Ja se si të huajt po e "Shesin" shqipërinë. Ja kalon dhe Greqisë e Italisë - Business Magazine Albania

Ja se si të huajt po e “Shesin” shqipërinë. Ja kalon dhe Greqisë e Italisë

#Albania ka 3.8 milionë postime dhe gati 106 miliardë shikime, duke lënë pas me shikimet për një postim jo vetëm gjithë rajonin, por dhe destinacione të njohura turistike si Greqia dhe Italia, Franca apo dhe Tajlanda. Një pjesë e mirë e tyre janë postuar nga turistë të huaj, që tregojnë përvojën e tyre në Shqipëri, duke u bërë ambasadorët më të mirë të promovimit të turizmit dhe ndryshimit të imazhit të një vendi që ka vuajtur për vite perceptimin si i pasigurt dhe i rrezikshëm. Por, a është gati vendi për bumin nga TikTok?!

“Mos shko në Shqipëri, nuk është vend i sigurt”. Kjo ishte këshilla që i dhanë vite më parë miqtë, Alyne Tamir, blogeres së njohur nga DearAlyne.

“Kjo është hera ime e pestë në Shqipëri dhe mund të them se tashmë është një nga vendet e mia më të dashura”, shprehet ajo në një video të saj në TikTok, që ka marrë më shumë se 1.5 milionë shikime dhe mbi 82 mijë pëlqime.

Videot si ajo e Alyne janë të pafundme në TikTok, një nga rrjetet sociale më të mëdha në botë me 1.6 miliardë përdorues.

Platforma është pushtuar nga postime të turistëve të huaj, blogerëve apo edhe nomadëve dixhitalë që kanë vizituar Shqipërinë dhe tregojnë përvojën e tyre.

Videot janë në gjuhë të ndryshme dhe me arsye të ndryshme përse duhet vizituar Shqipëria sipas tyre, duke u bërë një ndër reklamuesit më të mëdhenj të vendit tonë në audiencën globale.

Nëse pesë vite më parë, Ayline nuk para shihte video në TikTok për Shqipërinë, tani në maj 2024 ajo do të gjente më shumë se 3.8 milionë postime me hashtag #albania, një pjesë e mirë e tyre të postuara nga turistë të huaj që tregojnë përvojën në Shqipëri.

“Jam shumë e lumtur që tani, vite më vonë, shoh në TikTok eksperiencat e mrekullueshme që njerëzit po kalojnë në Shqipëri”, -vazhdon të thotë blogerja në videon e saj.

Çdo ditë e më shumë, Shqipëria po zë vend në radhët e destinacioneve më të përmendura në TikTok, duke ua kaluar jo vetëm fqinjëve, por konkurron denjësisht me Italinë dhe Greqinë, apo dhe me destinacione të tjera popullore globale.

Shqipëria ka shënuar rritje të përshpejtuar në aktivitetin e saj në platformën e TikTok-ut. Sot ka më shumë se 3.8 milionë video të postuara dhe rreth 108.5 miliardë shikime nën hashtagun #albania, sipas të dhënave që publikohen nga FastMoss.

Për krahasim, me hashtagun #Italy janë postuar 16 milionë video, me 150 miliardë shikime në total.

#greece ka rreth 5 milionë postime, ndonëse ka më shumë postime se vendi ynë #greece ka më pak shikime, me vetëm 59 miliardë.

Edhe pse Italia, me 2.7 milionë përdorues aktivë, dhe Greqia, me rreth 3.8 milionë përdorues aktivë, kanë numra më të lartë të postimeve dhe shikimeve, Shqipëria, me 1.5 milionë përdorues ka arritur të konkurrojë me sukses duke u mbështetur në krijimtarinë lokale dhe në interesin e huajve për vendin.

Italia ka Koloseun, Greqia ka Akropolin, por dhe Shqipëria po tërheq vëmendjen si një destinacion i pazbuluar, që konkurron për antikitetin me këto dy shtete, me bukuri natyrore të shumëllojshme, çmime të lira e njerëz mikpritës.

Nëse bëhet renditja e shikimeve për një postim, vendi ynë ka mesatarisht 28 mijë shikime/postim, tre herë më shumë se Italia (rreth 9.3 mijë).

Në këtë tregues, Shqipëria ia kalon dhe Francës që ka rreth 16 mijë shikime për një postim, apo dhe Tajlandës, 14.6 mijë.

Kroacia, një destinacion turistik i njohur në rajon, #croatia ka rreth 1.5 milionë postime, me 28.1 miliardë shikime, ndërsa #serbia ka rreth 1.5 milionë postime, me 35.5 miliardë shikueshmëri.

Kosova, megjithëse me një popullatë të vogël, ka 875 mijë postime dhe 32.5 miliardë shikime nën hashtagun #Kosovo, një pjesë e të cilave janë të lidhura dhe me konfliktet me Serbinë.

#macedonia ka 432 mijë poste dhe 8.9 miliardë shikime dhe #montenegro, 324 mijë postime dhe 6.2 miliardë shikime

TikTok-u po shndërrohet në një mjet të rëndësishëm për promovimin dhe shfaqjen e pasurisë kulturore dhe natyrore, ku “aktorët” kryesorë mbeten të huajt që vijnë në Shqipëri për turizëm, për të jetuar përkohësisht, apo dhe për të bërë biznes.

Gianni Cersósimo, eksperte e turizmit nga Spanja, në një video në TikTok, e përshkruan me emocion udhëtimin e saj në Shqipëri.

“Për sa i përket peizazhit, është një kombinim i Greqisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.

Ka një histori vërtet magjepsëse që, me të kaluarën e afërt komuniste, e bën tepër intriguese”, – tha ajo Në rrugët e Tiranës, gjatë bisedave me turistët nga Spanja, më së shumti të bën përshtypje që të gjithë (rreth 30 turistë) kanë dëgjuar për vendin tonë nga TikTok.

“Që nga viti 2022 dhe e tërë vera e 2023, TikTok im është pushtuar nga video të ndryshme mbi Shqipërinë. Dhe më ngjalli shumë kureshtje.

Pagova biletën time për vetëm 60 euro, vajtje-ardhje, dhe do të qëndroj 5 ditë. Vendimi më i mirë që mora” – shprehet Leticia nga Barcelona.

Brezi i ri i shqiptarëve dhe të huajve që jetojnë në këtë vend po kapërcejnë kufijtë e traditave të mediave sociale tradicionale dhe po e zbulojnë veten në këtë platformë të re.

Si rezultat, përmbajtja që vjen nga Shqipëria ka filluar të jetë e shumëllojshme dhe e pasur në kreativitet. monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0