Shqipëria nuk mjaftohet vetëm me Bitcoin, një tjetër monedhë virtuale po qarkullon - Business Magazine Albania

Shqipëria nuk mjaftohet vetëm me Bitcoin, një tjetër monedhë virtuale po qarkullon


Kohët e fundit monedhat virtuale kanë fituar popullaritet jo vetëm në botë, por edhe në Shqipëri. Njëra prej tyre, Ethereum, sikurse Bitcoin, ka filluar të përdoret nga shqiptarët dhe gjithashtu është rritur edhe kërkesa për pajisjet kompjuterike, të cilat përdoren për të ndërtuar sisteme të fuqishme kompjuterike.

Një prej faqeve që promovon monedhën ethereum (Ethereum Albania), po shet edhe pajisjet, të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e algoritmit (proof of work system) që përkthehet në para.

Këto pajisje lidhen me njëra tjetrën duke krijuar sisteme te fuqishme kompjuterike. Në përshkrimin e faqes, administratorët e saj thonë se mundësojnë shitjen e të gjitha pjesëve përbërëse të ndërtimit të këtyre sistemeve me çmime të arsyeshme në treg. Çmimet për pajisje, sipas publikimeve në faqe, varjojnë nga 20 euro deri në 2600 euro.

Lexoni: Një monedhë e re dixhitale garon me Bitcoin

Edhe në Kosovë ka filluar tregtimi i këtyre pajisjeve. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tha se vetëm gjatë 6 mujorit të parë, në Kosovë janë importuar pajisje në vlerë prej 800 mijë euro. Sipas tij, janë kartelat grafike ato që kushtojnë më shumë dhe siç tha ai, deri më tani janë rreth 4 mijë e 300 kartela grafike të evidentuara përgjatë kësaj periudhe. Por këto pajisje dogana i trajton si të gjitha pjesët e tjera të kompjuterit.

Aktualisht një ethereum po këmbehet me 226 dollarë. Në datën 1 Janar monedha virtuale kushtonte vetëm 8 dollarë. Paqëndrueshmëria e madhe e çmimeve, është sipas ekspertëve një tregues i qartë se bumi i monedhave virtuale nuk është asgjë më shumë se një flluskë. Sipas tyre, flluska të tilla tërheqin paratë e individëve duke i joshur me fitime të larta prej çmimeve që rriten me shpejtësi. Më pas monedhat zhvlerësohen menjëherë duke sjellë humbje të mëdha për investitorët.

Paralajmërimi se këto monedha janë një minë me sahat

Ish bashkë-themeluesi i rrjetit ethereum, Charles Hoskinson, në një intervistë të fundit për mediat e huaja the se këto monedha janë një bombë me sahat. “Ka një mbi- kriptizim të gjërave, ndërkohë që kompanitë po emetojnë kriptomonedha kur të njëjtat objektiva mund të arrihen me sistemet ekzistuese. Njerëzit janë verbuar nga paratë e shpejta dhe të lehta“, ka pohuar ai, sipas një artikulli të Bloomberg.

Lexoni: Po nëse flluska e Bitcoin “shpohet”?

Hoskinson, i cili aktualisht drejton firmën kërkimore teknologjike IOHK, është pjesë e një kori në rritje të ekspertëve të fushës, që shprehin shqetësim rreth rritjes së shpejtë të çmimeve të kriptomonedhave dhe të fluksit të shitjeve të monedhave dixhitale, që kanë mbledhur miliona dollarë në pak minuta.

Përveç shqetësimit në rritje për një flluskë dhe shqetësime rregullatore, ka probleme me konvertimin e monedhave në cash për shkak të rritjes së lartë të transaksioneve, duke kontribuar në rënien e çmimit të etherit. Edhe shqetësimi për ndarjen potenciale të bitcoin në dysh po ashtu ka rritur nervozizmin në të gjithë botën crypto, shkruan Bloomberg.

Edhe Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar së fundmi se investimi në monedha virtuale nuk ka asnjë garanci dhe se nuk ka kompani të liçencuara për këtë qëllim. “Në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë,” ka pohuar BSH.

Lexoni: Banka e Shqipërisë paralajmëron rrezikun e përdorimit të monedhës virtuale BITCOIN

Bitcoin është monedha virtuale më e madhe në botë sipas kapitalizimit të tregut dhe ethereum është e dyta. Deri në mes të Korrikut, bitcoin zinte 44% të kapitalizimit të tregut për të gjitha kriptomonedhat, me një rënie të fortë nga 87% në 25 Shkurt. Ndërsa pesha e ethereum ka arritur në 24% të tregut të kriptomonedhave.

burimi: monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0