Kush është Valer Pinderi?
Profesioni / Fusha e Ekspertizës: Kam mbaruar studimet e larta pranë Fakultetit Ekonomik në vitin 2009, dega menaxhim biznesi, master për Marketing.
Pozicioni aktual në kompani: Administrator dhe Drejtor Ekzekutiv i Departamentit të Zhvillimit dhe Marketingut
Info shtesë që dëshiron të japësh: Mbas një eksperience 3 vjeçare në një nga korporatat më të mëdha në Shqipëri, vendosa të themeloj një kompani timen me një plan strategjik 5 vjeçar. Tani kam hyrë në vitin e katërt të këtij plani dhe pothuajse të gjitha parashikimet janë tejkaluar.
Hobi: Të punoj mbi çështje vullnetare për komunitetin të cilat japin shembull pozitiv.
1. Dyqan Taxi – Si e zgjodhët këtë emër? Përzgjedhja e emrit në biznesin online sa rëndësi ka?
Kur u themelua Dyqan Taxi, shitjet online në Shqipëri ishin në nivele fillestare prandaj nevojitej një emër, i cili ishte shumë i thjeshtë për të kaluar mesazhin tek konsumatorët, por gjithashtu ngjallte një kurreshtje në momentin që dëgjohej për herë të parë. Emri, online ka pak më shumë rëndësi se në format tradicionale të tregtisë sepse konsumatori lidhet më shumë me të duke qenë se gjithçka është virtuale dhe pika e vetme e referimit është ky emër.
2. Si filloi Dyqan Taxi? Cila ishte rruga që ndoqët që nga ideja për të tregtuar online, deri tek implementimi dhe zhvillimi i mëtejshëm?
Dyqantaxi ka filluar nga dëshira për të zhvilluar një biznes personal. Si shumë të rinj të tjerë dëshira ime për të filluar një biznes më nxiti të bëj një studim tregu të detajuar dhe të kërkoj alternativat e mundshme dhe potenciale për të nisur rrugën time. Biznesi online ishte shumë tërheqës për mua sepse kishte dy karakteristika të favorshme në plan të parë.
• Karakteristika e parë ishte që nuk kishte nevojë për investim të madh dhe ky përbënte një avantazh të madh për mua që nuk kisha kapital fillestar për investim.
• Karakteristika e dytë ishte potenciali shumë i madh që ky sektor kishte në Shqipëri. I pazhvilluar por me një rrugë të qartë drejt rritjes së pashmangshme më bënte të ëndërroja në një sukses përtej mundësive të mia te cilido sektor tjetër.
Këto ishin elementet fillestare që më bënë të studioj dhe planifikoj një investim në këtë fushë. Gjëja e parë që më duhej ishte investimi, kështu mbasi përpilova një plan biznesi kërkova nëpermjet njohjeve të mia investitorë të interesuar. Për fat të mirë sektori kishte shumë të interesuar dhe nuk zgjati shumë kërkimi.
Viti i parë i punës më bëri të kuptoj shumë detaje të pamenduara për këtë sektor; detaji i parë ishte që nuk ishte një sektor i cili kërkonte pak investim, sidomos për pozicionin qe pretendoja unë në këtë treg që ishte pozicioni lider.
Pjesa tjetër që kuptova për këtë sektor ishte se unë dhe kompania që drejtoja kishte një rol shumë të rëndësishëm, në mos më të rëndësishmin, për të ngritur nga e para një treg pothuajse të pa lindur akoma në Shqipëri.
Pavarësisht se prej vitesh kjo industri ishte prezente në pjesën më të madhe të botës, në Shqipëri kjo pothuajse nuk ekzistonte. Do përballeshim për të paktën 5 vjet me klientë të rinj, të painformuar për këtë treg; do të përballeshim me punonjës të rinj pa eksperiencë në këtë treg, do përballeshim me furnitorë dhe gjithë zinxhirin e punës, me persona të pa mësuar për këtë treg.
3. Sa persona kishit në ekipin tuaj? Kishit ndonjë model biznesi që ndoqët konkretisht?
Si fillim, më 31 Maj 2012, kohë kur u themelua kompania e regjistruar në QKR me emrin NetTrade Albania, në ekipin tim isha vetëm unë dhe një punonjës tjetër i cili akoma vazhdon të jetë pjesë e kompanisë. Të gjitha pozicionet e punës të cilat janë plotësuar më vonë, ku aktualisht jemi 25 veta në staf, janë mbuluar si fillim nga unë. Kam kuptuar nevojat dhe përgjegjësitë që duhen për secilin pozicion dhe më pas kam trajnuar dikë për ta mbuluar atë. Në fillimet e mia nuk ndoqa asnjë lloj modeli biznesi konkretisht, sepse të panjohurat ishin shumë dhe unë kërkoja më shumë informacion nga tregu për të konkretizuar strategjinë time. Por mbas vitit të parë, u drejtova me strategjinë e amazon.com dhe sot aktualisht jemi shumë të ngjashëm në disa detaje, por gjithashtu kemi përshtatur shumë koncepte me nevojat e tregut të vogël dhe të painformuar shqiptar.
4. Cili ishte produkti i parë që shitët? Përvoja juaj e parë me klientë online. Çfarë vështirësish hasët fillimisht?
Produkti i parë që kam shitur ishte një byzylyk me çmimin 500 lek dhe sot atë kartmonedhë e kam në një kornizë me shprehjen “suksesi nuk është sekreti i lumturisë, lumturia është sekreti i suksesit. Nëse ti e do atë që bën, ti do të jesh i suksesshëm” shprehje e cila më ka shoqëruar mbas çdo zgjerimi që ka përjetuar kompania të cilën drejtoj.
Përvoja fillestare ishte shumë e thjeshtë dhe e pranueshme sepse kisha pak produkte në shitje dhe të gjitha ishin të veçanta. Më pas kur produktet u shtuan dhe klientët u shtuan filluan të shfaqeshin çudira në komunikim dhe në mënyrën e sjelljes së klientëve. Shumë pyetje të komplikuara për t’iu përgjigjur, shumë klientë totalisht të pamësuar me shitjen online por me dëshirë për të blerë.
Artikulli u publikua më parë në faqen 28 të nr. 7 të revistës Business Magazine Albania. Për ta shfletuar të plotë revistën klikoni këtu.
Kjo më ka detyruar të përshtatem me tregun Shqiptar dhe të devijoj pak nga shitjet tradicionale online, duke ofruar edhe dyqan fizik, në mënyrë që të ofroja mundësinë e porositjes me telefon ose me Facebook.
Online, nënkupton që tregu shqiptar është shumë i zhgënjyer nga cilësia e shërbimit të bizneseve në Shqipëri dhe janë shumë skeptikë ndaj bizneseve të reja, si fizikisht ashtu edhe online. Shumica e Shqiptarëve nuk njohin kartëmonedhat Shqiptare dhe akoma nuk mund të merren vesh me lekët e reja që çuditerisht kanë mbi 40 vjet që janë në qarkullim dhe nuk ka llogjikë të quhen të reja akoma.
5. Nga prezantimi juaj tek eventi i organizuar nga Garazh*, ju u shprehët se ju ndërthurrni Shitjet Online me ato Tradicionale. Ka ndonjë arsye për këtë? Si funksionon ky proçes?
Që vitin e parë kuptuam nevojën e pashmangshme për të patur një dyqan fizik sidomos për Dyqantaxi, i cili ka shumëllojshmëri produktesh dhe kërkon të jetë faqja me më shumë shitje në Shqipëri. Kjo nevojë vjen si pasojë e skepticizmit që Shqiptarët kanë në lidhje me të gjitha bizneset dhe siguria që i jep një dyqan fizik është hap i domosdoshëm për ne që po ngremë një industri nga e para.
Gjithashtu, ne kemi futur konceptin e porosisë me telefon dhe pagesës ‘Cash on delivery’ për klientët tanë, me qëllim që t’i bëjmë të ndjehen sa më të qetë dhe të sigurtë në hapat e rinj që po ndërmarrin. Dhe pjesa më e rëndësishme, nëse për çfarëdolloj arsyeje klienti nuk e pëlqen produktin, mund ta kthejë tek dyqani jonë fizik pa asnjë kosto apo detyrim shtesë dhe të marrë lekët mbrapsht.
6. Si vjen klienti tek ju për të përzgjedhur produktet dhe si arrini ju t’i dërgoni produktet te klienti?
Një dyqan online ka një ndryshim rrënjësor nga dyqanet tradicionale, sepse klientit nuk do t’i bjerë rruga asnjëherë përpara dyqanit ndaj kërkohet promovim i vazhdueshem dhe vetëm me promovim dhe me emrin e mire mund të vijnë klientët në një dyqan online. Pra në këtë pikë ndahen shumë me dyqanin tradicional, i cili i shërben një zone të caktuar.
Online, si kudo tjetër, klienti ka luksin që të ketë një dyqan virtual pa magazina rrethuese kështu që sasia e produkteve nuk kufizohet më nga hapësira e dyqanit, por nga kapaciteti i njerëzve për t’i gjetur dhe magazinuar ato. Kështu që është shumë e nevojshme që online të ketë një mënyrë llogjike dhe intuitive për kategorizimin dhe ndarjen e produkteve në grupime të ndryshme. Këto kategorizime ndihmojnë klientin për të gjetur produktin e duhur.
Gjithashtu, ne kemi krijuar edhe disa faqe të ndryshme shitjesh me fokuse të ndryshëm nga njëra tjetra, me qëllim që të targetohen grupe specifike të klientëve. Nga kjo ndarje ka lindur www.sekret.al, www.luledielli.al, www.simjalti.al, së shpejti www.idedhuratash.al dhe katër faqe të tjera që preferoj të ngelen të pazbuluara për shkak imitimi nga konkurrentët.
7. Çfarë konsideroni si pikë të fortë tuajën në këtë biznes, duke parë se operatorët që shesin online po shtohen?
Ne, si kompani, kemi diversifikuar shumë shërbimet dhe produktet që ofrojmë. Kështu, klienti jonë, përveç se gjen produkte, gjen edhe zgjidhje në lidhje me krijimin dhe promovimin e faqeve të shitjeve online. Por Dyqantaxi në vetvete është i fokusuar në disa pika të forta ashtu si çdo dyqan tjetër online që ne menaxhojmë.
1. Shumëllojshmëri produktesh dhe kontroll i plotë ndaj tyre. Ne nuk lejojmë të shesë kushdo tek faqja jonë pa kontrollin tonë, pra ne shesim produkte nga shumë furnitorë, por më përpara i blejmë dhe i kontrollojmë vetë dhe vetëm pasi sigurohemi për to, i nxjerrim në shitje. Kështu, me këtë strategji unike në e-Commerce, ne kemi shumëllojshmëri produktesh çka i jep klientit shumë zgjedhje, njëkohësisht kontroll të plotë ndaj tyre, çka i jep klientit siguri në gjithçka që tregtohet. Kemi shumë kategori të ndryshme nga njëra tjetra, veshje, aksesorë, elektronikë, telefona, kompjutera dhe aksesorë, hobi, produkte për shtëpinë, elektroshtëpiake etj.
2. Ne kemi logjistikën tonë për një pjesë të punës dhe magazinojmë shumë mall, të cilin e parashikojmë të shitet më shpesh, dhe si rrjedhojë kemi transportin më të shpejtë të mundshëm. Dhe ky transport varion nga pak orë për porositë në Tiranë, deri në 24 orë në të gjithë Shqipërinë nga momenti i konfirmimit të porosisë.
3. Jemi të fokusuar tek produktet e veçanta dhe të vështira për t’u gjetur në treg. Duke qenë se kemi akses në të gjithë tregun shqiptar, ne pëlqejmë të fokusohemi më shumë në produktet me kërkesë të lartë, por pa ofertë në Shqipëri. Kështu jemi burimi i vetëm dhe më i lehtë për të gjetur produkte shumë të vështira në treg. Gjithashtu ne importojmë një numër të madh produktesh vetë dhe të gjitha produktet që importojmë janë produkte të cilat nuk gjenden në tregun vendas, por kanë kërkesë të vazhdueshme nga ky treg.
8. Shitjet online vs atyre tradicionale? Listoni 3 përparësi të shitjeve online, pra përse klientët duhet të blejnë online?
Për fat të mirë, eksperienca më ka lejuar të jem në rol drejtues, si në tregun online po ashtu edhe në atë tradicional. Ndaj mendoj se kam një gjykim objektiv ndaj të dyja metodave të shitjes. Një e vërtetë e sigurt që kam mësuar nga eksperienca ime, është se 2 mënyrat kanë një ndryshim shumë të madh midis njëri tjetrit, duke qenë se në kete artikull po flasim për shitjet online, do të listoj përparësitë e tyre pa dashur të them që mënyra tjetër nuk ka përparësi.
1. Shitjet online nuk kanë rafte dhe as mure rrethuese, kjo i lejon të mos limitohen në asnjë kategori produktesh. Nëse në një dyqan tradicional hapësira për të reklamuar, po supozojme USB, është e limituar në 20 modele, sepse dyqani ka një raft për këtë kategori produkti, online nuk ka asnjë kufi. Prandaj është shumë e thjeshtë qe aty të gjeni qindra modele për këtë kategori.
2. Online ke luksin të mos lëvizësh nga karrikja deri sa ta gjesh produktin që do, ose ta kërkosh atë kur je duke pritur në rradhë apo duke udhëtuar, ndërkohë që në mënyrën tradicionale duhet t’i kushtosh një kohë të gjatë blerjes të çdo produkti.
3. Krahasimi online është shumë i lehtë dhe përfitues, sepse ju mund të krahasoni ‘live‘ çmimet e njërit dyqan me çmimet e tjetrit, kështu vendimi juaj do jetë më i sigurt në atë që merrni dhe nuk do çuditeni mbas disa ditësh që keni bërë blerjen në një dyqan tradicional dhe shikoni te një dyqan tjetër tradicional rastësisht çmimin e të njëjtit produkt, por me diferencë të madhe nga çmimi me të cilin e keni blerë.
9. A ka potencial për zhvillim tregu online në Shqipëri, duke parë zhvillimet e fundit teknologjike, smartphon-ët, tabletët etj? Si e shikoni të ardhmen?
Tregu online në Shqiperi ka një potencial të paimagjinueshëm. Jo vetëm që në gjithë botën trendi i rritjes së shitjeve online është një nga trendet më pozitive të industrive, por ajo në Shqiperi akoma nuk ka arritur as nivelin minimal të potencialit që ka.
Pa dashur t’ju lodh, po ju them disa shifra të thjeshta që kam zbuluar gjate përvojës time në këtë sektor.
eGDP e cila është GDP e e-Commerce në rang global në 2013 ishte 1.71% e GDP normale.
Tani kjo vlerë ka kaluar 2% dhe brenda 2020 do të trefishohet. Në 2013 në botë janë kryer shitje online me një vlerë 1.365,8 bilion $, vetëm në Europë ka 645.250 dyqane online me shitje 363 bilion Euro, mbi 2 milionë vende pune për e-Commerce, mbi 228 milionë vende magazinimi dhe mbi 3.7 bilion porosi të dërguara vetëm në 2013.
10. Çfarë do ju sugjeronit të rinjve që duan të futen në këtë sektor?
Unë i sugjeroj të rinjve që duan të specializohen apo të marin iniciativa në këtë sektor të kenë guximin për të filluar, sepse suksesi më pas do të varet vetëm nga pasioni dhe aftësia e tyre. Përpara jush ka një pafundësi mundësish, të cilat sigurisht janë të shoqëruara me një pafundësi problemesh, por me insistimin dhe pasionin tuaj janë plotësisht të kalueshme. Unë jam i hapur për cilindo që dëshiron të bëhet konkurrent apo partner i kompanisë tonë, ta suportoj me ato që mundem, sepse momentalisht ka hapësirë për të gjithë dhe prezenca e konkurrentëve do na ndihmonte të shtonim numrin e blerësve online në Shqipëri me hap më te shpejtë se sa të vetëm.
Artikulli u publikua më parë në faqen 28 të nr. 7 të revistës Business Magazine Albania. Për ta shfletuar të plotë revistën klikoni këtu.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.