Shqipëria, zyrtarisht anëtare e SEPA-s - Business Magazine Albania

Shqipëria, zyrtarisht anëtare e SEPA-s

SEPA

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në zonën gjeografike SEPA dhe nga 21 nëntori 2024, Shqipëria është zyrtarisht anëtare e SEPA-s! Kështu, Shqipëria bën pjesë në grupin e parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohet SEPA-s, si një parakusht për anëtarësimin tonë në BE.

Me këtë anëtarësim përmbushet me sukses një ndër ambiciet kryesore të Bankës së Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian. “Pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s shënon një moment historik për Shqipërinë, duke reflektuar vite të tëra përpjekjesh të përkushtuara dhe angazhim të palëkundur nga institucionet, sektori financiar dhe partnerët vendas për t’u përafruar me standardet dhe parimet evropiane. Përfshirja në SEPA do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke kontribuar në integrimin e saj të mëtejshëm me tregun e BE-së.” – deklaroi Guvernatori Sejko.

Përfitimet e Shqipërisë nga pjesëmarrja në SEPA për qytetarët dhe ekonominë janë të shumëfishta. Ulja e kostove është përfitimi i parë, më i prekshëm dhe i matshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare. E thënë më thjesht, përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta ndërkufitare sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas.

Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare të skemës vlerësohet se do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët. Sipas vlerësimeve tona paraprake, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Njëkohësisht, ulet koha e kryerjes së pagesave dhe rritet konkurrenca nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta.

Në një plan më të gjerë, përfitimet e tjera do të shtrihen në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte, etj. Projeksionet vlerësojnë se në afat të mesëm, ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga anëtarësimi në SEPA.

Puna për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA ka nisur që prej vitit 2021, kur Banka e Shqipërisë u bë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”. Në fushën e pagesave, Banka e Shqipërisë ka bërë përpjekje të konsiderueshme në përafrimin e sistemeve dhe rregulloreve kombëtare të pagesave me standardet e Bashkimit Evropian, duke veçuar këtu miratimin e ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe të kuadrit rregullator për zbatimin e tij.

Banka e Shqipërisë ka udhëhequr dhe koordinuar punën për dërgimin e aplikimit zyrtar për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA. Si kurorëzim i punës së bërë dhe koordinimit me gjithë institucionet e përfshira, në datën 12 qershor u firmos aplikimi zyrtar i Shqipërisë për anëtarësimin në SEPA. Si rrjedhojë, Shqipëria u bë vendi i parë në rajon që dërgoi aplikimin formal, aplikim i cili përmbyllet me sukses sot me vendimin e Këshillit Evropian të Pagesave për të pranuar Shqipërinë në zonën SEPA.

Info: Tregu Unik i Pagesave në Euro, i njohur si SEPA është sistemi i pagesave të Bashkimit Evropian që siguron pagesa në Euro, me të njëjtën kosto dhe lehtësi si brenda një vendi, ashtu edhe midis vendeve të BE-së.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0