Pasditen e 30 majit, në ambientet e One Connect Hub, u zhvillua eventi i radhës i “Product Launch”, organizuar nga AlbaniaTech, ku në qendër të vëmendjes ishte Albquest, platforma edukuese e krijuar për të ndihmuar fëmijët shqiptarë të diasporës që të ruajnë gjuhën dhe kulturën e tyre amtare.
Themeluar nga Kleida Peçulaj, Albquest përfaqëson një iniciativë që ndërthur edukimin digjital me ruajtjen e identitetit kulturor. Eventi nisi me një prezantim të vetë themelueses, e cila ndau historinë e krijimit të platformës, që lindi si përgjigje ndaj nevojës së qartë për ruajtjen e gjuhës shqipe mes brezit të ri të shqiptarëve që rriten jashtë vendit.
“E veçanta e Albquest është se nuk i përjashton dialektet, përkundrazi. Gjatë gjithë jetës kam parë si shpeshherë gjykohen ata që flasin në dialekt, veçanërisht nga veriu i vendit. Me Albquest nuk do të ndodhë kjo. Do të mësojmë edhe gjuhën standarde, sepse është e rëndësishme, por dua të jetë e qartë, të flasësh në dialekt nuk është gabim, është pasuri.”– u shpreh Peçulaj gjatë prezantimit.
Platforma përfshin mjete të avancuara interaktive, që nga lojërat gjuhësore, aktivitetet letrare e artistike, deri te përfshirja e dialekteve, si një mënyrë për të ruajtur pasurinë gjuhësore dhe për të forcuar lidhjen me zonat e origjinës së nxënësve.
Përshtypjet nga të pranishmit ishin pozitive, duke vlerësuar qasjen inovative dhe vizionin e qartë të platformës, që jo vetëm mëson gjuhën shqipe, por edhe nxit ndjesinë e përkatësisë dhe vlerësimit për trashëgiminë kulturore.
Albquest u prezantua si një shembull i qartë i mënyrës se si teknologjia mund të përdoret për të ruajtur identitetin kombëtar në një kontekst global dhe të lëvizshëm. Me një nisje të suksesshme në “Product Launch”, platforma synon të zgjerojë ndikimin e saj dhe të bëhet një pikë referimi për edukimin gjuhësor të brezit të ri shqiptar në diasporë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.