BM: Për të gjithë ata që nuk e njohin, çfarë ofron Shpi.al?
T: Shpi.al është startup-i i parë dedikuar “real estate” në Shqipëri, i pari “user based” dhe me një aplikacion për iPhone dhe Android. Thënë më qartë të gjithë ata që kanë një pronë, mund të krijojnë profilin e tyre në shpi.al dhe ta vendosin atë në shitje apo me qera. Këtë mund ta bëjnë shumë lehtësisht nëpërmjet smartphone-it të tyre duke ngarkuar fotot, të cilat janë shumë të rëndësishme në një njoftim dhe më pas të presin telefonatat e shumta nga blerësit potencialë.
BM: Si nis dita e një sipërmarrësi të suksesshëm si Tomi?
T: Dita nis mes shumë impenjimeve, fillojmë me kafen në zyrë me të gjithë kolegët e bashkëpunëtorët e mi, pasi kështu më pëlqen t’i quaj. Më pas ndajmë detyrat reciproke dhe qëndrojmë gjatë gjithë ditës në kontakt në CRM që përdorim. Kërkimi dhe përpunimi i ideve te reja është një tjetër pjesë e rëndësishme e ditës. NE JEMI GJITHNJË NË EVOLUCION.
BM: Ju keni qenë pjesmarrës disa vite më parë i Startup Weekend Tirana, por nuk rezultuat fitues. Çfarë ju shtyu të vazhdonit më tej me idenë tuaj?
T: Këtë që po them tani ia dedikoj të gjithë të rinjve me ide dhe pasion: ËSHTË MË E RËNDËSISHME TË BESONI JU NË IDENË TUAJ, sesa një juri që të dëgjon vetëm 3 minuta.
Unë shikoja të ardhmen, shikoja evolucionin dhe varësinë që do të kishin shqiptarët, shikoja rastet e suksesit dhe besoja. Besoja në idenë time, besoja në potencialin tim, të miqve që iu bashkuan aventurës teknologjike, besoja në përqasjen e shqiptarëve me teknologjinë.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 27 të numrit 13 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 13 të saj.
BM: A ka patur Shpi.al një investitor që e ka mbështetur në fillimet e saj?
T: Përveç pasionit, kohës dhe mundit tonë, i vetmi financim ekstra që ka marrë shpi.al ka qenë granti i fituar si një nga planet e biznesit më të mira të vlerësuara nga Banka Botërore kur ishte vetëm pak muajshe.
BM: Kush është ekipi që po punon me ju?
T: Është Adi, Manager i shpi.al, ai që kordinon gjithçka dhe mbikëqyr ecurinë e agjencive dhe firmave të ndërtimit partnere. Është Sara, “Digital Marketing Manager”, ajo që bën planin dhe zbaton strategjinë e komunikimit të shpi.al në mediat sociale.
BM: Duke qenë se keni disa vite në treg, a mund të na përmendni disa nga vështirësitë që keni hasur?
T: Vështirësia e vetme është me veten dhe sfida për të mos hequr dorë nga ajo që beson. Sigurisht që në fillimet tona, duke qenë se kemi filluar përpara 4 vitesh, kur flisje për teknologjinë nuk ishte e kuptueshme si tani, që mediat sociale kanë ndryshuar edhe mentalitetin e përdoruesit.
BM: Sa kohë ju desh Shpi.al që të pranohej nga blerësit shqiptarë?
T: Brenda vitit të parë, shpi.al kishte më shumë se 1000 prona, 20 agjenci dhe 15 firma ndërtimi që krijuan profilin e tyre aty për të promovuar dhe shitur pronat e tyre.
BM: Në ditët e sotme, ku janë të drejtuar më shumë shqiptarët, drejt blerjes së shtëpive apo marrjes me qera të tyre?
T: Kjo mund të themi se ndahet në grupmosha, studentët dhe të rinjtë deri në 30 vjeç janë më shumë të prirur drejt qerasë, për vetë statusin e tyre. Ndërsa më pas, ndoshta nga fakti që rriten edhe profesionalisht priren të stabilizohen edhe në shtëpi.
BM: A mendoni se startup-i juaj është një sukses dhe pse mendoni kështu? Mund të na tregoni disa detaje të arritjeve tuaja?
T: Shpi.al është një sukses, sepse arriti të bëjë bashkë firmat e ndërtimit dhe agjencitë imobiliare më të mëdha në vend, përtej skepticizmit të tyre fillestar. Shpi.al është një sukses, sepse është portali ku të gjithë shkojnë kur kërkojnë një shtëpi apo pronë. Shpi.al është një sukses, sepse në momentin që flasim, ka më shumë se 10.000 prona aktive në sistem.
BM: Ju jeni renditur në vendin e 4-t të startup-eve më të mira shqiptare sipas renditjes botërore dhe keni fituar shumë çmime të tjera. Çfarë e bën të suksesshëm Shpi.al në krahasim me konkurrentët e tij?
T: Kërkimi për inovacion dhe vazhdimësia për t’u përmirësuar. Në këto vite shpi.al ka realizuar
ndryshime thelbësore të website-it dhe kemi përditësuar disa herë edhe aplikacionet tona. Ne kuptojmë nevojën e konsumatorit dhe besojmë se gjejmë zgjidhjen që ai kërkon. Për më tepër provojmë të mbajmë marrëdhënie me përdoruesit tanë, duke i kthyer përgjigje të gjitha pyetjeve të tyre.
BM: Cila është këshilla që Tomi ka për lexuesit e Business Magazine Albania?
T: Këshilla e vetme që kam për lexuesit e Business Magazine Albania, është që të mos harrojnë
për asnjë çast që Shqipëria është vendi i mundësive teknologjike. Asgjë nuk është bërë si duhet ne vendin tonë, prandaj nëse keni një ide, pasion apo një intuitë se duhet të bëni diçka, atëherë bëjeni, impenjohuni për të dhënë më të mirën dhe është e sigurtë që do ia dilni.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 27 të numrit 13 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 13 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.