Energji nga toka shqiptare, llixhat e Treganit dhe e ardhmja e turizmit termal - Business Magazine Albania

Energji nga toka shqiptare, llixhat e Treganit dhe e ardhmja e turizmit termal

Në dialog me realizuesin dhe sipërmarrësin e Hotel Pukës në Tregan të Elbasanit, zotin Todi Puka

Nga Andi Bica dhe Beti Kumi  – Shqipëria është një vend i bekuar, jo vetëm prej bregdetit të veçantë, ditëve me diell apo historisë së ngjeshur dhe monumenteve të rralla, por edhe prej burimeve të pasura të ujërave termale. Ndryshe nga lumenjtë që burojnë nga malet në lindje dhe shkojnë drejt deteve në perëndim, burimet e llixhave kanë një vijëzim paralel nga veriu drejt jugut. Kemi burime të nxehta nga Fushë Kruja në Elbasan dhe ato të ngrohta ose të vakëta nga Dibra në Përmet dhe Leskovik.

Këtë njohuri e ruaj nga një dialog i para shumë viteve në ekranin e Telenorba Shqiptare, në një program të improvizuar në studio me ekspertët e njohur të kësaj fushe, Alfred Frashëri dhe akademikun Godar Beqiraj. Ata kishin vizituar pothuajse të gjitha burimet termale dhe e shihnin Shqipërinë si një model potencial të Zvicrës për administrimin turistik të kësaj pasurie, duke vlerësuar edhe përdorimin e ujërave termale për ngrohjen e hoteleve dhe banesave përreth, në vend të gazit, energjisë elektrike apo druve.

Ndalemi në Elbasan, në Tregan, disa kilometra larg Tiranës. Në më pak se një orë udhëtim me makinë ose autobus, vitet e fundit gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin këtë destinacion, ku ofrohen kushte më të mira pritjeje dhe një raport i favorshëm çmim-kualitet në disa hotele të rinovuara. Një turist mund të përfitojë një paketë prej 25 deri në 30 euro që përfshin fjetjen, ushqimin tre herë në ditë dhe dy seanca banjash termale në mëngjes dhe pasdite.

Lexo edhe: Samiti i Diasporës, mes fjalëve të mëdha dhe nevojës për rezultate konkrete!

Këto klinika-hotele ofrojnë standarde të ngjashme me resortet e plazhit, me dhoma të rehatshme dhe akses me ashensor për çdo kat, duke u fokusuar te relaksi dhe shërimi natyror. Në sallat e vaskave janë të pranishëm mjekë 24 orë në shërbim. Në ambiente të tjera ofrohen masaoterapi nga profesionistë të kualifikuar me një çmim rreth 5 euro, përfshirë trajtimet me kupa tradicionale, terapinë e ftohjeve me llamba infra të kuqe dhe terapinë me baltë.

Sipërmarrësi pukian Todi Puka, trashëgimtar i një familjeje të ardhur para 200 vjetësh në Gjinar të malësive të Elbasanit, është një nga realizuesit e këtyre klinikave-hotelerive të dedikuara për trajtimin dhe shërimin me ujëra termale. Vetëm vitet e fundit ai, ashtu si disa kolegë të tij, ka arritur të krijojë një standard më të qëndrueshëm pritjeje dhe akomodimi për turistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

E takojmë në zyrën e tij-studio, ku si inxhinier po projekton në mendje përmirësime të mëtejshme për Resortin PUKA të rindërtuar. Me një buzëqeshje të qetë, ai na pyet çfarë do të shtonim ose hiqnim nga përvoja e qëndrimit në hotel-klinikën e tij.

Ne, si reporterë shëtitës të kulturës, i sugjerojmë rëndësinë e dekorimit të hapësirave të jashtme me vepra arti. Një qasje që na kujton disa llixha në Italinë e Veriut, si stacioni termal në Salsomaggiore Terme në Parma dhe qendra e njohur e San Pellegrino Terme në Bergamo, ku vizita në vilat-klinika është një lloj pelegrinazhi drejt rikthimit të shëndetit dhe mirëqenies.

Todi e vlerëson këtë ide dhe kthehet me kujtime nga fëmijëria, kur mban mend statuja valltaresh pranë qendrave termale dhe monumentin e Nënës me Fëmijë, të cilin dëshiron ta rikthejë në hapësirat e resortit të tij.

Së bashku me stafin e tij, ai po zhvillon edhe sauna, spa dhe dhoma relaksi me pishina dhe trajtime me avull për të gjitha moshat.

E përshëndetëm miqësisht, me shpresën se energjia e kësaj toke, e besimeve dhe e traditave të Bajramit, Nevruzit dhe Pashkëve, do të vazhdojë të japë fryte. Në sfond mbetet ajo që vendasit dikur e quanin energjia e tokës së Amës dhe Atit, në qytetin antik të Skampës në Ilirinë e lashtë. Lulet e Ditës së Verës na shoqëruan në udhëtimin tonë drejt një reflektimi më të thellë mbi vlerat e vetvetes dhe të vendit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0