"Ylli në Ngritje" i ICT Awards Loran Pllana: "Vetëm me punë të palodhshme krijohen vlerat dhe suksesi" - Business Magazine Albania

“Ylli në Ngritje” i ICT Awards Loran Pllana: “Vetëm me punë të palodhshme krijohen vlerat dhe suksesi”


Një ndër fituesit e çmimit “Ylli në ngritje”ICT Awards është Loran Pllana dhe vjen nga Akademia <J>coders. Ai është vetëm 11 vjeç por me punën e tij të palodhshme ka arritur që të realizojë projektin e tij të parë. Projekti i Loranit titullohet “Eco Race”, një lojë e cila funksionon në iOS dhe Android. Loja ka si personazh kryesor njeriun me biçikletë, i cili duhet të kalojë disa pengesa për të arritur objektivin e dërgimit të kanaçes drejt shportës së riciklimit. Me këtë lojë, Lorani kërkon të sensibilizojë dhe nxisë riciklimin në jetën reale krahas asaj virtuale. 

Në një intervistë ekskluzive për Business Magazine, Loran na tregon më shumë rreth projektit të tij, pjesëmarrjes dhe eksperiencës në ICT Awards dhe planeve që ka për të ardhmen.

BM: Përshëndetje Loran. Së pari përgëzime për çmimin. Ti ishe një nga pjesëtarët më të vegjël të këtij kompeticioni kaq të madh dhe përveç kësaj arrite të rrëmbesh çmimin “ICT Ylli në ngritje”. Por përpara se të kalojmë tek projekti, a mund të na bësh një prezantim të shkurtër të vetes ?

Loran Pllana: Faleminderit për vlerësimin. Mesa jam në dijeni, unë isha më i vogli në moshë nga të gjithë konkurentët në Albanian ICT Awards V, por këtë nuk e pashë asnjëherë si pengesë, duke qenë në dijeni që në këtë kompeticion vlerësohet cilësia dhe jo numrat, siç është mosha. Sa më herët që të futesh në fushën e ICT, besoj se do arrish rezultate më të mira, pasi është një sektor shumë dinamik dhe sfidues.

Jam 11 vjeç, jetoj në Prishtinë me prindërit dhe motrën, nxënës i shkëlqyer në shkollën fillore “Xhemail Mustafa”. Ndjek kurset e gjuhës angleze dhe akademinë e programimit jCoders. Jam fans i klubit FC Barcelona dhe më pëlqen të luaj futboll. Fundjavat i ndaj mes Kosovës dhe Shqipërisë ku shokët më thërrasin me nickname “vëllau nga Kosova”. Ideja ime është që të vazhdoj mësimet dhe programimin, sepse vetëm me punë të palodhshme krijohen vlerat dhe suksesi, ashtu siç më thotë mami im çdo ditë. “Së pari duhet krijuar vlera dhe pastaj suksesi”.

BM: Si ka ndikuar shkollimi në Akademinë JCoders në njohuritë dhe aftësitë që ke fituar?

Loran Pllana: Shkollimi në Akademinë jCoders ka patur efekt shumë pozitiv në përfitimin e njohurive në programim si dhe aftësive/shkathësive praktike për zgjidhjen logjike të problemeve të ndryshme në fushën e TIK-ut dhe jo vetëm. Në këtë akademi kam përfunduar modulet: Scratch Programming, Robo Module, Mobile Programming, Web Design, 3D Printing, Basic concepts of computer structures etj.

Krahas programit mësimor, me mbështetjen e Akademisë jCoders, kam marr pjesë në 3 Hackathons (Maratonë kodimi), kam qenë folës i ftuar në IPKO BarCamp, Dokutech dhe ngjarje të tjera teknologjike. Deri më tani kam zhvilluar disa projekte software-ike, hardware-ike si dhe të kombinuara si: Finger Drumps, LP Ball, etj. Aktualisht jam duke vijuar mësimet në gjuhën programuese Python. Tani duke patur parasysh komunitetin e Akademisë jCoders si dhe komunitetin e ICT Awards, mbështetjen tuaj pra të medias, më shfaqet në mendje fjalia “I stand on the shoulders of giants”.

BM: Sa kohë të është dashur që ta realizosh këtë projekt? Kush të ka mbështetur?

Loran Pllana: Pasi u njoftova nga Akademia se isha përzgjedhur në top 5 nga 500 nxënësit që kishin aplikuar për garën ICT Awards, unë iu futa menjëherë punës për përcaktimin e projektit konkurues. Algoritmi që unë përdora ishte: hulumtimi në internet se çfarë projekti të zhvilloj, zhvillimi i projektit me platformën që kisha mësuar, testimi i projektit, në mënyrë që para jurisë të paraqitesha me një projekt të përfunduar. Ky projekt më mori 2 muaj kohë për ta zhvilluar, gjithnjë duke patur mbështetjen e mentores time Arta Shehu Zajmi, por edhe të instruktorëve tjerë. Këtu vlen të përmendet edhe mbështetja e motrës sime të vogël Morea e cila në të gjithë shkollën dhe lagjen “e shpërndau” lajmin se jam duke zhvilluar një lojë për telefon dhe ipad, që edhe na argëton por edhe na mëson.

BM: Me çfarë ka të bëjë loja “Eco Race”? Sa kohë ka që është lançuar?

Loran Pllana: Para se të tregoj për funksionalitetin e lojës, më lejoni t’ju njoftoj pse u përcaktova për lojën edukative mobile “Eco Race”, projekti software-ik i cili është lançuar në Mars të vitit 2017. Edhe pse NASA ka zbuluar shtatë planete si Toka, ne kemi qasje vetëm në Tokë dhe duhet menduar si ta ruajmë atë. Në mjedisin ku unë jetoj dhe mjediset të cilat i frekuentoj po shtohet numri i mbeturinave dhe ndotjes. Në anën tjetër, pajisjet e mençura si: telefonat, ipad, laptopët etj janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë ku në vitin 2020 pritet të jenë mbi 10 miliardë pajisje mobile të lidhura në rrjet, që i bie më shumë se numri i njerëzve në tokë!

Prandaj, përcaktimi lindi si emërues i përbashkët i fakteve të përmendura, të jetë lojë që funksionon në platformat mobile, pa kosto shtesë hardware-ike ose software-ike, që lidh botën virtuale me reale dhe duke e luajtur dhe argëtuar njëherazi, ndërgjegjësohemi për riciklimin dhe ekologjinë. Madje, duke luajtur me këtë lojë mund edhe “t’i bindim” prindërit se po mësojmë! Loja është programuar me platformën mobile Stencyl. Stencyl është platformë e liçencuar që mbështet: iOS, Android, Windows, MAC, Linux, Flash, HTML5 (Eksperimental).

Loja ka 32 nivele, të ndara në dy grupe: 1. Djaloshi me biçikletë (kujdes ambientin) me 25 nivele dhe 2. Kanaçja drejt shportës së riciklimit me 7 nivele. Në këtë projekt janë programuar 10 personazhe dhe butona ku secili është i programuar të bëjë detyrën e vet dhe për zhvillimin dhe krijimin e niveleve janë përdorur 5 tileset (term në Stencyl për të përshkruar një grup me habitate). Detyra e personazhit është të tejkalojë pengesa të ndryshme duke përcaktuar rrugën e kanaçes drejt shportës së riciklimit.

BM: Çfarë impakti mendoni se do të sjellë në shoqëri një lojë e tillë, duke qenë se trajton një çështje shumë të rëndësishme siç është riciklimi i mbeturinave?

Loran Pllana: A e dini se nëse riciklojmë një shishe plastike do të mund të sigurojmë energji të mjaftueshme për karikimin e laptopit për 25 minuta? A dini se po të reciklojmë një pako me gazeta me lartësi rreth 1.82 m, kursejmë jetën e një druri të lartë rreth 10.66 m?

Nëse dëshironi t’i mësoni këto dhe shumë fakte të tjera, ju ftoj ta shkarkoni lojën “ Eco Race” nga Play Store. Pas çdo niveli të përfunduar do merrni një mesazh ekologjik që do ju nxisë dhe rrisë vetëdijen për çështje globale siç është riciklimi dhe ekologjia. Loja mund të luhet nga të gjitha moshat dhe nga mbarë bota prandaj është e zhvilluar edhe në gjuhën angleze.

Si përfundim, mund të themi se Eco Race është një lojë argëtuese edukative dhe e dobishme për komunitetin global që funksionon në platforma mobile duke rritur ndërgjegjësimin për ekologjinë dhe riciklimin me anë të ndërthurjes së botës reale me atë virtuale.

BM: Ku e sheh veten pas disa vitesh? A po mendon të realizosh ndonjë projekt tjetër apo do mjaftohesh me kaq?

Loran Pllana: Sot jam 11 vjeç, pas 7 vitesh veten e shoh sërish në podiumin e garës ICT Awards, por tani si konkurrent për çmimin kryesor, atë të Inovacionit.

Siç thoshte i madhi Steve Jobs “The best way to predict the future is to invent it”. Prandaj, edhe unë veten e shoh duke zhvilluar projekte dhe aplikacione të tjera teknologjike, me dobi për komunitetin. Nuk e kam vendosur se cili do të jetë projekti i radhës, por besoj do jetë me Python.

BM: Faleminderit për intervistën Loran. Të urojmë shumë suksese!

Loran Pllana

Ju prezantojmë me Loran Pllana nga <j>codersLorani ka realizuar një aplikacion mobile të ashtuquajtur "Eco Race". "Eco Race" Është një lojë me 32 nivele për iOS dhe Android, me anë të së cilës përdoruesit përveç argëtimit mund të edukohen dhe ndërgjegjësimin për mjedisin.

Publiée par ICT Awards sur Mardi 14 mars 2017

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0