"Ylli në ngritje i ICT Awards", Penda Smajljaj: "NotifyMe ka qenë projekti që më ka sfiduar në çdo aspekt." - Business Magazine Albania

“Ylli në ngritje i ICT Awards”, Penda Smajljaj: “NotifyMe ka qenë projekti që më ka sfiduar në çdo aspekt.”


Penda Smajljaj, e apasionuar pas matematikës dhe me njohuritë që ka fituar nga qendra jCoders ka zhvilluar një zgjidhje për njerëzit që shpenzojnë orë të tëra me pajisjet teknologjike. Projekti ofron një mënyrë alternative të njoftimit. Njoftimet për mesazhe të ndryshme si e-mail, Facebook, Twitter vijnë në formë vizuale duke ndriçuar dhe sinjalizuar në mënyrë të qartë njoftimet e pranuara. Në një intervistë ekskluzive për Business Magazine, ajo na tregon më shumë rreth projektit të saj dhe pjesëmarrjes në ICT Awards.

BM: Përshëndetje Penda. Së pari përgëzime për çmimin. Ti, së bashku me Loran dhe Raesa ishit pjesëtaret më të vegjël të këtij kompeticioni kaq të madh dhe përveç kësaj arritët të rrëmbenit çmimin “ICT Ylli në ngritje”. Por përpara se të kalojmë tek projekti, a mund të na bësh një prezantim të shkurtër të vetes ?

Penda Smajljaj: Përshëndetje. Unë quhem Penda Smajljaj dhe jam në klasën e 8-të. Jam nxënëse e shkëlqyer në shkollën “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Nga shkolla kam fituar dy mirënjohje si nxënësja më e mirë në shkollë. Po ashtu jam edhe atomiste me IQ=137. Unë gjithmonë kam qenë e interesuar për matematikën dhe kam marrë pjesë në gara të ndryshme.

Në vitin 2017 më 1 Prill kam fituar vendin e parë në garat e kimisë ku kanë marrë pjesë nxënës nga e gjithë Kosova. Ndjek mësimet në Akademinë JCoders ku u njoha me programimin dhe robotikën. Me njohuritë që kisha marrë deri tani në programim dëshiroja të punoja në një projekt që do të ndihmonte njerëzit dhe kështu me erdhi ideja e NotifyMe, aplikacion i cili ndihmon njerëzit që përdorin shumë rrjetet sociale.

Penda SmajljajProjekti NotifyMe ka qenë një sfidë mjaft e madhe dhe gjatë realizimit të këtij projekti kam mësuar shumë gjëra të reja, por fatmirësisht mua më pëlqejnë sfidat. Shfrytëzova mundësinë për të aplikuar në Albanian ICT Awards sepse dëshiroja të garoja me të gjithë moshatarët e mi në këtë fushë dhe u ndjeva shumë e lumtur kur e kuptova që isha fituese e çmimit “Ylli ne Ngritje” në këtë edicion.

BM: Si ka ndikuar shkollimi në Akademinë JCoders në njohuritë dhe aftësitë që ke fituar?

Penda Smajljaj: Në Akademinë JCoders kam fituar të gjitha njohuritë që kam deri tani në programim. Aty kam gjetur një ambient shumë atraktiv, me trajnerë shumë të hapur të cilët më kanë përkrahur dhe me kanë mbështetur në çdo ide timen. Pra, Akademia JCoders ka patur një ndikim shumë të madh në aftësitë e mia në programim.

BM: Duke kaluar tanimë tek projekti, si lindi ideja e krijimit të tij, si funksionon dhe çfarë risie do të sjellë ai? 

Penda Smajljaj: Në ditët e sotme njerëzit shpenzojnë shumë kohë me pajisjet teknologjike dhe shkëmbejnë mesazhe të shumta me njëri tjetrin. Kjo po ashtu bën që njerëzit të shpenzojnë shumë kohë vetëm duke kontrolluar për mesazhe të reja. Unë dëshiroja që të bëja të mundur që njerëzit atë kohë ta shpenzojnë për punë më të rëndësishme por në të njëjtën kohë të njoftohen për mesazhe të reja. Kështu më lindi ideja për ta bërë këtë projekt, NotifyMe.

NotifyMe është i programuar në gjuhën programuese Python. NotifyMe për momentin mund të përdoret për tri nga rrjetet sociale më të përdorura si Facebook, Instagram dhe Gmail mirëpo mund të programohet edhe për rrjete të tjera sociale. Duke përdorur API të këtyre rrjeteve sociale në fillim marrim informatat që na nevojiten dhe pastaj nëse shohim se ka ndonjë mesazh të ri do të ndizen dritat për atë rrjet social. Po ashtu kemi përdorur edhe indikator 7 segmentësh për të treguar numrin e plotë të mesazheve që ende nuk i kemi parë.

BM: Sa kohë iu është dashur që ta realizoni këtë projekt? Kush iu ka mbështetur?

Penda Smajljaj: Koha që më është dashur për realizimin e këtij projekti është rreth 2 muaj. Gjatë gjithë kësaj kohe më kanë përkrahur dhe më kanë mbështetur shumë familja ime dhe trajnerët e Akademisë JCoders të cilët kanë qenë aty për të më motivuar dhe për të më ndihmuar sa herë kam patur ndonjë vështirësi.

BM: Në studime të shumta thuhet se rrjetet sociale sjellin një mbingarkesë mendore. A është nisur Penda nga ky shkak apo është vetë pjesë e personave që shpenzojnë shumë kohë në rrjetet sociale?

Penda Smajljaj: Edhe unë jam një nga ata persona që shpenzojnë shumë kohë në rrjete sociale dhe kur prisja ndonjë mesazh të rëndësishëm humbisja shumë kohë të cilën mund ta kisha përdorur në mënyra më të dobishme. Unë e dija që ky ishte një problem që shfaqet në të gjithë botën dhe dëshiroja të bëja diçka që ky të mos ishte më problem i madh për njerëzit.

BM: Në çfarë faze është projekti dhe si e shikon të ardhmen e tij?

Penda Smajljaj: Projektin tim kam menduar që perveç funksionit që ka, të shërbejë edhe si mjet dekorativ prandaj duhet të punoj ende në konstruktin e tij. Kështu njerëzit mund ta vendosin kudo që u nevojitet për t’u njoftuar për mesazhet e reja dhe njëkohësisht të duket bukur. Pasi është një projekt me qëllim të zhdukjes së një problemi që është mjaft i përhapur në botë, mendoj se nëse kemi investitorë atëherë ka një të ardhme mjaft të mirë.

BM: Cili është qëllimi juaj për këtë projekt? Doni ta përhapni atë globalisht apo do jetë i kufizuar vetëm për Ballkanin?

Penda Smajljaj: Qëllimi i këtij projekti është që të ndryshoj mënyrën se si njerëzit po ndërveprojnë me teknologjinë, të jemi më të fokusuar në kohë kualitative. Mua më pëlqejnë shumë sfidat dhe NotifyMe ka qenë një projekt i cili më ka sfiduar teknikisht, për këtë arsye kam punuar shumë në realizimin e tij. Si fillim kam synim përhapjen e tij në Ballkan dhe nëse është i suksesshëm atëherë edhe në botë.

BM: Faleminderit për intervistën dhe të urojmë shumë sukese!

https://www.facebook.com/ictawards.org/videos/797487023741159/

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0