të lëvizur varen nga miqtë dhe familjarët e tyre në disa mënyra. Së pari, nëse rritesh në një vend ku të gjithë miqtë dhe familjarët tuaj largohen për në kolegj apo për të kërkuar punë, atëherë kjo ju jep një shembull atyre. E kundërta është gjithashtu e vërtetë, edhe nëse të gjithë miqtë dhe familjarët tuaj qëndrojnë në shtëpi. Së dyti dhe ndoshta më e fortë, nëse të gjithë miqtë dhe familjarët tuaj lëvizin larg për mundësi më të mira, ka më pak arsye për të qëndruar aty ku jeni rritur. Nga ana tjetër, nëse të gjithë miqtë dhe familjarët tuaj qëndrojnë në të njëjtin vend, ka një tërheqje të fortë për të qëndruar në shtëpi.

Kam dëgjuar shumë histori për njerëzit që u larguan nga kolegji. Kur ata kishin fëmijë dhe kishin nevojë për ndihmë, u kthyen në shtëpi për t’u afruar me familjen e tyre pasi kujdesi për fëmijët është shumë i shtrenjtë. Kur kthehesh në shtëpi ka avantazhe të mëdha, por nëse nuk keni një shumëllojshmëri miqsh dhe familjarësh që mund t’ju ekspozojnë ndaj gjërave të ndryshme, kjo mund të kufizojë aftësinë tuaj për të gjetur mundësi.

Në Detroit, takova udhëheqës të komunitetit që kthyen një ndërtesë të braktisur në një vend të sigurtë, ku fëmijët mund të rrijnë pas shkollës. Themeluesi më tha: “Ne duam që fëmijët të jenë në gjendje të mendojnë përsëri se ka njerëz që kujdesen për atë që ata bëjnë. Ne kemi lagje të tëra fëmijësh, të cilët janë duke pritur që dikush t’u japë një qëllim.”

Ky nuk është një studim shkencor dhe kërkon kërkime të mëtejshme, por mendoj se ka diçka për këtë ide në mënyrë që marrëdhëniet tuaja të formësojnë rrugën tuaj.

Unë gjithashtu mendoj se kjo është një fushë ku Facebook mund të bëjë një ndryshim. Disa prej jush kanë pyetur nëse kjo sfidë do të thotë që unë po konkurroj për poste publike. Nuk po e bëj për këtë. Po e bëj këtë për të marrë një perspektivë më të gjerë për të siguruar që ne jemi më të mirë kur i shërbejmë komunitetit tonë prej pothuajse 2 miliardë njerëzve në Facebook dhe duke bërë punën më të mirë për të promovuar mundësi të barabarta në Iniciativën Chan Zuckerberg.

Në shumë mënyra, marrëdhëniet janë gjërat më të rëndësishme në jetën tonë, nëse po përpiqemi të krijojmë zakone të shëndetshme, të qëndrojmë jashtë telasheve, ose të gjejmë mundësi më të mira. E megjithatë, hulumtimet tregojnë se amerikanët mesatarisht kanë më pak se tre miq të ngushtë, ku mund të drejtohen për mbështetje.

Facebook është fokusuar që t’iu ndihmojë të lidheni me njerëz që tashmë i njihni. Për këtë arsye kemi ndërtuar sisteme IA për të rekomanduar “Njerëz që mund të njihni”. Por mund të jetë po aq e rëndësishme të lidheni edhe me njerëzit që duhet të njihni, mentorë dhe njerëzit jashtë rrethit tuaj, të cilët mund kujdesen për ju dhe mund t’iu sigurojnë një burim të ri mbështetjeje dhe frymëzimi.

Ka një numër modelesh për mënyrën se si kjo mund të funksionojë. Korpusi i Paqes krijon mundësi shërbimi ku njerëzit shkëmbejnë kulturën dhe ndërtojnë marrëdhënie të reja. Ndoshta mund të ndërtojmë një korpus dixhital të ri të paqes. Një tjetër model është “Alkolistët dhe narkotikët anonimë”, ku njerëzit që kanë luftuar me këto sfida dhe i kanë kapërcyer ato, të vazhdojnë të bëhen mentorë për të tjerët, me shpresën që t’i trajnojnë ata në mënyrë që një ditë të bëhen vetë mentorë. Kjo është diçka që sapo kam filluar të studioj dhe të punoj me ekipet tona në Facebook për ta ndërtuar.

Nëse ne mund të ndihmojmë vetëm disa përqind të njerëzve, kjo mund të ketë një ndikim të madh dhe pozitiv për shoqërinë tonë në përgjithësi. Në anën fatkeqe, edhe pse vetëm disa përqind e njerëzve janë të varur nga opioidet, ne të gjithë e njohim një person të prekur nga kjo. Por kjo gjithashtu do të thotë se nëse mund të ndihmojmë vetëm disa qindra njerëz të krijojnë marrëdhënie të reja pozitive, kjo do të ndikojë edhe tek ne të gjithë. Kjo më jep shpresë që ta bëjmë këtë.

Shpresa ime është që ne mund të ndihmojmë më shumë njerëz që të ndërtojnë marrëdhënie pozitive me njerëz, të cilët zgjerojnë kuptimin e tyre të mundësisë. Besoj se nëse e bëjmë këtë, do të bëjmë përparime të mëdha në shumë sfida.

Shpresoj që shumë prej jush të keni sfiduar veten tuaj, të dilni jashtë dhe të mësoni gjëra të tjera këtë vit. Do të doja të dëgjoja edhe historitë dhe reflektimet tuaja.

burimi: facebook

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0