*Nga Gerti Boshnjaku – Ceo i Business Magazine Albania
Ka mbi 2 vjet që jam aktiv në ndjekjen e eventeve të lidhura me startup-et, duke filluar nga Startup Grind Tirana, Albanian ICT Awards apo Startup Weekend e me rradhë. Për këtë duhet t’i them “Falemnderit” lançimit të Business Magazine Albania pikërisht në Janar të vitit 2015. Më pas si rrjedhim, krijuam një partneritet me Startup Grind Tirana, duke qenë se kuptuam se kishim mision të ngjashëm, për mbështetjen e sipërmarrjes së re dhe një rrugë të përbashkët drejt përmbushjes së këtij misioni.
Ka diçka të veçantë në këto tip aktivitetesh, sidomos Startup Grind, pa dashur të përjashtoj asnjë tjetër. Ndihet një frymë ndryshe komunikimi dhe ndërveprimi. Normalisht pasi kalon paksa momentet e para të ndrojes ngaqë nuk e njeh ambientin, kupton se aty ndodhesh në një mjedis Tëndin. Nuk është pronë e askujt, por gjithkush ndihet si në vendin e vet.
Prezantohesh, njeh njerëz të rinj, takon personazhe të njohur dhe të panjohur, bën pyetjet e tua, mëson, jep nga ajo që di në bashkëbisedim…disa e quajnë networking, por edhe shqip shkon mjaft bukur, rrjetëzim. Lidhemi me njerëz të cilët mbase i njohim si emra në faqet e Facebook apo LinkedIn, por që kurrë nuk kemi mundur të shkëmbejmë një përshëndetje njerëzore dhe një mendim mbi atë që bëjmë.
Përveç vlerësimit personal mbi komunikimin dhe rrjetëzimin, dua të theksoj rëndësinë që ka në aspektin profesional, rrjetëzimi, për startup-et e reja dhe marketerët.
Për Startup-et – Përfshirë sipërmarrjet në fazë ideje e më tej
Ka shumë persona që pretendojnë se kanë një ide, që mund të kthehet në një sipërmarrje të suksesshme. Mirëpo, çfarë të bëjnë me të?
Ajo që kam mësuar dhe duhet ta mësojnë të gjithë, është se ka shumë rrugë për të bërë pasi të kemi “një ide”. Ata që kanë një ide, duhet të mësojnë ta shprehin atë, ta ndajnë atë me njerëzit e tjerë, të marrin përshtypje dhe të kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë më pas me këtë ide. Duke takuar njerëz të rinj, startup-et kanë mundësi të njihen me modele të reja zhvillimi biznesesh, programe përshpejtimi, mundësi trajnimesh apo financimi për t’i çuar idetë e tyre me tutje.
“Ndërsa të mësuarit nga gabimet tona është i rëndësishëm, nuk ka rrugë më efiçente se sa mësimi nga gabimi i të tjerëve. Të ecësh vetëm në këtë botë kaq të madhe nuk është zgjedhja më e mirë.” – themeluesi i Verbalizeit Ryan Frankel.
Dhe, duke folur nga përvoja personale, horizonte të reja do t’ju hapen, dhe kjo është shumë e rëndësishme për një sipërmarrës të ri, apo edhe me përvojë.
“Askush nuk mund t’ia dalë i vetëm” – është shprehur Alen Saqe, CEO i kompanisë Dentem, një startup-i shqiptar që po zhvillohet mrekullisht në Shqipëri dhe jashtë saj duke ndjekur modelin e zhvillimit të një startup-i me përpikmëri.
Dhe përveç Dentem, në aktivitetet e rrjetëzimit mund të njihesh me kompani të tjera, që janë në faza te ndryshme progresi, për të cilat mund të japësh diçka në formë ndihme nga përvoja personale, apo mund të marrësh frymëzim dhe njohuri nga rruga e atyre që janë duke pasur sukses.
Përse është thelbësor rrjetëzimi për Marketerët
Disa do të mendojnë se e kam fjalën tek shitja. Mund të kuptojnë se në këto takime do të mund t’i shesësh produktin apo shërbimin tënd disa njerëzve të tjerë që takon.
Jo. Jo dhe jo…Nuk është synim shitja në këto aktivitete, madje personalisht kam këndvështrim tjetër për marketingun. E lidh më shumë me një orientim apo stil menaxhimi të kompanisë se sa me një funksion bazik shitjeje.
Siç e shoh unë, marketingu përgjigjet për të kuptuar mjedisin, hapësirën midis klientit të synuar dhe kompanisë dhe të kujdeset të krijojë mekanizmat që kuptojnë klientin në 360 gradë dhe përgatisin një produkt / shërbim që i plotëson nevojat /dëshirat konsumatorit, në kohën që i duhen; në të njëjtën kohë sigurohet që të ketë dukshmëri maksimale të produktit / shërbimit dhe konkurueshmëri nëpërmjet vlerës që ofron në treg. Shitja është “hapi i fundit” për të cilin marketing ka ndikim por nuk është përgjegjësi i vetëm.
Ndaj edhe rrjetëzimin e shoh si proçes të marketingut, sepse duke qenë mes njerëzve të ngjashëm, pra profesionistëve, ne mund të diskutojmë dhe testojmë idetë tona, të kuptojmë nevojat e kohës, mekanizmat apo teknologjitë që po vijnë, ndikimin e tyre në jetën tonë, sjelljet dhe qëndrimet tona. Është rast ku ne mund të jemi të dukshëm dhe me diskutimet tona, të kuptohet se cilët jemi dhe çfarë përfaqësojmё, por jo me objektivin për të shitur diçka aty…jo se është turp. Shitja është objektiv final i një transaksioni, por nuk duhet të jetë objektivi i pranisë tonë në një event.
Lexoni: Mjeshtëria e shitjes (10): Pesë pikat e prezantimit të produktit
Parimi më i mirë është “Të japësh para se të marrësh”. Këtë parim ndan Startup Grind dhe unë e mbështes me besimin se kështu është forma më e mirë e një ndërveprimi funksional dhe jetëgjatë. Ndaj evente të tilla kanë lindur prej vitesh në vendet në zhvillim dhe po shtrihen në tё gjithë botën, duke frymëzuar dhe motivuar njerëzit anekënd drejt sipërmarrjes.
Ndaj miq, si hap i parë, aktivizoni një kalendar në telefonin apo laptopin tuaj, regjistrohuni në eventet ku besoni se fokusi i tyre ka të bëjë me profesionin tuaj apo qoftë edhe me një pasion dhe i shtoni në kalendar.
Më besoni se është një përvojë që do ia vlejë!
Miqësisht, Gerti
P.S. Një Listë me aktivitete të ndryshme mund ta gjeni në Linket e mëposhtme të Business Magazine Albania.
- http://businessmag.al/evente/
- http://businessmag.al/category/trajnime/
- http://businessmag.al/category/thirrje-per-aplikime/
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.