A po e shkatërron Google internetin? - Business Magazine Albania

A po e shkatërron Google internetin?

A po e shkatërron Google internetin?

Google thotë se një mjet i ri i inteligjencës artificiale në motorin e kërkimit do ta rigjallërojë internetin. Por kritikët paralajmërojnë një apokalips për uebsajtet. Një gjë është e qartë: kapitulli aktual i historisë online po shkon drejt fundit. Mirësevini në epokën e “web-it të makinerive”.

Internetit i është ndërtuar mbi një marrëveshje të thjeshtë: uebsajtet lejojnë që motorët e kërkimit si Google të përthithin përmbajtjet e tyre falas, dhe në këmbim, Google u sjell përdorues që klikojnë, blejnë dhe shohin reklama. Pikërisht nga kjo varet edhe mënyra se si shumica e faqeve gjenerojnë të ardhura. Vlerësohet se rreth 68% e aktiviteteve online nisin përmes motorëve të kërkimit dhe 90% e këtyre kërkimeve ndodhin në Google. Nëse interneti është një kopsht, Google është dielli që e mban gjallë.

Kjo marrëveshje ka funksionuar për dekada, por një ndryshim i ri po shihet nga shumëkush si momenti ku sistemi nis të shembet. Google ka njoftuar një mjet të ri të inteligjencës artificiale në Search. Ndoshta do t’ju duket shumë i dobishëm si përdorues, por nëse parashikimet e kritikëve rezultojnë të vërteta, pasojat për internetin do të jenë të mëdha: informacioni cilësor mund të bëhet më i rrallë, dhe shumë njerëz mund të humbasin vendet e punës. Optimizmi thotë se kjo mund të sjellë një model më të qëndrueshëm biznesi në ueb dhe të krijojë mënyra të reja për të zbuluar përmbajtje cilësore. Por sido që të jetë, eksperienca juaj digjitale nuk do të jetë më e njëjta.

Një “Google” i ri në horizont

Më 20 maj 2025, CEO i Google, Sundar Pichai, prezantoi gjatë konferencës vjetore të zhvilluesve “AI Mode”, një formë e re e motorit të kërkimit që shkon përtej “AI Overviews” që tashmë shumë prej nesh i kemi parë në rezultatet e kërkimit. “Për ata që duan një eksperiencë të plotë me AI në Search, prezantojmë një mënyrë të re,  AI Mode. Është një rikrijim total i Search,” tha ai.vDhe ndonëse pas kaq shumë bujës mediatike për AI mund të jeni skeptikë, për shumëkënd ky është momenti ku fillon ndryshimi i vërtetë.vNdryshe nga AI Overviews që i vendos përgjigjet me AI sipër listës tradicionale të rezultateve, AI Mode i zë vendin komplet listës me faqe. Është një bisedues (chatbot) që formon një “artikull të vogël” për të dhënë përgjigjen. Aktualisht është i disponueshëm në SHBA si opsion, por Google e ka deklaruar qartë: “Ky është e ardhmja e Search”.

Çfarë ndodh me klikimet?

Kritikët paralajmërojnë se kjo teknologji e re do të ulë ndjeshëm trafikun që Google i sjell faqeve. Dhe kjo për shumë uebsajte mund të jetë goditje fatale. “Nëse Google vendos që AI Mode të jetë versioni parazgjedhur, ndikimi do të jetë shkatërrimtar për internetin,” shprehet Lily Ray, nënkryetare për strategji dhe kërkime SEO në Amsive. “Miliona faqe mbështeten te trafiku organik. Kjo mund ta çojë shumëkënd drejt falimentimit.” Por Google mendon ndryshe. Kompania thotë se këto përvoja të reja e përmirësojnë kërkimin dhe e bëjnë uebin më të dobishëm. “Çdo ditë dërgojmë miliarda klikime në faqe të ndryshme. Lidhja e njerëzve me web-in mbetet prioritet,” shprehet një zëdhënës i Google. “AI Mode krijon mundësi të reja për përmbajtjen të zbulohet.” Megjithatë, të gjithë bien dakord në një pikë: interneti do të ndryshojë ndjeshëm. Viti i ardhshëm mund të shënojë fundin e një epoke. Pyetja është: si do të duket realiteti i ri?

Lexo edhe:Kërkimet në Meta AI bëhen publike, por a e kuptojnë të gjithë përdoruesit?

Ankthi i botuesve

Internetit nuk i kanoset zhdukja. Rrjetet sociale janë më aktive se kurrë, dhe disa uebsajte me pagesë po lulëzojnë. Por mënyra se si njerëzit kërkojnë informacion po ndryshon rrënjësisht. Ajo që vihet në rrezik është “web-i i hapur” – universi i faqeve të pavarura, të hapura, që ofrojnë informacione, imazhe apo video. Natyrisht, ky nuk është alarmi i parë. Në vitin 2010, Wired shpalli me të madhe: “The Web is Dead”. Por ja ku jemi. Megjithatë, pas prezantimit të AI Mode, mbi një duzinë ekspertësh që u intervistuan nga BBC thonë se rreziku këtë herë është real dhe më i thellë se më parë. “Fjala ‘zhdukje’ është e fortë, por ‘shkatërrim në masë’ është përshkrimi i duhur,” thotë Barry Adams, themelues i agjencisë SEO Polemic Digital. Sërish, Google nuk është dakord. Kompania deklaron se AI Overviews ka sjellë përfitime për uebin, dhe e njëjta gjë pritet edhe me AI Mode. Sipas tyre, trafiku që Google i sjell faqeve është më cilësor sepse përdoruesit kalojnë më shumë kohë në faqet që klikojnë. Por Adams shton: “Në skenarin më optimist, numri i klikimeve nga AI Mode do të përgjysmohet. Njerëzit do mjaftohen me përgjigjen e dhënë nga AI. Për shumë botues, kjo është diferenca mes qëndrueshmërisë dhe falimentimit.”

Jo thjesht për blogerët

Ky nuk është një problem që prek vetëm blogerët. Bëhet fjalë për ndryshimin e mënyrës se si vetë përdoruesit ndërveprojnë me informacionin. “Web-i është një komunitet i gjallë që mund ta prekësh me gisht. Kjo ndjesi mund të zhduket,” thotë Gisele Navarro nga HouseFresh, një faqe që rishikon produkte për cilësinë e ajrit. “Është si të shkosh në bibliotekë dhe të kërkosh një libër, por bibliotekari të të lexojë vetëm përmbajtjen me gojë. Ajo ndjesi e një biblioteke të hapur për të gjithë po zhduket.” Google, nga ana tjetër, thotë se këto përfundime janë të pabazuara dhe të ndikuara nga të dhëna të pjesshme. Sipas tyre, interneti është më i gjallë se kurrë: përmbajtja në web është rritur me 45% në dy vitet e fundit – pa përfshirë spam-in.

Vështirësi për shumë uebsajte

Pavarësisht sigurisë që përçon Google, shumë faqe janë në vështirësi. Vitin e kaluar, HouseFresh humbi ndjeshëm trafik pas përditësimeve të algoritmeve të Google që favorizonin markat e mëdha. Tani, Navarro thotë se AI po e përkeqëson situatën. “Kemi parë rritje të shfaqjeve (impressions), por klikimet kanë rënë. Duket sikur njerëzit po e marrin përgjigjen nga AI, pa klikuar fare,” thotë ajo. Një analizë nga BrightEdge e konfirmon këtë prirje: shfaqjet janë rritur me 49%, por klikimet kanë rënë me 30%.

bbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Dallimi mes një fitimtari dhe një humbësi është që fitimtari ngrihet një herë më shumë.”
— Jack Ma
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0