Një aksident ajror është regjistruar në jugperëndim të Francë, ku një avion i vogël turistik u rrëzua në zonën Labastide-Villefranche, në departamentin Pyrenees-Atlantiques. Në bord ndodhej sipërmarrësi italian Sandro Veronesi, president i grupit Oniverse, së bashku me një tjetër shtetas italian.
Lexo gjithashtu: Marrëveshje pensionesh mes Shqipërisë dhe Polonisë, emigrantët përfitojnë njohjen e viteve të punës
Avioni, një mjet i lehtë me një motor, hasi probleme teknike gjatë fluturimit mbi një zonë bujqësore. Situata u identifikua në kohë reale nga një patrullë ajrore e xhandarmërisë franceze pranë Bayonne, e cila dha menjëherë alarmin dhe ndihmoi në lokalizimin e vendit të përplasjes.
Në momentet kritike, dy personat në bord aktivizuan parashutën balistike të emergjencës, një pajisje që ngadalëson rënien e avionit në raste të tilla. Kjo ndërhyrje rezultoi vendimtare për shpëtimin e jetës së tyre, duke reduktuar ndjeshëm shpejtësinë e përplasjes.
Ekipet e emergjencës i gjetën të dy jashtë avionit, të vetëdijshëm por me dhimbje të forta në shpinë. Ata u transportuan në spital për trajtim, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Sandro Veronesi njihet si themelues i markave të njohura të modës si Calzedonia, Tezenis dhe Intimissimi, si dhe për pasionin e tij të hershëm për aviacionin.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto