Çdo shitës online, qoftë individ apo kompani, është subjekt i së njëjtës kornizë ligjore si çdo biznes tradicional. Ky është mesazhi kryesor që Administrata Tatimore ka dërguar dje, duke u tërhequr vëmendjen atyre që ushtrojnë veprimtari tregtare nëpërmjet internetit pa u regjistruar zyrtarisht.
Para se të fillojnë çfarëdo aktiviteti shitjeje online, personat fizikë, tregtarët individualë, të vetëpunësuarit dhe çdo entitet tjetër janë të detyruar të regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Regjistrimi kryhet elektronikisht nëpërmjet portalit e-Albania dhe rezulton me lëshimin e certifikatës zyrtare, e cila përmban NIPT-in unik, emrin tregtar dhe adresën e selisë.
Por regjistrimi vetëm nuk mjafton. Neni 40, pika 1/1, i ligjit nr. 9920/2008 “Për procedurat tatimore” parashikon që çdo operator online të publikojë në faqen e tij të internetit katër të dhëna thelbësore: numrin e NIPT-it, emrin e subjektit, adresën dhe numrin e telefonit.
Lexo edhe: Shqipëria zgjeron Paketën e Maleve dhe rrit mbështetjen për sportistët elitarë
Sanksioni për mosrespektimin e këtyre detyrimeve është konkret: Administrata Tatimore mund t’i kërkojë AKEP-it (Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare) bllokimin e përkohshëm të faqes së internetit të subjektit shkelës. Bashkëpunimi ndërinstitucional mes këtyre dy organeve është forcuar pikërisht me qëllim goditjen e informalitetit dixhital.
Detyrimet tatimore që lindin pas regjistrimit
Pasi regjistrohet, operatori online hyn automatikisht në rrjetin e detyrimeve tatimore:
Tatimi mbi të ardhurat për personat fizikë aplikohet si tatim personal, ndërsa entitetet i nënshtrohen tatimit mbi fitimin e korporatës, sipas ligjit nr. 29/2023.
TVSH-ja bëhet e detyrueshme sapo qarkullimi vjetor kalon pragun e 10 milionë lekëve, ose në çdo rast kur kryhen importe, pavarësisht nga shuma e xhiros.
Kontributet e sigurimeve shoqërore kërkojnë që operatori të deklarojë veten dhe çdo të punësuar në listpagesën mujore, duke llogaritur dhe paguar kontributet brenda afateve ligjore, sipas ligjit nr. 9136/2003.
Fiskalizimi detyron çdo biznes online të pajisen me pajisje fiskale, të lëshojë dhe fiskalizojë faturat e shitjes, si dhe të pranojë faturat e blerjes nëpërmjet platformës fiskale, në zbatim të ligjit nr. 87/2019.
Taksat vendore aktivizohen pas regjistrimit dhe kërkojnë paraqitjen pranë njësisë vendore ku ndodhet selia e biznesit, për të shlyer tarifat dhe detyrimet lokale përkatëse.
Administrata Tatimore u kërkon të gjithë operatorëve të e-commerce, qofshin shitës në rrjete sociale, platforma digjitale apo faqe të pavarura interneti, të rregullojnë menjëherë statusin e tyre ligjor. Paralajmërimi është i qartë: ata që zgjedhin informalitetin rrezikojnë jo vetëm gjoba administrative, por edhe ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarisë online./Businessmag
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto