Si AI po trondit gjigantët e teknologjisë? - Business Magazine Albania

Si AI po trondit gjigantët e teknologjisë?

Si AI po trondit gjigantët e teknologjisë?

Ndërsa shqetësimi publik rritet për mënyrën se si inteligjenca artificiale (AI) mund të zhdukë industri dhe profesione të tëra, nga juristët te shoferët e Uber-it dhe kontabilistët,  ajo që shpesh anashkalohet është se viktima e parë e madhe e këtij revolucioni do të jetë vetë sektori i teknologjisë. AI ka nisur tashmë të gërryejë nga brenda gjigantët ekzistues dhe po riformëson profesionin e inxhinierisë së softuerit, me pasoja të mëdha për kërkimin shkencor, politikat antimonopol dhe rregullimin e sigurisë.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, përparimi teknologjik ka bërë të mundur që kompjuterët të bëhen gjithnjë e më të përdorshëm për njerëzit. Megjithatë, përdorimi i tyre ka vazhduar të mbështetet në mënyra të strukturuara dhe të ngurta programimi. Edhe aplikacionet më të njohura për konsumatorët,  si kërkimi në Google apo krijimi i dokumenteve dhe tabelave në Excel,  kërkojnë një ndërveprim jo aq intuitiv. Por kjo po ndryshon falë inteligjencës artificiale.

Goditja e parë: Google

Viktima më e dukshme është Google, që siguron të ardhurat kryesisht përmes reklamave në rezultatet e kërkimit. Kërkimi tradicional në Google është kthyer në një proces të lodhshëm, me shumë reklama dhe lidhje. Në krahasim, mjete si ChatGPT, Claude apo Perplexity ofrojnë një eksperiencë të drejtpërdrejtë dhe më të përshtatshme: thjesht kërkon informacionin dhe e merr menjëherë. Edhe pse jo perfekte, këto mjete janë tashmë shumë më efektive dhe përdorimi i tyre po rritet me rreth 10% çdo muaj. Vetëm ChatGPT pritet të gjenerojë mbi 10 miliardë dollarë të ardhura këtë vit. Google ka lançuar me vonesë “AI Mode”, por është e vështirë të imagjinohet se si mund të përgjigjet pa shkatërruar modelin e vet të biznesit. Dhe drejtuesit e kompanisë e dinë këtë.

A do të mbijetojnë gjigantët?

E njëjta gjë vlen për pjesën më të madhe të industrisë. Kompani si Microsoft, Apple, Salesforce, SAP, Amazon, Intel dhe Dell,  që dikur vetë ishin disrruptorë të IBM-it – janë tani në pozitën e të sfiduarit. Produktet e tyre janë të ngarkuara me histori dhe nuk mund të pësojnë ndryshime të mëdha pa kompromentuar kompatibilitetin me miliarda dokumente dhe aplikacione ekzistuese. Kjo hap derën për startupe të reja që ndërtojnë gjithçka nga e para me AI në thelb. Disa prej tyre, si Clay dhe Paradigm, po sfidojnë Microsoft Office. FuseAI po sfidon Salesforce. Startupe të tjera po mendojnë se si të zëvendësojnë LinkedIn-in, Amazon-in apo sistemet operative të telefonave. Edhe hardueri nuk do të mbetet i paprekur. Mikroprocesorët, sistemet operative dhe ndërfaqet aktuale të smartfonëve janë të bazuara në arkitektura të vjetra. Startupe si Etched po zhvillojnë procesorë të rinj të dizenjuar posaçërisht për AI. Dhe OpenAI ka njoftuar blerjen e startup-it të Jony Ive për të ndërtuar pajisje mobile me AI, me qëllim të zëvendësojë Apple.

Lexo edhe:Inteligjenca Artificiale nxit dominimin e Alphabet, Amazon dhe Meta në tregun global të reklamave

Shitjet online, softueri, dhe AI që kodon vetveten

Amazon, ndonëse me avantazhe logjistike të jashtëzakonshme, po përballet me një sfidë të ngjashme si Google: ndërfaqja është e vështirë dhe e tejmbushur. Në një të ardhme jo shumë të largët, do të mund t’i thuash AI-së: “Më gjej produktin më të mirë për X dhe ma dërgo në shtëpi.” Ky realitet do ta zhvendoste kontrollin nga Amazon te motorë kërkimi të fuqizuar nga AI si Perplexity, që tashmë ka partneritet me Shopify. Por ndryshimi më dramatik po ndodh në vetë inxhinierinë e softuerit. Falë mjeteve si Cursor, Windsurf dhe Claude Opus 4, zhvillimi i softuerit është përshpejtuar ndjeshëm,  me disa kompani që raportojnë dyfishim të produktivitetit në vetëm një vit. Startupe me vetëm pak punonjës po zhvillojnë produkte të plota në pak javë. Po afrohet dita e “startup-it me një person” që bëhet një kompani njëbrirëshe (unicorn).

Rreziku i monopolëve

Shumë nga gjigantët e sotëm janë kritikuar për tendencën për të abuzuar me pozitat e tyre përmes “mureve të mbyllura”, tarifave të larta dhe përkeqësimit të cilësisë për përfitime më të mëdha. Shkrimtari Cory Doctorow e ka quajtur këtë fenomen “enshittification”  dhe Google apo Apple janë shembuj tipikë. Historia e teknologjisë është ajo e cikleve të pushtetit dhe rrënimit: çdo monopol përfundimisht zëvendësohet nga një tjetër. Në raste të veçanta, politika antimonopol ka ndihmuar këtë proces , si ndarja e AT&T në vitet ’80 apo rasti i Microsoft në vitet ’90. Por sot, sistemi i rregullimit është i ngadaltë dhe shpesh i korruptuar. Kompanitë si Google dhe Apple kanë mjetet financiare dhe ligjore për të zvarritur çdo proces për vite të tëra. Ndërkohë, ligjet ekzistuese janë të vjetruara. Për shembull, Google shmangu rregullimin duke mos e “blerë” teknikisht startup-in Character.AI, por pagoi 3 miliardë dollarë për të marrë talentin dhe teknologjinë. Microsoft dhe Amazon vepruan në mënyrë të ngjashme me Inflection AI dhe Adept.

A ka ende nevojë për politikë antimonopol?

Disa mendojnë se është më mirë të mbështeten startup-et sesa të luftohen monopole me mjete të dala boje. Por autori i këtij artikulli – një investitor me eksperiencë në teknologji dhe AI,  shprehet i kujdesshëm. Sipas tij, në disa raste, ndërhyrja për të ndarë një kompani apo për të ndaluar blerjet e saj është thelbësore. Ndërkohë që Evropa po mbetet prapa, me një ekosistem startup-esh të fragmentuar, SHBA vazhdon të ketë një sistem të fortë sipërmarrës, por kërkimi akademik dhe investimi shtetëror janë në rënie. Një ndër politikat më të vlefshme do të ishte rritja e ndjeshme e financimit për edukimin në shkencat kompjuterike dhe kërkimin publik. Po ashtu, duhet rishikuar mënyra se si rregullohen blerjet,  edhe ato “jozyrtare”  që asgjësojnë konkurrencën përpara se ajo të lindë.

Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Dallimi mes një fitimtari dhe një humbësi është që fitimtari ngrihet një herë më shumë.”
— Jack Ma
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0