Urojmë që festat e fundvitit t’ju gjejnë shëndoshë e mirë dhe të kënaqur me arritjet e këtij viti. Si çdo vit po ju paraqesim edhe këtë herë listën e librave më të kërkuar te Shtëpia e Librit.
- Burgu i shëndetit, Altin Joka – një libër që flet për ushqimin dhe ushqimet si rruga për të arritur jetën e shëndetshme dhe lumturinë.
- 48 ligjet e pushtetit, Robert Greene – një udhërrëfyes që shpjegon pushtetin, si ta kuptosh, si të mbrohesh prej tij dhe si ta arrish atë. I konsideruar si Machiavelli modern, Robert Greene ka shitur miliona kopje në të gjithë botën që kur ky libër u botua për herë të parë në vitin 1998.
- Zotërimi i emocioneve, Thibaut Meurisse – Në këtë libër do t’ju shpjegohet imtësisht se çfarë janë emocionet dhe pastaj do t’ju jepen teknika të ndryshme se si të sundoni emocionet tuaja. Arsyeja se përse duhet ti shtypni emocionet tuaja është, sepse prej tyre gaboni më së shumti. Pa emocione mund ti vërejmë më mirë faktet. Pa emocione ne përfitojmë një sy kritik dhe nuk jemi kurrë impulsiv.
- Kumbari, Mario Puzo – Një kryevepër moderne, Kumbari është një portret i botës së krimit të viteve 1940, që nuk të shqitet nga mendja. Ai është, gjithashtu, një rrëfenjë intime e familjes Korleone, e cila është njëkohësisht e lidhur, dhe e bërë copash, nga pozicioni unik që mban në zemër të Mafies Amerikane. Pesëdhjetë vjet pasi u botua për herë të parë, ky roman vijon të tronditë me njohuritë e thella mbi politikën e biznesin dhe urën lidhëse mes të dyjave, krimin.
- Gjermanishtja me dhe pa mësues, Sabina Dhrimo – Shumë janë dukshëm duke menduar të ikin në Gjermani kështu që kjo metodë e thjeshtë, e kapshme, me cd, e vlefshme si për fëmijë, ashtu edhe për të rritur, është një nga librat më të kërkuar të këtij viti.
- Shtatë motrat, Historia e Majës, Lucinda Riley – Një sagë mbi humanizmin, dashurinë, familjen, gëzimin, humbjen dhe dhimbjen që u frymëzua nga shtatë motrat nimfa të mitologjisë greke, shoqëruese të Artemisës, perëndeshës së gjuetisë. Autorja e ka shkruar këtë seri me dëshirën për të festuar arritjet e grave, veçanërisht ato në të shkuarën, të cilat kontribuuan kaq shumë për ta bërë botën tonë një vend më të mirë.
- Muzeu i pafajësisë, Orhan Pamuk – Vepra voluminoze është shkruar dhe është botuar dy vjet pas marrjes së Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 2006. “Muzeu i pafajësisë” është një histori magjepsëse dashurie, me një shtritje të gjatë në kohë dhe një densitet të lartë emocional.
- Të lirë, Lea Ypi – Botuar fillimisht në vitin 2021, libri me kujtime të letrarizuara nga profesoresha e Shkollës Ekonomike të Londrës u prit me entuziazëm në botë dhe me kritika, shpesh të ekzagjeruara, në Shqipëri. Ypi sfidon kapitalizmin pa frena që u përqafua pas rënies së komunizmit dhe ofron shpjegime të thjeshta për komunizmin, në atë që disa e konsideruan si një nënvlerësim të vuajteve të botës nën diktaturat komuniste të shekullit të njëzetë.
- Rrethimi, Tom Kuka – Libri më i ri i shkrimtarit Tom Kuka sjell në këtë libër ngjarje nga Lufta e Parë Ballkanike, kur një ushtri malazeze mbajti të rrethuar përgjatë një dimri të gjatë dhe të vështirë përballë një ushtrie osmane të përbërë më së shumti nga shqiptarë.
- Fan Noli, Apostulli, Ilir Ikonomi – Gazetari Ilir Ikonomi sjell në këtë libër punën kërkimore shumëvjeçare të një prej figurave më komplekse të historisë së Shqipërisë, duke shfrytëzuar materiale arkivore, një pjesë e konsiderueshme e të cilave, duket se janë hapur për herë të parë për këtë libër. shtepiaelibrit
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.