Dilema në Shqipëri: Të hapësh një biznes të ri, apo të mbash në këmbë një të “vjetër” - Business Magazine Albania

Dilema në Shqipëri: Të hapësh një biznes të ri, apo të mbash në këmbë një të “vjetër”


Konkurrenca është shtuar, shumë tregje janë maturuar, ka pak apo aspak sektorë që janë ende të lirë, shërbimet janë sofistikuar, duke u lënë vend më të mirëve, të mëdhenjtë po rriten në “kurriz” të të vegjëlve, duke u bërë “gjëmën” këtyre të fundit.

Lexoni: CIA: Shqipëria një mjedis i varfër për biznesin, po pengohen investimet e huaja

Të gjithë po nxitojnë të ndajnë një tortë, e cila jo vetëm që nuk është rritur vitet e fundit, për shkak të ngadalësimit të ekonomisë si rrjedhojë e krizës, por madje në vlerë relative edhe është zvogëluar, pasi po ndahet në më shumë pjesë. Në kahun tjetër, Shqipëria mbetet prapa në teknologjitë e informacionit dhe inovacionit, që janë dy elementet që po u japin shtysë bizneseve kudo në botë dhe po ndikojnë në rritjen e produktivitetit dhe përfitueshmërisë.

Por, cilët janë sektorët në industri, shërbime e tregti, që po gjenerojnë norma fitimi më të larta?

Sa fitimprurëse janë bizneset e vogla, në krahasim me ato të mëdhatë?

Nga shifrat e INSTAT rezulton se nga tetë sektorë kryesorë të ekonomisë, katër kanë shënuar rënie të normave të fitimit në 2015-n (industria nxjerrëse, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, transporti, informacioni dhe komunikacioni, shërbimet) dhe në katër të tjerë ato janë rritur (industria përpunuese, energjia elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve, ndërtimi, tregtia).

Në total, për të gjithë prodhuesit në ekonomi, norma e fitimit ishte 8.5% në 2015-n, nga 6% që kishte qenë vitin e mëparshëm, e ndikuar gjerësisht nga performanca e mirë e kompanive shtetërore të energjetikës.

Sektori më fitimprurës në ekonomi (duke përjashtuar kompanitë shtetërore në energji) mbetet ai i shërbimeve. I dyti është akomodimi dhe shërbimi ushqimor, ndonëse shtimi i konkurrencës në këtë biznes mjaft të përhapur, ka bërë që përfitueshmëria të vijë në rënie.

Ndërtimi është një sektor që edhe pas shumë vitesh vijon të gjenerojë fitime, madje ai e ka rimarrë veten në 2015-n. Tregtia, biznesi më i “lehtë” i shitblerjes, edhe ai me një konkurrencë të lartë, ka përmirësuar fitimet. Sektorët e industrisë shënojnë luhatje të mëdha nga një vit në tjetrin, në varësi të koniunkturës ndërkombëtare të çmimeve dhe kontratave të porosisë për eksport.

Me një rënie të ndjeshme janë normat e fitimeve të industrisë së komunikacioneve, transportit dhe informacionit. Këto janë të dhënat zyrtare të raportuara nga INSTAT, ndërsa fitimet reale mund të jenë edhe më të larta, për shkak të nivelit të lartë të informalitetit në vend, që zyrtarisht llogaritet në rreth 30%.

Energjia, reforma përmirësoi fitimet

Sektori i “Energjisë elektrike, gazit, ujit dhe trajtimi i mbetjeve” ka rezultuar më fitimprurësi në ekonomi gjatë vitit 2015, me një marzh prej gati 20% në 2015-n, nga humbjet e larta të vitit të mëparshëm. Ky sektor karakterizohet nga sipërmarrjet e mëdha shtetërore të energjisë, të cilat gjatë vitit 2015, pas reformës së energjisë, përmirësuan ndjeshëm performancën e tyre, sidomos Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Shërbimet, “i vogël është i mrekullueshëm”

Shërbimet janë një sektor që punësojnë rreth 93 mijë persona në vend, teksa ka më shumë se 20 mijë sipërmarrje, 90% e të cilave janë të vogla me 1-4 punonjës. Pikërisht bizneset e vogla rezultojnë dhe më fitimprurëset.Norma e fitimit të subjekteve që veprojnë në fushën e shërbimeve dhe që kanë nga 1-4 punonjës arrin në gati 34%, duke shënuar rekordin nga të gjithë kategoritë që raporton INSTAT. Shërbimet karakterizohen nga shpenzime relativisht të ulëta, që u mundësojnë kompanive të vogla të gjenerojnë fitime të larta.

Lexoni: Shqipëria cilësohet si destinacioni më i lirë i botës nga mediat botërore

Sipas kategorive, aktiviteti më fitimprurës në shërbime është ai i pasurive të paluajtshme, me një marzh prej rreth 25%. Profesionet e lira marrin gati një të pestën e xhiros si fitim. Sektori i arsimit arrin një normë prej 10%. Ata që lodhen më shumë dhe fitojnë më pak janë agjencitë e udhëtimit, që punojnë kryesisht me komisione, që iu mundësojnë një normë fitimi minimale prej 4.8%.

Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, shansi i turizmit. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar-kafe për 100 mijë banorë.

Rritja e numrit të turistëve të huaj, teksa interesi për Shqipërinë është shtuar dukshëm, pritet t’i japë një hov të ri këtij sektori, sidomos në zonat turistike, bregdetare, apo dhe malore.

Sipas INSTAT, në pesë muajt e parë të vitit turistët e huaj që erdhën me pushime arritën në 367 mijë, me trefishim në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rikthimi i ndërtimitNdërtimi i është kthyer sërish ciklit rritës, pas rënies që përjetoi ky sektor në periudhën 2009-2013.

Ndërtimi i apartamenteve është një aktivitet ciklik, që arrin fitime të larta kur shiten apartamentet, përfshirë dhe ato të mbetura stok dhe në 2015-n, kompanitë kanë raportuar fitime të larta për shkak të rigjallërimit të shitjeve. Edhe ndërtuesit e përqendruar në punimet e infrastrukturës kanë kaluar një vit të mbarë dhe kanë parë jo vetëm rritje të ndjeshme të të ardhurave, por edhe shumëfishim të fitimeve.

Arsyet kryesore që kanë ndikuar në përmirësimin e aktivitetit të tyre lidhen me ndërtimin e 5-6 ujësjellësve të mëdhenj, rrugët që po shtrohen në kuadër të projektit të gazsjellësit TAP dhe punimet e infrastrukturës për HEC-et e Devollit, si dhe kthimi i detyrimeve të prapambetura nga qeveria, që është faturuar në 2015-n.

Rritja e fitimeve ka qenë e fortë për pothuajse të gjitha kompanitë në listë. Ndërsa kompanitë e infrastrukturës fituan mesatarisht 10-20%, marzhin më të lartë e kanë subjektet që ndërtojnë banesa rezidenciale, me normë deri në 50%.

Shqipëria vlerësohet të ketë pasur një bum në sektorin e ndërtimit edhe për vitin 2016, duke qenë se lejet e dhëna panë rritjen më të madhe në rang europian. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i lejeve ndërtimit shënoi rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian në vitin 2016 me 10.3%, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016 pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167%.Kapitalet e lira po orientohen sërish në ndërtim.

Sipërmarrësit po rendin drejt ndërtimit të kullave në kryeqytet, në kuadër të planit të ri rregullues të Tiranës, duke rrezikuar krijimin e një mbioferte në tregun e pasurive të paluajtshme, si për apartamente banimi, zyra, hotele e sidomos për hapësira tregtare.

Ndërtimi është një sektor që ka kthim relativisht të shpejtë dhe të lartë, duke bërë që kapitalet e lira preferohen të orientohen drejt këtij sektori sesa në industri përpunuese, që ka më tepër andralla dhe fitime më të ulëta. Arben Dervishi i Shoqatës së Bankave, thotë se në sektorët e tjerë, norma e fitimit është e vogël.

Mundimi i madh i tregtisë

Tregtia është aktiviteti me të cilin punojnë rreth 110 mijë persona, apo rreth 26% e totalit të të punësuarve në kompanitë private apo shtetërore në vend. Biznesi klasik i shitjes dhe blerjes po shkon drejt formalizimit dhe orientimit në zinxhirët e mëdhenj të tregtimit.

Lexoni: 10 RESTORANTET MË TË MIRA NË EUROPË, MES TYRE DHE NJË NGA SHQIPËRIA E KOSOVA

Në vitin 2016, numri i ndërmarrjeve në tregti, me mbi 50 punonjës arriti në 129, nga 101 që ishte vitin e mëparshëm. Megjithatë, të vegjlit vijojnë të mbizotërojnë, ku 42 mijë ndërmarrje kanë nga një deri në katër punonjës.

Edhe ndërmarrjet me mbi 50 punonjës kanë qenë më eficiente, teksa kthimi nga aktiviteti i tyre u rrit në 5.2%, nga 3.55 vitin e mëparshëm.Tregtia me pakicë vijon të ketë normë fitimi më të lartë, në rreth 8.5%, ndërsa ajo me shumicë e ka 6.3%.

Sektori më fitimprurës mbetet ai i shërbimeve, me normë 14.2 %

Ndërtimi i është kthyer sërish ciklit rritës, pas rënies në periudhën 2009-2013

Industria përpunuese

Pasi rezultoi me humbje në 2014-n, si rrjedhojë e humbjeve të mëdha të rafinerive, industria përpunuese u është rikthyer fitimeve në 2015-n. Marzhi total i sektorit ishte 6.6%. Brenda industrisë përpunuese, sektori që ka normat më të larta të fitimit është ai i letrës dhe shtypshkrimit, me rreth 19%.

Megjithatë, ky është një sektor me peshë të ulët në ekonomi, teksa ka vetëm rreth 4 mijë të punësuar. Tekstilet janë një industri me peshë, me rreth 21 mijë të punësuar, që kanë arritur të kenë ecuri të kënaqshme gjatë vitit 2015. Norma e fitimit ishte rreth 13%, ndonëse me një rënie në raport me vitin e kaluar, kur kthimi nga të ardhurat ishte 15%. Lëkurët dhe këpucët, me rreth 19 mijë të punësuar, kishin një normë fitimi prej gati 10%.

Si tekstile, ashtu dhe këpucët shfrytëzojnë në Shqipëri krahun e lirë të fuqisë punëtore dhe janë industri me kapital intensiv pune, teksa shpenzimet e personalit zënë mesatarisht mbi 40% të totalit.Në industrinë e pijeve, ushqimeve dhe duhanit, ku konkurrenca është e fortë nga importi, norma e fitimit ishte 7.6%.Më mirë paraqitet industria e drurit dhe mobilieve, me 9.6%.

Transporti, informacioni dhe komunikacioni

Sektori i “Transportit, informacionit dhe komunikacionit” ka pasur vit jo të mbarë në vitin 2015. Norma e fitimit në total ka rënë nga 8.3% në vetëm 1.9%. Për gjithë sektorin, kjo i dedikohet aktivitetit me humbje të raportuar nga “Telekomunikacioni dhe transmetimi i programeve”.

Kompanitë e telekomunikacionit kanë arritur në një fazë maturimi dhe për më tepër shtimi i konkurrencës nga rritja e operatorëve në treg vitet e fundit e ka bërë të vështirë daljen me fitime të larta siç ndodhte dikur.

Aktiviteti më fitimprurës brenda këtij grupi është ai i postës dhe magazinimit, me një marzh prej gati 23%, i ndjekur nga shërbimet e informacionit, me rreth 21%.

Lexoni: Shqipëria nuk mjaftohet vetëm me Bitcoin, një tjetër monedhë virtuale po qarkullon

Aktiviteti i publikimeve mbetet një kategori fitimprurëse, me një kthim prej gati 11%. Më pak fitimprurës është transporti, me normë fitimi 8.5%.

burimi: Express

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0