Pothuajse katër nga dhjetë familje shqiptare kanë të paktën një anëtar që ka migruar, qoftë aktualisht jashtë vendit apo të kthyer. Për dekada, ky realitet është trajtuar kryesisht si një humbje. Bashkitë shqiptare po tregojnë tani se si duket kur qeveritë lokale e trajtojnë këtë fenomen si një mundësi.
Hasi, Kamza, Saranda, Pogradeci dhe Dibra janë zgjedhur si fitues të konkursit “Iniciativat më të Mira të Ndikimit në Komunitet”, një nismë kombëtare që përfshiu të gjitha (61) bashkitë shqiptare të demonstrojnë se si po e shndërrojnë migracionin dhe angazhimin e diasporës në zhvillim konkret të komunitetit.
Pesë bashkitë u dalluan për iniciativa që përfshijnë fuqizimin ekonomik, ri-integrimin e të kthyerve dhe integrim shoqëror, duke adresuar nevoja që politikat në nivel kombëtar kanë pasur historikisht vështirësi t’i përmbushin. Ndër të gjitha iniciativat e paraqitura, më shumë se gjysma u fokusuan në investimet e diasporës, sipërmarrjen dhe transferimin e aftësive, ndërsa më shumë se një e treta synoi integrimin gjithëpërfshirës dhe aksesin në shërbime për grupet e cenueshme, duke përfshirë gratë, migrantët e kthyer dhe të rinjtë.
“Iniciativa jonë ka synuar të adresojë një nevojë konkrete për sa i përket komunitetit, gjithmonë duke përfshirë diasporën dhe migracionin,” tha Klea Agolli, Specialiste e Migracionit dhe Diasporës, Bashkia Pogradec
“Kjo do të funksionojë nëpërmjet një bashkëpunimi të drejtpërdrejtë të institucioneve publike, komunitetit lokal dhe diasporës jashtë Shqipërisë,” tha Elda Pengu, Përgjegjëse Sektori, Bashkia Pogradec.
Konkursi u zbatua në kuadër të projektit “Forcimi i Kapaciteteve Institucionale Vendore për Migracionin në Shqipëri”, i mbështetur nga Qeveria Britanike dhe i mundësuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Qeverisjen Vendore.
“Synimi i aktivitetit të sotëm ishte e para për t’i treguar të gjitha bashkive të vendit cilat janë aktivitetet e bukura që bëhen në vendet tona por dhe në të njëjtën kohë të mësojnë nga njëri-tjetri sepse në fund të ditës ky është thelbi i punës konkrete që ne bëjmë nëpërmjet projektit” t tha Keti Luarasi, Koordinatore e Projektit, IOM Shqipëri
Diaspora shqiptare, sipas kërkimeve të fundit, mbetet shumë e motivuar për të kontribuar në vend, përmes investimeve, mentorimit, lidhjeve kulturore dhe angazhimit në politika. Megjithatë, ky motivim bllokohet shpesh nga boshllëqe institucionale: mungesa e pikave të qarta të hyrjes, kuadri i paqartë ligjor dhe koordinimi i kufizuar në nivel lokal. Bashkitë e njohura përmes këtij konkursi janë ndër ato që punojnë aktivisht për të mbyllur këtë hendek.
Në vazhdim, do të krijohet një Katalog i Praktikave më të Mira dhe një Komunitet Praktike, për të siguruar që qasjet e zhvilluara nga bashkitë fituese të mund të adaptohen dhe zbatohen në shkallë të gjerë në të gjithë vendin.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto