Tregu i punës në Shqipëri po kalon një fazë transformimi që nuk mund të lexohet më vetëm përmes perceptimeve. Në një kohë kur diskutohet gjerësisht për mungesë talentesh, emigrim dhe sfida në rekrutime, shpesh mungon një lexim i strukturuar dhe i përbashkët i këtyre fenomeneve.
“People Pulse lindi nga nevoja për të kaluar nga perceptimet drejt një kuptimi të bazuar në të dhëna reale të tregut të punës,” shprehet Anisa Keri, organizatore e forumit.
Iniciativa People Pulse vjen pikërisht për të ndërtuar këtë kuptim më të qartë dhe të strukturuar mbi zhvillimet dhe sfidat reale, duke u mbështetur në të dhëna konkrete dhe në perspektiva nga aktorë kyç të tregut. Ndryshimet demografike, ndikimi i emigrimit, transformimi digjital dhe rritja e konkurrencës në nivel rajonal dhe europian kanë krijuar një realitet të ri. Në këtë kontekst, balanca mes kërkesës për punë dhe ofertës së talenteve është gjithnjë e më e brishtë. Kjo ndjehet drejtpërdrejt nga bizneset, të cilat përballen me mungesë të talenteve të kualifikuara, vështirësi në mbajtjen e punonjësve dhe nevojën për t’u përshtatur me ritmin e shpejtë të zhvillimeve teknologjike.Në të njëjtën kohë, edhe individët përballen me sfida të reja. Mungesa e qartësisë mbi kërkesat reale të tregut, akses i kufizuar në mundësi zhvillimi dhe pasiguria për ndërtimin e një karriere të qëndrueshme në vend krijojnë një hendek që kërkon më shumë se analiza sipërfaqësore.
Kjo është pika ku People Pulse ndërhyn. Në thelb të kësaj nisme qëndron mbledhja dhe analiza e të dhënave nga punëkërkues dhe biznese, për të ndërtuar një “realitet të përbashkët” mbi tregun e punës. Përmes këtij procesi, iniciativa synon të identifikojë hendeqet strukturore, të adresojë sfidat që lidhen me zhvillimin dhe mbajtjen e talenteve dhe të nxisë një dialog më të dobishëm ndërmjet sektorëve.
Formati i eventit ndërthur prezantimin e insight-eve nga të dhënat me panele diskutimi dhe dialog të hapur mes pjesëmarrësve. “Qëllimi nuk është vetëm shkëmbimi i ideve, por krijimi i një diskutimi të strukturuar dhe me vlerë praktike,” thekson Anisa Keri. Panelet me profesionistë dhe aktorë të rëndësishëm të tregut do të shërbejnë për të thelluar diskutimin përtej statistikave dhe për ta kthyer atë në ide dhe qasje konkrete.
Kujt i drejtohet?
People Pulse i drejtohet një audience të gjerë që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e tregut të punës:
- drejtues kompanish dhe vendimmarrës
- profesionistë të HR dhe menaxherë të njerëzve
- sipërmarrës dhe përfaqësues të ekosistemit të biznesit
- profesionistë të rinj dhe punëkërkues aktivë
Në thelb, kujtdo që ka një rol apo interes në formësimin e së ardhmes së punës në Shqipëri.
Çfarë do të përfitoni?
Pjesëmarrësit do të marrin një kuptim të qartë dhe të aplikueshëm mbi:
- sfidat reale të tregut të punës
- hendekun midis kërkesës dhe ofertës së talenteve
- evoluimin e pritshmërive të punonjësve dhe punëdhënësve
- praktikat që funksionojnë në tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve
Mbi të gjitha, do të largohen me perspektiva praktike që mund t’i aplikojnë drejtpërdrejt në organizatat apo karrierën e tyre.
Pse të merrni pjesë?
Sepse tregu i punës po ndryshon me ritme të shpejta, dhe vendimet e sotme përcaktojnë avantazhin konkurrues të nesërm. People Pulse synon të funksionojë si një platformë bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash, ku bizneset, profesionistët dhe institucionet mund të kontribuojnë në ndërtimin e zgjidhjeve më efektive dhe të qëndrueshme për zhvillimin e kapitalit njerëzor në Shqipëri. Nëse jeni pjesë e këtij tregu, ky nuk është thjesht një event, është një hapësirë ku zëri juaj ka rëndësi
Aktiviteti do të zhvillohet më 14 maj në Hotel Plaza Tirana.
Paralelisht, organizatorët kanë hapur dy anketa, një për punonjësit dhe një për bizneset, për të mbledhur të dhëna që do të shërbejnë si bazë për diskutimet dhe analizën.
Për punonjësit:
https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSftGJYv4DS07pZoLBbh_ag0SkTFGFRgoYibdPvA5sp2TDtF-Q/viewform
Për bizneset:
https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSceFc_unQaEnAoLTdb7dqaAAYaUA6iamPCR7Qz7aEWyN05W_w/viewform
Në një treg ku sfidat shpesh artikulohen, por rrallë maten me saktësi, People Pulse synon të sjellë një qasje më të bazuar në evidencë—duke e kthyer diskutimin nga intuita në të dhëna dhe nga problemi në zgjidhje.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto