Nga infermiere në mekanike, gruaja që ndërtoi një biznes prej 44... - Business Magazine Albania

Nga infermiere në mekanike, gruaja që ndërtoi një biznes prej 440,000 dollarësh në vit

Shumë prej nesh ëndërrojnë për një kthesë të madhe në jetë, por pak guxojnë ta ndërmarrin. Desiree Hill, një 39-vjeçare, jo vetëm që guxoi, por bëri një hap që i ndryshoi jetën. Ajo la pas një karrierë të lodhshme si infermiere në onkologji dhe sot është pronare e një servisi makinash që gjeneron afro 440,000 dollarë në vit. Dhe të mendosh që gjithçka nisi… me një kërkim në Google.

Lexo gjithashtu: Kur teknologjia flet shqip dhe në dialekt, Albquest prezantohet në “Product Launch”

Një jetë në krizë dhe një kthesë e papritur

Për vite me radhë, Desiree punonte si infermiere në spital, duke përballuar stresin e përditshëm të kujdesit për pacientë me sëmundje të rënda dhe duke bërë tre orë rrugë në trafik çdo ditë. Si nënë beqare, ajo rrallë i shihte fëmijët dhe ndjente se po humbiste vetveten.

Në vitin 2019, pa asnjë eksperiencë në mekanikë apo sipërmarrje, ajo vendosi të provonte diçka ndryshe. Bleu një kamion të vjetër për 1,200 dollarë, mësoi në YouTube si ta rregullonte, investoi vetëm 60 dollarë dhe e shiti për 4,000. Në dy ditë.

“Ndihej si një ‘high’. Ishte e pabesueshme,” thotë ajo. Të nesërmen bleu tri makina të tjera. Dhe ashtu nisi gjithçka.

Nga netët pa gjumë te biznesi i madh

Desiree kalonte netë të tëra duke punuar mbi makina dhe ditët në spital. Pas 15 muajsh lodhjeje ekstreme, ajo hoqi dorë nga infermieria dhe iu përkushtua plotësisht makinave. Brenda një viti, kishte fituar 100,000 dollarë vetëm nga shitja e automjeteve të rregulluara.

Ajo nisi të ofronte shërbime si mekanike në terren, shkonte te klientët dhe i rregullonte makinat aty ku ishin. E dokumentonte gjithçka në TikTok dhe kështu nisi të bëhej virale. Brenda pak kohësh, kërkesat shpërthyen dhe Desiree hapi servisin e saj: Crown’s Corner Mechanic.

Nga një video në TikTok te një kredi pa interes

Një klient i mahnitur me punën e saj i ofroi një kredi prej 10,000 dollarësh për të hapur servisin e vet. Pa interes. Ajo e pagoi me 10% interes brenda 18 muajsh dhe sot është pronare e një hapësire prej 9000 metrash katrorë, ku punëson një ekip të vogël mekanikësh, saldatorësh dhe shoferësh vinçi.

Në vitin 2024, servisi i saj solli rreth 70,000 dollarë në muaj dhe ajo parashikon që këtë vit të arrijë xhiron e 1 milion dollarëve.

Një grua e vogël në trup, por e madhe në vizion

Me vetëm 1.50 m gjatësi, Desiree shpesh keqvlerësohet nga klientët që nuk e besojnë se është pronarja. “Më duhet të provoj veten sa herë hap gojën,” thotë ajo. Por njohuritë dhe përkushtimi i saj i heshtin të gjithë.

Përmes rrjeteve sociale, sidomos TikTok, ajo po ndërton një komunitet dhe një markë që nuk ka ndërmend të ndalet. Synimi i saj i radhës? Të blejë godinën ku ndodhet servisi,  një investim prej 4 milion dollarësh, dhe të marrë një diplomë në inxhinieri mekanike.

“Nëse nuk keni dëgjuar ende për ne, do të dëgjoni shumë shpejt”

Kjo është motoja e Desiree Hill, e cila sot jo vetëm që ka transformuar jetën e saj dhe të fëmijëve, por po sfidon çdo ditë paragjykimet, barrierat dhe kufijtë që shoqëria i vendos grave.

Një histori që vlen të ndahet. Një grua që nuk u ndal. Një shembull që frymëzon.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0